Nën ujërat e kaltër të liqenit të Ohrit, “perlës së Ballkanit”, shkencëtarët kanë zbuluar atë çka mendojnë se është një ndër vendbanimet më të vjetra të Evropës, duke u përpjekur të zbulojnë misterin se pse ai ndodhet prapa një muri me kunja mbrojtëse.
Arkeologët besojnë se vendbanimi antik në bregun Shqiptar të liqenit të Ohrit daton midis 6000 dhe 8500 viteve para erës sonë, duke qënë vendbanimi liqenor më i vjetër i zbuluar deri më sot në Evropë.
Albert Hafner, profesor arkeologjie në Universitetin e Bernës në Zvicër, thotë se ky vendbanim është disa qindra vite më i vjetër se vendbanimet e zbuluara deri më tani në rajonet e Mesdheut dhe Alpeve. Fshatërat e tjerë antikë janë zbuluar në Alpet italiane dhe datojnë rreth 5000 vite para erës sonë.
Hafner dhe ekipi i arkeologëve shqiptarë dhe zvicerianë kanë kaluar katër vitet e fundit duke gërmuar në Lin, fshatin e ndodhur në kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Presupozohet se në këtë fshat kanë banuar rreth 500 persona, në shtëpi të ndërtuara mbi ujë ose në zona pjellore të përmbytura shpesh.
Dalëngadalë po zbulohen disa sekrete për këtë vendbanim. Gjatë një zhytjeje të kohëve të fundit, arkeologët zbuluan prova se ky vendbanim ishte i fortifikuar me një barrikadë me mijëra hunj me kunja. Sipas Hafner, për të mbrojtur këtë vendbanim, janë përdorur rreth 100,000 kunja druri. Ndërkohë, arkeologët ende po kërkojnë përgjigjen se pse banuesit ishin të detyruar të mbroheshin në këtë mënyrë. Sipas banorëve, në këto momente, liqeni i Ohrit është një thesar informacioni kërkimor për ta, pasi përmban copëza të shumta dërrasash dhe kunjash.
Analiza e rrathëve të pemëve ka ndihmuar ekipin të rindërtojë jetën ditore të banorëve, duke dhënë një panoramë të vlefshme të kushteve klimatike dhe mjedisore, sipas arkeologut shqiptar Adrian Anastasi. Sipas tij, për të kuptuar sa më mirë strukturën e këtij vendbanimi pa e dëmtuar, kërkimi është i ngadaltë dhe po lëviz me shumë kujdes. Këtë gjë nuk e ndihmon as bimësia e dendur e zonës. Anastasi thotë se ndërtimi i fshatit mbi nivelin e liqenit është një detyrë mjaft komplekse dhe e vështirë, prandaj është e rëndësishme të kuptohet se pse banorët kishin zgjedhur këtë mënyrë jetese.
Sipas arkeologëve, mund të supozohet se banorët vareshin nga bujqësia dhe blegtoria për të siguruar ushqimin. Ilir Gjepali, një tjetër arkeolog shqiptar, thotë se janë gjetur një shërë farash, bimësh dhe kockash kafshësh të egra dhe të zbutura në këtë zonë.
Pritet që të duhen ende edhe dy dekada të tjera që ky vendbanim të eksplorohet plotësisht për të nxjerrë përfundimet finale. Sipas arkeologut Anastasi, çdo gërmim sjell informacion të vyer, duke e ndihmuar ekipin të krijojë një ide të qartë mbi mënyrën e jetesës në brigjet e Ohrit mijëra vite më parë, duke nisur nga arkitektura e deri te struktura e komunitetit të tyre.