Venecia është një vend unik që ndërthur kulturë, bukuri, histori dhe jo më kot është një nga destinacionet më atraktive në botë. Venecia nuk ka nevojë për prezantim dhe nëse nuk e keni vizituar më parë, duhet ta fusni në listën tuaj të dëshirave.
Planifikimi
Periudha më e mirë për të vizituar Venecian është gjatë muajit prill, maj, shtator, tetor kur moti është i ngrohtë.
Fluturimi vajtje-ardhje me Wizz Air dhe akomodimi në hotel kushtoi €120 /pp (në periudhën e këtij shkrimi).
Nga aeroporti Venice Treviso deri në qendër të qytetit, morëm autobusin i cili kushtoi €18/pp.
Një tjetër opsion është udhëtimi me tren, zgjat 23 minuta dhe bileta kushton €9.
Akomodimi
Hoteli që zgjodhëm: “Belle Arti” e rekomandoj pasi vendodhja është 10/10, shumë afër Accademia Bridge. Dhoma kishte hapësirë të mjaftueshme dhe një interier antik. Mëngjesi kishte shumëllojshmëri në zgjedhje dhe stafi ishte shumë mikpritës.
Dita e parë
Stop 1: Ura e Rialtos
Ndoshta më e famshmja nga të gjitha urat në Venecia, ura Rialto është ura më e vjetër që përfshin Kanalin e Madh në Venecia.
Stop 2: Piazza San Marco
Ka aq shumë për të parë përreth Piazza San Marco (ose Sheshi i Shën Markut) prandaj ky atraksion nuk duhet humbur.
Nëse doni një pamje panoramike të të gjithë qytetit, do t’ju sugjeroja një ngjitje të shpejtë në Campanile di San Marco – kambanoren e madhe në cep të sheshit (mund të përdorni edhe ashensorin). Kjo do t’ju ofrojë një pamje të mrekullueshme të Venecias, lagunës dhe ishujve përreth.
Sheshi ndodhet 15 minuta larg nga Ponte dell’Accademia.
Stop 3: Ponte dell’Accademia
Një nga pamjet e mia të preferuara në Venecia është ajo poshtë Kanalit të Madh nga Ponte dell’Accademia. E gjithë pamja i ngjante një kornize plot jetë me gondola që lundrojnë dhe me Bazilikën e Santa Maria della Salute që i jepte një hijeshi të veçantë.
Stop 4: Bridge of Sighs dhe Doge’s Palace (Ura e Psherëtimave dhe Pallati i Doge-s)
Pak më tutje Sheshit të Shën Markut ndodhet Doge’s Palace, shtëpia e një prej sundimtarëve më të fuqishëm venecianë. Pallati i Doge-s ia vlen të vizitohet dhe mund ta vizitoni si pjesë të një guide të kombinuar (që përfshin edhe vizitën në Bazilikën e Shën Markut). Mund ta rezervoni biletën paraprakisht online por mos harroni që gjithashtu është e përfshirë në “Venice Pass“.
Xhiro-ja me gondola
Shëtitjet standarde me gondola në Venecia kanë një kosto fikse prej €80 për një kohëzgjatje rreth 25-30 minuta. Një përvojë autentike që nuk duhet humbur, kështu që është një ‘’must’’ nëse do të vizitoni Venecia-n.
Dita e dytë
Shëtitje me anije në tre ishujt e Venecias
Guida kushtonte €25 /pp dhe zgjaste rreth 6 orë. Nisja bëhej në Sheshin St. Mark dhe biletat mund t’i blini atje ose të rezervoni online.
Ndalesa e parë ishte Murano që shpesh-herë i referohen si ‘’Ishulli i Qelqit’’. Në momentin që mbërritëm, u akomoduam në një ambjent ku shijuam një shfaqje nga mjeshtri i përpunimit të qelqit. Shfaqja zgjati rreth 30 minuta dhe si eksperiencë është 10/10. Pas shfaqjes keni mundësinë të shihni dhe të blini produktet artizanale por paçka se çmimet si në çdo vend turistik janë komerçiale.
Më pas i drejtohemi Burano-s, që ngjan si një qytet ylber. Banorët janë të detyruar të lyejnë shtëpinë me ngjyrën që i para -caktohet nga shteti, për të cilën lajmërohen sipas zonës që ndodhen. Një legjendë thotë që shtëpitë lyheshin me ngjyra të forta e të ndezura që marinarët të shihnin drejtimin drejt shtëpisë, përgjate ditëve ku moti ishte me shumë mjegull.
Burano kishte shumë dyqane me produkte artizanale si dhe ushqimi ishte tejet i shijshëm.
Si të shkoni në Burano?
Ka dy mënyra:
– E para është guida me anije që zgjodhëm ne, që ishte një udhëtim i ndërthurur në tre ishuj.
– E dyta është Water Bus LN nga Fondamenta Nuovo ose San Zaccaria. Udhëtimi zgjat pothuajse 45 minuta.
Për të vizituar Burano-n është e mjaftueshme 1-2 orë, pasi është një ishull i vogël.
Vazhdojmë udhëtimin drejt Torcello-s që është pak a shumë si kthim në kohë. Në Mesjetë, Torcello ka qenë një pikë e rëndësishme tregtare dhe madje kishte ndikim të fuqishëm asokohe.
Sot, Torcello është një vend i qetë dhe në të gjendet Katedralja e e shekullit të VII Santa Maria Assunta, me një arkitekturë të mahnitshme Bizantine.
Një nga restorantet më të famshëm të zonës është Cipriani i cili daton që nga viti 1934.
Kujdes: Guida është shumë e përpiktë me oraret, kështu që mundohuni të jenë korrektë, pasi mund të humbisni nisjen.