///

Ghent, perla e fshehur e Belgjikës

ghent guide

Përgjatë udhëtimit tim në Belgjikë (pa not) 😝 – kisha veç një ditë për t’u shkëputur në njërin prej dy qyteteve të famshme e romantike: në Bryzh (Bruges) ose në Gent (Ghent).

Tani, që Bryzh është më i preferuar se Gent, këtë e dija jo vetëm nga emri i tij shumë i lakuar, por edhe se kudo ku hulumtoja, ‘day trip to Bruges’, kryesonte. U tundova, e pranoj! Por, në stacion të trenit, teksa imagjinoja veten në një varkë, duke lundruar nëpër rrjetin e kanaleve, ndërsa shelgjet përmbushnin pamjen time – pashë grumbuj e grumbuj aq të mëdhenj turistësh, të gjithë të nisur për në Bryzh! ‘’Ah JO! Nuk kam kohë të humbas në kurthe turistike, korriku nuk qenkërka muaji i duhur për këtë qytet.’’ – mendova. Ndaj, ‘Gent it is’! Kanale e ndërtesa piktoreske? Check! Arkitekturë mahnitëse? Absolutisht! Kënaqësi gastronomike? Po se po 😊

Si të mbërrish në Gent?

Për të shkuar në Gent, ju mund të fluturoni drejt aeroportit Charleroi pranë Brukselit dhe të merrni autobuzin që të çon në Gent për rreth 1 orë e gjysmë dhe kushton rreth €20. Ndërkohë, nëse jeni duke qëndruar në Bruksel, rruga drejt Gent me tren zgjat rreth 40 minuta dhe kushton €12,20

ghent views
Kurdo që ta vizitoni, atmosfera në Gent është fantastike!

Kur të vizitosh Gent?

Gent nuk e humbet sharmin e tij në asnjë stinë dhe mund të vizitohet në çdo kohë të vitit. Moti është kryesisht i freskët nga pranvera e deri në vjeshtë, ndërsa dimri është i ftohtë. Personalisht e vizitova në Korrik, e për fatin tim të mirë moti ishte i freskët dhe nuk kishte shumë dyndje turistësh.

Ju sugjerojmë të vizitoni qytetin në datat 31 Janar – 4 Shkurt 2024, pasi në Gent do të zhvillohet Festivali i Dritave, i cili mbahet një herë në tre vjet dhe i jep qytetit një pamje plotësisht magjike. Ndërkohë, çdo vit në Korrik mbahet Festivali i Gent, i cili sjell performanca teatrale, muzikë live, tregje të hapura e shumë më shumë. Tetori gjithashtu është një periudhë shumë e mirë për të vizituar qytetin, pasi studentët kthehen, që do të thotë se është PARTY TIME 🥳

Këshillë: Të dielën e parë të çdo muaji, çdo dyqan në Gent është i hapur dhe transporti publik është plotësisht falas.

ghent river
Sharmi i Gent shijohet në mënyrë perfekte duke ecur ose me biçikletë.

Çfarë të bësh në Gent?

Edhe pse një qytet i vogël, Gent ka kaq shumë gjëra për të parë e shijuar në një ditë qëndrimi! Nëse doni të shijoni plotësisht qytetin, merrni biçikleta me qira (të cilat mund t’i gjeni KUDO, siç mund ta shihni në Highlights-at e mija) dhe pedaloni nga një atraksion në tjetrin.

Nisni udhëtimin tuaj në Graslei dhe Korenlei, qendrat historike të Gent. Këto dy pjesë të qytetit janë të ndara në mes nga një kanal, ku keni mundësi të bëni një xhiro me varkë (kushton €9 për të rriturit) për një eksperiencë komplet ndryshe!

ghent boat trip
Një xhiro me varkë në Gent nuk duhet humbur!

Në qendrën historike të Gent ndodhet gjithashtu edhe kështjella Gravensteen (€10-€12), një prej pikave më tërheqëse të qytetit me pamjen e saj përrallore. Ajo ka qënë shtëpia e shumë kontëve në këtë qytet, por ka shërbyer edhe si burg, gjykatë, e madje edhe mulli pambuku! Ju mund të mësoni më shumë për të shkuarën e saj në muzeun e kështjellës. E teksa jeni këtu, shëtisni në rrugët e Patershol, ku mund të shijoni gatimet lokale të qytetit.

Ndalesa tjetër duhet të jetë Sint-Baafskathedraal (€8), e cila është shtëpia e një prej veprave të krishtera më të vjetra e më të rëndësishme në Evropë, altarit të Gentit. E quajtur ndryshe Katedralja e Shën Bavos, kjo ndërtesë ofron një shëmbull fantastik të arkitekturës gotike të qytetit.

ghent gravensteen
Kështjella Gravensteen është një prej atraksioneve kryesore të Gent

Në qendrën historike të qytetit, nuk duhet të humbisni Abacinë e Shën Pjetrit. Kopshti në pjesën e pasme të saj është një nga sekretet më të bukura të fshehura të Gentit, ku natyra duket sikur ka përpirë ndërtesën duke të bërë të mendosh sesi ajo është ende në këmbë.

Ndërkohë që prisni perëndimin e diellit, uluni në një prej kopshteve të bareve buzë kanalit në Graslei për të mbledhur fuqitë me një birrë tradicionale belge, pasi do t’ju duhen 😉. E pasi të ndiheni gati, fare pranë Katedrales së Shën Bavos ndodhet dhe Këmbanorja e Ghent me pamjen e saj spektakolare. Mos ngurroni të ngjisni shkallët (ose të merrni ashensorin) drejt majës për një pamje të paharrueshme të perëndimit mbi qytet.

ghent terrace bar
Sa të shijon një birrë buzë lumit...

Bare dhe restorante në Gent

Pini një cocktail tek Jigger’s The Noble Drugstore
Jigger’s është një cocktail bar drejtuar nga Olivier Jacobs, një nga miksologët më të talentuar të Belgjikës.


Interesant është Aroy Aroy, sipërmarrja e fundit e chef Jason Blanckaert, i cili ka braktisur yjet Michelin për të gatuar atë që i pëlqen: kuzhinë tajlandeze.


Elders, është një restorant jo komercial i frekuentuar nga vendsasit. Ndodhet pak jashtë qendrës dhe duket perfekt për një të diel të shpenguar.

ghent elders
ghent elders bill