La Dolce Vita pa shpenzuar? Çfarë mendojnë turistët italianë?

italiane turizem shqiperi
Dhërmi 2023, photo by Ema's Light

Për shumë italianë, Shqipëria ka qënë destinacioni i tyre i preferuar këtë verë, duke “pushtuar” brigjet tona. Si katalist i kësaj lëvizjeje ka shërbyer rritja e çmimeve në vendin e tyre, me pushuesit që kanë braktisur destinacione si Puglia, Siçilia, Toscana dhe Sardenja për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Fluksi i turistëve italianë është vlerësuar edhe nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka udhëtuar drejt Vlorës për një takim me Kryeministrin Rama, duke shprehur pëlqimin e saj për natyrën e vendit tonë.

Ky interesim është vënë re edhe nga mediat ndërkombëtare, me The Guardian që i ka kushtuar një shkrim këtij fenomeni. Sipas tyre, pushuesit në Puglia nuk janë aspak të kënaqur, me shezlongët që kushtojnë mesatarisht €35 – €50, për të mos folur më pas për restorantet. Ndërkohë, Shqipëria prej kohësh është reklamuar në mediat e huaja jo vetëm si një destinacion me bukuri të veçantë natyrore, por edhe për çmimet e lira, ku shezlongët mesatarisht kushtojnë rreth €10, dhe një drekë për dy persona shkon rreth €20 – €30.

Kjo ide është përforcuar dhe nga turistët e intervistuar. Përgjithësisht, vihet re një mendim i përgjithshëm pozitiv mbi vendin tonë, nisur kryesisht nga çmimet e lira. Megjithatë, në Itali është publikuar ditët e fundit një artikull, sipas të cilit italianët në fakt janë shprehur të pakënaqur, duke thënë se po paguajnë “çmime si në Ibiza”.

Il Gazzettino e ka quajtur Shqipërinë “një mashtrim”. Sipas një interviste prej tyre me një turist në Ksamil, çadrat kushtojnë vërtet 5 euro, por vetëm nëse ti ha drekën në restorantin e plazhit, ku shërbimi lë shumë për të dëshiruar. Për turistin, entuziazmi i javëve përpara udhëtimit është shuar në moment, pasi është hasur me plazhet e mbipopulluara, mungesën e pagesave me kartë dhe çmimet stratosferike, duke raportuar se kafeja kushtonte 4,5 dhe gazebot 50, por mund të shkonin deri në 200€ në disa plazhe.

Të gjithë ne jemi të rrahur me çmimet në Shqipëri dhe veçanërisht zona e Sarandës dhe Ksamilit kanë pësuar një rritje të ndjeshme çmimesh këtë vit. Për një pjesë të mirë, pushimet brenda vendit, e sidomos në jug, nuk konsiderohen “të lira”. Por, a ka vërtet bare ku ekspresi kushton thuajse 500 lekë dhe plazhe ku shezlongu kushton €200 në vendin tonë?

Kur pushojmë në Shqipëri, ajo çfarë vërtet na bën të mbetemi të pakënaqur është shërbimi. Gjatë periudhës së fluksit, kamarierët mund të jetë pak më të shpërqëndruar dhe mbase do ketë vonesa për disa prej porosive, kjo është e kuptueshme. Megjithatë, sjellja e pahijshme e stafit është prevalente në një pjesë të madhe të bareve dhe restoranteve buzë detit. Edhe mënyra e organizimit të plazheve është jo e duhura, me çadra të ngjeshura për të përdorur në maksimum hapësirën, ndërkohë që në Greqi po diskutohet se si të lirohen plazhet nga çadrat që ndodhen aty. Nëse jemi duke pritur turistë nga vendet e huaja ku paratë cash janë thuajse nuk përdoren, duhet të përshtatemi me ta dhe të përdorim sisteme POS për pagesa me karta.  Padyshim ka dhe vende ku cilësia e sh­­ërbimit është maksimale, por në përgjithësi nuk kemi qënë të kënaqur nga eksperienca në këtë aspekt, e prandaj përfundojmë duke e theksuar shpesh nevojën për përmirësim.

Të gjendur mes reklames masive që i është bërë vendit tonë nga media prestigjioze të huaja, mos mbase artikulli Italian po tregon “gërvishtjet” e para të problematikave tona turistike, apo ka një tendencë antireklame për humbjen e turistëve italianë që kanë preferuar brigjet tona? A kemi turizem të qëndrueshëm dhe a do të jemi në gjendje t’i rikthejmë këta turistë?