Teksa vera ka arritur në kulmin e saj, një ndër destinacionet më të preferuara për turistët evropianë por jo vetëm mbetet të jetë Greqia. Ishujt e fqinjëve tanë janë lokacione mjaft të kërkuara nga pushuesit, duke bërë kështu që fluksi i atyre që udhëtojnë drejt gjireve greke të jetë gjithmonë i lartë.
Edhe pse mënyra se si grekët e trajtojnë turizmin është për t’u marrë shembull, sërish problematika të ndryshme do të lindin përgjatë çdo sezoni. E mesa duket, lakmia për të përfituar gjithnjë e më shumë ka prekur edhe bizneset në këto ishuj.
Abuzimi me shfrytëzimin e plazheve publike nga bizneset pranë ka irrituar banorët vendas të cilët përgjatë muajit korrik reaguan menjëherë duke protestuar e madje duke ngritur edhe një lëvizje të quajtur “Lëvizja e peshqirëve” me arsyen e plotë se për ta është kthyer e pamundur të marrin rreze dielli në ambiente publike, sepse çdo plazh është privatizuar. Kjo lëvizje brenda pak ditësh arriti të mblidhte mbi 3500 anëtarë dhe të zhvillojë aktivitetin e saj në ishullin e Parosit, si shenjë frustrimi dhe pakënaqësie ndaj pamundësisë për të pushuar në plazhe publike, të cilat padrejtësisht janë “uzurpuar” nga biznese private.
E njejta frymë pasoi edhe në ishuj të tjerë të cilët reaguan gjithashtu ndaj këtij fenomeni…
Për ta kjo është një “luftë” e domosdoshme, ku mes protestave dhe besimit se kjo situatë do të ndryshojë, ato do të bëjnë përpjekjen e tyre maksimale.
Grupi “Save Paros Beaches” (Mbroni Plazhet e Parosit) bëri publike shifrat e një ndër bizneseve të zonës, i cili e tarifonte një çadër dhe dy shezllonë në një shifër prej 60 €, ndërsa në zonën VIP turistët duhet të paguanin 120 €.
Ministri grek i ekonomisë dhe financave Kostis Hatzidakis mbështeti lëvizjen e banorëve grekë, duke u shprehur se plazhet publike nuk i përkasin askujt dhe se do të merren masa të menjëhershme.
Suksesi i kësaj levizje ishte i shpejtë, sepse autoritetet vendase bllokuan aktivtitetin e paligjshëm të tre prej bizneseve që kishin bërë të tyren hapsira relativisht të mëdha, pa të drejtë ligjore…
Sfida të tilla kërkojnë impenjim serioz nga banorët dhe nga autoritetet vendase, për të mbrojtur si duhet një ndër pikat më të forta të ekonomisë greke siç është turizmi, pasi duhet thënë se vitet e fundit kjo fushë ka sjellë përfitime të mëdha në arkat e shtetit, si pasojë e një rritje të ndjeshme të turistëve që zgjedhin Greqinë si destinacion për pushimet e tyre. Verën e kaluar mbi 4.5 milionë pushues britanik udhëtuan drejt shtetit Grek, rreth 3 milion me shumë se në vitin 2021.
Gjthsesi, ky rast është një tregues për t’u marrë shembull se kultura e protestës ndaj të drejtave njerëzore dhe ligjore është diçka që çdo popull duhet ta induktojë për të shfaqur kështu këmbëngulje, vlerësim dhe respekt ndaj vetes dhe shtetit nga vjen.