Na ndodh shpesh që të na duhet të rezervojmë një biletë disa muaj më parë, për shkak se çmimet e biletave në momentin që po kontrollojmë janë shumë të larta. Duhet të kërkojmë vazhdimisht për të gjetur alternativën më të mirë të mundshme dhe kjo gjë e bën disi të lodhshëm procesin.
Por, tashmë Google Flights ka vendosur t’ia bëjë më të thjeshtë të gjithë udhëtarëve, duke shtuar një opsion shtesë, i cili ka të bëjë me historikun e fluturimeve më parë.
Bazuar në çmimet e biletave në periudha të ndryshme të viteve të shkuara, Google Flights orienton udhëtarin se në cilin muaj apo datë do të ketë predispozitë më të madhe për të gjetur një biletë më të lirë.
Pra, thënë më qartë, ju duhet thjesht të kërkoni në Google Flights destinacionin se ku doni të udhëtoni dhe nëpërmjet një opsioni që mund ta shihni lehtësisht i cili quhet “View Price History”, ju mund të merrni informacion mbi çmimet e biletave, në periudha të caktuara të vitit.
Për shembull, nëse do të kërkojmë një biletë avioni nga Tirana drejt Londrës, Google thotë se e mira është që këtë biletë ta rezervoni tani, sepse çmimet deri në datën 18 shtator janë relativisht të ulëta në krahasim me periudha të tjera të vitit.
Ose, nëse po shihni të rezervoni biletën tuaj në fund të dhjetorit, Google ju sugjeron të prisni, sepse për shkak të festave çmimet e biletave janë të larta.
Kjo është risia më e fundit nga Google Flights për të gjithë pasagjerët që preferojnë avionin për të udhëtuar. Ndoshta është një mundësi e mirë për ta bërë kërkimin tonë dhe për ta patur edhe më të thjeshtë që të rezervojmë biletën.