Kanë qenë jo të pakta diskutimet e madje edhe videot virale, në lidhje me pasagjerët tanë të vegjël, sjellja e të cilëve nuk pranohet njësoj nga të gjithë. Nëse ju është dashur të uleni pranë një fëmije që qan apo bërtet në avion, mund të keni dashur që të ekzistonte një linjë ajrore vetëm për të rritur. Nisur nga kjo, linja ajrore turke Corendon ka prezantuar zonat pa fëmijë në fluturimet e tyre drejt Amsterdamit dhe Curaçaos në Karaibe. Ky shërbim do të ofrohet duke nisur nga nëntori.
Zona pa fëmijë do të jetë e vendosur në pjesën e përparme të avionit dhe do të ketë rreth 93 vende të rezervuara vetëm për pasagjerë mbi moshën 16 vjeç. Kjo zonë do të jetë e ndarë me mure ose perde në avion dhe për të rezervuar një vend do të duhet të paguani €45 ekstra për secilën pjesë të udhëtimit. Në këtë zonë përfshihen edhe 9 sedilje me hapësirë shtesë për këmbët, të cilat do të kushtojnë €100 ekstra.
Sipas themeluesit të kompanisë Atilay Uslu, ky shërbim do të akomodojë udhëtarët që duan më shumë qetësi gjatë fluturimit të tyre, por do të heqë stresin dhe nga prindërit që merakosen se fëmija e tyre po shqetëson udhëtarët e tjerë.
Corendon është linja e vetme ajrore e cila e ofron këtë shërbim në Evropë, duke marrë shembull nga linja të tjera ndërkombëtare të cilat e përfshijnë këtë mundësi për udhëtarët e tyre. AirAsia X ofron një zonë qetësie në fluturimet e saj të gjata, të rezervuar për pasagjerë mbi moshën 12 vjeç. I njëjti shërbim ofrohet edhe nga Scoot, një linjë ajrore nga Singapori, e cila gjithashtu ofron kabina speciale vetëm për udhëtarët mbi 12 vjeç.
Sipas një studimi të kryer në SHBA që përfshinte mbi 1,500 të rritur, rreth 60% mendojnë se një zonë pa fëmijë në avion do të ishte diçka pozitive, ndërsa 27% nuk janë dakord dhe 14% nuk janë të sigurt për këtë.
Edhe pse një shërbim i tillë do të ishte diçka pozitive për personat që dëshirojnë qetësi në avion dhe janë të gatshëm të paguajnë ekstra për ta përfituar si komoditet, duhet të kemi parasysh se familjet të cilat udhëtojnë me fëmijë do të jenë më të privuara. Kjo, pasi këta udhëtarë do të kenë një hapësirë të limituar në avion dhe kjo do të limitojë mundësitë e tyre për udhëtim në bazë të sezonit. Pritet të shohim se çfarë ndikimi do të ketë dhe se si do të pritet ky komoditet ekstra i ofruar.
Po ju, a mendoni se është një vendim i drejtë? Tek cila % e studimit do të bënit pjesë?