Sa funksionon asistenca speciale në aeroportin e Rinasit?

Ndjekësja e Ema's Light raporton mbi eksperiencën e saj me shërbimin e asistencës speciale në aeroportin e Rinasit.

ema's light asistenca speciale
Photo: Getty Images

Fluturimet na japin shpesh ndjesinë e komoditetit, dhe koha që përftohet nga përshkimi i distancës në vijë ajrore është absolutisht një avantazh që e bën këtë alternativë të preferohet…

Por, edhe pse përfitimet e të udhëtuarit me avion janë të shumta, ne sërish shfaqemi “naiv” duke e lakmuar e ndoshta duke e mbivlerësuar këtë zgjedhje. Shfaqemi “naiv” sepse shpesh harrojmë se edhe aeroporti bëhet ndonjëherë i lodhshëm me formalitetet e tij. Rradhët e gjata, pritjet me shpresën se fluturimi nuk do të shtyhet apo anulohet, zig-zaget që të detyrojnë të bësh ecejake boshe si edhe ankthi pa kuptim që ndien teksa kalon tek kontrolli i pasaportave, janë strese të panevojshme e njëkohësisht të paevitueshme të cilat sapo arrijmë në destinacion, i harrojmë menjëherë.

Por, ka edhe një kategori tjetër udhëtarësh për të cilët kjo eksperiencë është edhe më sfiduese.

Personat me aftësi të kufizuara përballen me peripeci të ndryshme në aeoporte e shpesh, kufizimet fizike nuk jane e vetmja arsye, pasi ata duhet të kalojnë përmes labirinthit të kontrolleve dhe gate-ve, ku nevojat e tyre shpesh humbasin midis kakofonisë së zhurmave.

Megjithatë, si një fije shprese, në çdo aeroport, përfshirë aeroportin e Rinasit, ofrohet shërbimi i asistencës speciale për personat me aftësi të kufizuara.

Për të ofruar këtë shërbim, një punonjës qëndron me udhëtarin me aftësi të kufizuara për ta ndihmuar. Në varësi të nevojave të udhëtarit, asistenca speciale mund të nisë që në momentin që ai arrin në aeroport e deri në momentin që ata largohen nga aeroporti në destinacionin e tyre.

Shërbimi i asistencës speciale ofrohet pa pagesë. Për të siguruar këtë shërbim, udhëtari duhet të komunikojë paraprakisht me linjën ajrore deri në tre ditë përpara udhëtimit, qoftë nëpërmjet telefonit ose me e-mail.

Në momentin që ata arrijnë në aeroport, në varësi të nevojave, personi ka mundësi të kontaktojë me linjën e dedikuar të aeroportit për këtë shërbim dhe të përfitojë ndihmë që në momentin që mbërrin aty. Nga ky moment, personeli i caktuar për të ofruar këtë shërbim ka si detyrim të shoqërojë personin me aftësi të kufizuara përgjatë të gjithë procedurës, deri në momentin e imbarkimit. Në varësi të kohës në dispozicion, personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën të shoqërohen drejt tualetit, hapësirave për të ngrënë dhe për të pirë, si dhe të shoqërohen gjatë shopping në Duty Free Shop. Imbarkimi në avion për personat me aftësi të kufizuara duhet të kryhet përpara personave të tjerë, duke përdorur mjete transporti të veçanta, për të lehtësuar akomodimin e tyre. Në avion, për arsye sigurie, ata duhet të ulen pranë daljeve të emergjencës, por jo detyrimisht në sediljet me më shumë hapësirë për këmbët. Gjatë udhëtimit, në varësi të nevojave, këta persona duhet të kenë akses në një karrige speciale me rrota, që i lejon ata të lëvizin lirshëm brenda avionit.

Si shkas për këtë artikull shërbeu një mesazh nga një ndjekëse e Ema’s Light, e cila ndau me ne eksperiencën e përdorimit të shërbimit të asistencës speciale në aeroportin e Rinasit.

Menjëherë evidentohen problematika të shumta lidhur me mënyrën se si është ofruar asistenca speciale. Siç përmendëm më sipër, kërkesa për asistencë speciale duhet të bëhet paraprakisht deri në tre ditë përpara nisjes dhe ofrohet në momentin që paraqitesh në aeroport dhe kërkon këtë shërbim pranë sportelit. Pra, nuk duhet të ketë nevojë për një telefonatë të dytë konfirmimi. Megjithatë, vetë faqja zyrtare e aeroportit të Rinasit përmend nevojën e një lajmërimi të dytë nëpërmjet telefonit, ndërkohë që linku me kontaktet e secilës linjë ajrore nuk është funksional.

Lajmërimi për së dyti i nevojës për këtë shërbim e bën edhe më të pajustifikueshme pritjen prej 35 minutash, pasi personeli duhet të jetë i njoftuar paraprakisht lidhur me numrin e personave që kanë nevojë për asistencë speciale në çdo fluturim.

Në vijim, pavarësisht nëse personi me aftësi të kufizuara është i shoqëruar ose jo, punonjësi i caktuar duhet të jetë i gatshëm për ta ndihmuar personin me kërkesat e tyre, qofshin ato shoqërimi drejt tualetit, pirja e një kafeje ose shopping, për sa kohë që këto kërkesa nuk shkaktojnë vonesa me procedurat e tjera në aeroport.

Problematikat më të mëdha hasen në momentin e imbarkimit dhe fluturimit. Sipas procedurës, për të lehtësuar akomodimin e personave me aftësi të kufizuara, ata imbarkohen të parët në avion dhe duhet të ulen në afërsi të daljeve të emergjencës, normalisht si masë sigurie në rast të problematikave gjatë fluturimit. Siç shihet, kjo procedurë nuk është ndjekur aspak, dhe një pjesë e përgjegjësisë padyshim i takon dhe linjës ajrore.

Akoma dhe më e patolerueshmë është sjellja e stafit në momentin e kthimit në Rinas. Refuzimi për të shtyrë karrocën për të shtyrë një person tjetër tregon mungesë të stafit për të ofruar këtë shërbim, ndërkohë që aeroporte të tjera janë duke investuar edhe më shumë për përmirësimin e tij. Duke anashkaluar pritjen, arroganca në sjelljen e stafit është e papranueshme dhe ky është një problem që e kemi evidentuar plot herë në të gjitha fushat e turizmit në Shqipëri.

Këto problematika, sic shihen dhe nga komentet e ndjekëses, janë thuajse inekzistente në aeroportet botërore. Procedura standarde aplikohet në mënyrë rigoroze. Aeroportet gjithashtu ofrojnë edhe sportele të veçanta në doganë, si dhe hapësira të veçanta qëndrimi përpara nisjes për personat me aftësi të kufizuara, të cilat gjithashtu ndohen pranë tualeteve të specializuara.

Në Europë, duke mos përjashtuar këtu edhe Shqipërinë, përgjegjësia mbi përmirësimin e eksperiencës për persona me aftësi të kufizuara i takon aeroportit. Megjithatë, ka vend për përmirësim edhe në eksperiencën që ofrohet nga linjat ajrore që operojnë në Rinas. Megjithatë, aeroporti ka fuqinë që të marrë masa për të përmirësuar cilësinë e këtij shërbimi. Nuk duhet përjashtuar as mundësia që ky rast të jetë individual dhe problematika të tilla të mos jenë të shpeshta. Por, në rast se janë, asistenca speciale ka nevojë për përmirësime madhore

A ju është dashur ndonjëherë juve ose të afërmve tuaj të përdorin shërbimin e asistencës speciale në aeroportin e Rinasit? Mos ngurroni të na tregoni eksperiencën tuaj!