Ngjyrat e ngrohta të natyrës dhe ajri i freskët i japin Evropës një sharm të veçantë përgjatë stinës së vjeshtës. Me dyndjet e turistëve që tashmë janë larguar, kjo është stina ideale për t’u përhumbur në peizazhet dhe eksperiencat e veçanta që ofrojnë disa prej qyteteve më të bukura të të kontinentit të vjetër. Pavarësisht nëse ju pëlqen arti, natyra, historia apo eksperiencat e veçanta të kulinarisë, jemi të sigurt se do të gjeni udhëtimin e duhur të Shtatorit në destinacionet evropiane që do të sugjerojmë.
Një paletë plot ngjyra e shije në Toskana

Shtatori është muaji ideal për të vizituar vreshtat në kodrat e Toskanës. Në stinën e të korrurave, në shumë prej qyteteve zhvillohen Sagre (festivale të korrash), ku do të gjeni prodhime të freskëta të zonës si rrushi, kërpudhat, kungujt e gështenjat e shijshme. Vizitoni Firencen për të shijuar kulturën italiane dhe më pas nisuni drejt Sienas duke ndjekur Chiantigana, një prej rrugëve më piktoreske të Italisë, e cila përgjatë vjeshtës “skuqet”, duke ofruar peizazhe mahnitëse. Rruga kalon përmes rajonit Chianti, të shquar botërisht për rrushin e verën e tij. Mos ngurroni të ndaloni në fshatërat përgjatë rrugës, ku do të provoni një eksperiencë unike dhe autentike vere e gastronomie, të cilën keni për ta mbajtur mend gjatë.
Hotele:
Restorante:
Prekni madhështinë mbretërore të Vjenës

Vjena, kryeqyteti austriak, nuk e humbet kurrë elegancën dhe madhështinë e tij. Gjatë Shtatorit, parqet dhe bulevardet e qytetit shndërrohen në një simfoni ngjyrash të arta në portokalli, që shërbejnë si sfondi perfekt romantik për historinë e trashëgiminë artistike vjeneze. Teksa jeni duke vizituar Vjenën, kaloni përmes kopshteve të pallatit Schönbrunn, ku arkitektura baroke ndërthuret në mënyrë perfekte me ngjyrat e stinës.
Hotele:
Restorante:
Bare:
Magjepsuni në Cappadocia

Si të vinte nga një botë përrallash, rajoni i Cappadocia në Turqi shquhet
për relievin surreal me shkretëtira dhe “oxhakë zanash”, qytetet nëntokësore
brenda shpellave, por edhe prodhimtarinë e verës dhe rrushit. Të gjitha këto e
bëjnë Shtatorin muajin ideal për një xhiro mahnitëse me balonë mbi “Love Valley” (Lugina e Dashurisë) dhe “Rose Valley” (Lugina Rozë). Le të mos
harrojmë këtu dhe fotot fantastike që do të shkrepni.
Hotele:
Restorante:
Përhumbuni në bukuritë e Mesdheut në Siçili

Siçilia ofron një pamje krejtësisht ndryshe gjatë Shtatorit, me turistët që janë larguar nga ishulli duke lënë të paprekura bukuritë që kjo perlë e Italisë ofron. Rrënojat greke në Valle dei Templi duken të mrekullueshme në peizazhin e vjeshtës, me vullkanin Etna që ofron një pamje spektakolare. Vizitoni Palermon dhe Katanian dhe shijoni frutat e freskëta të detit në tratoritë e qyteteve. Nëse keni më shumë kohë, vizitoni gjithashtu edhe qytezën Noto, një prej sekreteve të fshehura të ishullit, me arkitekturë e pamje fantastike.
Hotele:
Restorante:
Një udhëtim i paharrueshëm në Provence

Riviera Franceze është një destinacion tepër tërheqës përgjatë verës, por në Shtator do të mund ta shijoni plotësisht, të pashqetësuar nga dyndjet e turistëve. Admironi Kanën, Nisën dhe jetën luksoze të Monakos, shijoni verën artizanale të rajonit dhe përhumbuni vetëm për pak kohë në jetën e bukur e plot gjallëri të Provencës. Mos ngurroni të bëni dhe një ndalesë në Marsejë dhe të provoni kuzhinën autentike lokale, të vlerësuar nga shefat më të njohur botërorë.
Hotele:
Restorante: