Wizz Air njofton shtyrje dhe ndërprerje të disa fluturimeve nga Tirana dhe Prishtina

Kompania ka njoftuar shtyrjen e fluturimeve direkte Tiranë – Edinburgh, si dhe ka ndaluar fluturimet Prishtinë – Basel dhe Prishtinë – Karlsruhe/Baden-Baden.

wizz air tirana prishtina
Photo: Getty Images

Gjatë ditëve të fundit, Wizz Air ka lajmëruar disa ndryshime për sa i përket fluturimeve nga aeroportet e Tiranës dhe Prishtinës. Konkretisht, linja ajrore low cost lajmëroi se ka shtyrë datën e nisjes së fluturimeve Tiranë – Edinburgh, si dhe do të ndalojë operimin e linjave Prishtinë – Basel dhe Prishtinë – Karlsruhe/Baden-Baden në fund të këtij muaji.

Pas lajmërimit në qershor se Wizz Air do të shtonte 9 fluturime të reja nga aeroport i Rinasit në fund të dhjetorit, zëdhënësit zyrtarë të Wizz Air kanë njoftuar se data e nisjes së fluturimeve Tiranë – Edinburgh do të shtyhet. Data e parashikuar e nisjes së këtij fluturimi ishte 18 dhjetor. Wizz Air ende nuk ka konfirmuar një datë të re për nisjen e këtyre fluturimeve, prandaj mbetemi në pritje të informacioneve të reja. Ndërkohë, linja e fluturimit Tiranë – Edinburgh do të ofrohet nga RyanAir duke nisur nga 31 tetori.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Wizz Air ka njoftuar gjithashtu se do të ndalojë në fund të këtij muaji dy fluturime nga aeroporti i Prishtinës. Duke nisur nga data 1 shtator, nga aeroporti i Prishtinës nuk do të operojnë më fluturimet Prishtinë – Basel dhe Karlsruhe/Baden-Baden. Si rrjedhojë, fluturimet Prishtinë – Basel do të ofrohen vetëm nga linjat easyJet dhe GP Aviation, ndërkohë që nuk do të ketë më fluturime direkte Prishtinë – Karlsruhe/Baden-Baden. Nga shtatori, Wizz Air do të fluturojë nga Prishtina vetëm drejt Dortmundit, London Luton, Memmingen, Milano dhe Vjenës.