Në ekspozitën e interierëve të avionëve Aircraft Interiors Expo, kompania italiane Aviointeriors ka prezantuar një prototip të ri ulësesh, ku udhëtarëve iu duhet të qëndrojnë në këmbë ndërkohë që udhëtojnë për distanca të shkurtra.
Në fakt, ky nuk është një koncept i ri. Ideja është prezantuar nga linja kineze low-cost Spring Airlines në 2009. Më pas, presidenti i Ryanair në 2012 lajmëroi se këto sedilje do të vendoseshin në avionat e tyre sapo ato të aprovoheshin nga autoritetet ajrore.
Pjesa e pasme e ulëses qëndron thuajse vertikalisht, duke ngjarë më shumë me një mbështetëse. Ndërkohë, secili rresht ka një hapësirë prej vetëm 58cm. Pjesa e poshtme e ndenjëses të lejon të ulesh, por jo plotësisht, ndërkohë që poshtë ulëses ndodhet një pjesë e pjerrët për të mbështetur këmbët.
Dizajni i sediljes nuk të lejon të qëndrosh ulur plotësisht, duke i bërë më të lodhshme fluturimet me avionë. Gjithashtu, të punosh, të shohësh një film ose të lexosh ndërkohë që fluturon bëhet shumë më e vështirë.
Sipas Aviointeriors, ky dizajn të lejon të vendosësh rreth 20% më shumë sedilje në avion, me kosto më të ulët mirëmbajtjeje, duke rritur fitimet për kompanitë ajrore.
Normalisht që një dizajn i tillë ngre shumë pikëpyetje dhe është kritikuar nga udhëtarët. Nëse ky dizajn aprovohet, ku do t’i vendosin pasagjerët bagazhet e tyre, tani që vendi poshtë ndenjëses do të jetë i zënë? Po ndenjëset normale a do të jenë akoma në avionë? Nëse po, sa më shtrenjtë do të kushtojnë?
Fatmirësisht, ky dizajn nuk pritet të vijë në treg së shpejti, por Aviointeriors duken të vendosur për ta aprovuar këtë dizajn. Ata shprehen të bindur se ky dizajn do të përdoret në fluturimet komerciale të distancave të shkurtra.
Po ju, a mendoni se ja vlen të shpenzosh më pak për të qëndruar në këmbë?