Nuk ka shumë gjëra që kanë ngelur pa u thënë për Japoninë. Pata fatin ta vizitoj në gjysmën e dytë të muajit maj, për 12 ditë në 5 qytete. Ishte një ëndërr e bërë realitet.
Të ecje ne rrugët plot zhurmë të Tokios ishte si të hyje në një univers paralel – një vend ku tradita dhe moderniteti bashëkjetojnë në mënyrën më harmonike. Qetësia në parqet plot gjelbërim të Kyotos, lagjet shumëngjyrëshe të Osakës, historitë tronditëse të Hiroshimes dhe shijet e jashtëzakonshme përgjatë gjithë udhetimit, më tërhiqnin për të mos u larguar kurrë nga ai vend.
✈️ Udhëtuam nga Turqia me Turkish Airlines drejt aeroportit Narita. Udhëtimi zgjati rreth 10 orë ishte mjaft i rehatshëm. 🚅 Për të shkuar nga aeroporti në Tokio, përdorem trenin Keisei Skyliner. Biletat i premë direkt në stacion, por rekomandohet rezervim online në mënyre që të kesh mundësi të rezervosh ulesën dhe të sigurosh një vend për valixhet. Vagonat 1-3 janë për biletat që nuk kanë bërë rezervim më herët dhe funksionojnë me parimin “First Come First Serve”, pra kush shkon i pari zë vendin.
Ne, duke qenë grup prej 30 vetë me valixhe, shkaktuam një vonesë prej 2 minutash në nisjen e trenit nga Naria për në Tokio. 😅 🙈
Padashur kishim bllokuar derën e trenit duke u futur dhe duke sistemuar valixhet. Vonesa, sado e vogël, binte ndesh me rregullat e vendit dhe stafi i trenit me mirësjellje na e vuri në dukje.
Nuk do ta harroj një punonjës të moshuar që na kujtoi të ngriheshim e të bëheshim gati për të zbritur 15 minuta para se treni të ndalonte në stacion. Thërriste: “Speedy, speedy, speedy!!” (ishte menyra e tij për të thëne “Shpejt, dilni shpejt e mos e vononi më trenin!”). Teksa prisnim tek dera e trenit na pyeti dhe nga vijmë, por për fat të keq nuk e kishte idenë se ku ishin Kosova dhe Shqipëria. Treni ndaloi dhe ne dolëm me nxitim. Në vazhdim të udhëtimit ia morëm dorën orareve dhe hyrje-daljeve të shpejta nga metroja.
🏨 Shkuam menjëherë në hotel. Hoteli ynë quhej Henn Na Hotel, në zonën Asakusabashi. Një hotel modest, por tejet i veçante pasi njihet ndryshe si ‘Robot Hotel’. Në recepsion janë dy robotë dhe pajisje për të bërë self check-in dhe check-out. 🤖 Ka gjithashtu një kënd ku bëhet një shfaqe me robota çdo një orë.
Hoteli ka gjithashtu një restorant indian ku konsumuam mëngjesin e përfshirë. Ishte një zgjedhje e mirë dhe ekonomike për 5 ditë qëndrimi në Tokio.
Pasi u sistemuam ne hotel, erdhi momenti për të dalë shëtitje në qytetin e Tokios!
🗼Përshtypja e parë: Çdo gjë është tmerrësisht e pastër! Jemi akoma në rrethina dhe çdo gjë shkëlqen nga pastërtia! Nuk para sheh kosha plehrash rrugëve. Ndalesa e parë ishte tempulli Senso-ji.
⛩️ Tempulli Senso-ji është tempulli më i vjetër dhe nga më të rëndësishmit në Tokio. Diten e vizitës tonë kishte një festival dhe vendi ishte i tejmbushur.
🗼 Vazhduam më pas për tek Tokyo Skytree – që është gjithashtu kulla më e lartë në bote. Nga këtu mund të shohësh nga sipër Tokion në 360 gradë. Edhe këtu ka shumë rradhë për t’u future e për të dalë. Për të shmangur rradhën në hyrje, rekomandohet rezervim. Personalisht do sugjeroja një orar pak para perendimit, në menyre që ta shikoni qytetin si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës.
Një tjetër vend rekordesh në Tokio është edhe Shibuya Crossing – kryqëzimi më i madh në botë, ku njëkohësisht kalojnë rreth 3 mijë kalimtarë.
Aty mesova që në kryqëzim ka disa kamera gjigande të cilat janë në livestream në internet. Nëse i shikoni, mund t’i dërgoni një përshendetje live nga Tokio miqve tuaj.
🌃 Gjithashtu, kryqëzimi është i rrethuar me dritat e ndërtesave përreth. Gjatë natës, dhe sidomos në kohë me shi, dritat duken edhe më të bukura. Përpara nisjes në Japoni, po shpresoja shumë që të binte shi ditën (dhe natën) që do të shkonim në Shibuya, dhe vërtet ashtu ndodhi.
🗻 Të nesërmen, pasi vizituam Shibuya-n në mbrëmje me shi, kishim planifikuar një ekskursion në Malin Fuji. Koha na mbajti mirë, pasi pikërisht atë ditë u kthjellua dhe në qiellin e mëngjesit nuk dukej as edhe një re e vetme! Dielli shkëlqente dhe pamja e malit që patëm përgjatë gjithë turit ishte vërtet fantastike!
Mali Fuji, një nga malet më të famshme në botë për dy shpatet e tij thuajse identike, ndodhet diku 2 orë e gjysmë larg Tokios (nëse ka trafik, kthimi zgjat rreth 4 orë). Nëse moti nuk është në favorin tuaj, me mirë mos humbisni kohë aty, pasi retë e dendura e mbulojne malin dhe nuk do të shihni asnjë pamje të tij.
Mund të prenotoni ndonjë kompani që ofron ekskursione ditore nga qyteti i Tokios. Është mënyra me e thjeshtë. Kujdesuni të shikoni mirë itinerarin e tyre dhe të zgjidhni atë që ju pëlqen, pasi disa ture ofrojnë 1 orë shëtije në mal dhe 3 orë qëndrim në qendër tregtare.
Në Tokio qëndruam 5 ditë të plota. Disa nga atraksionet që vizituam përgjatë qëndrimit tonë ishin:
🌸 Parku Ueno – një park publik mjaft i madh me shumë gjelbërim në zonën e Uenos
⛩️ Tempulli Hie – ndodhet në qënder të Tokios, pa pagesë dhe ka një mori Torii Gates përgjate disa shkallëve.
🌉 Rainbow Bridge – ura e famshme e Tokios. Ka një kalim për këmbësoret, nga ku mund të shihni një pamje mahnitëse të qytetit.
🌆 Roppogni Hills – një nga zhvillimet më të mëdha të pronës së integruar në Japoni. Për dashamirësit e artit, ndodhet Mori Art Museum (bileta kushton rreth 17 euro), ku në katin e fundit ndodhet një rooftop për një tjetër pamje 360 grade të qytetit.
✨️ Teamlab Planets – i njohur ndryshe si muzeu i dritave. Ka disa instalacione me drita, uje dhe lule – një vend magjik që nuk duhet humbur për asnjë arsye gjatë vizitës në Tokio. Bileta kushton rreth 22 euro dhe duhet rezervuar online paraprakisht.
🎆 Disney at Sea – Nëse po vizitoni Japoninë me fëmijë, mund të shkoni në Disneyland-in e Tokios, i vetmi park Disney i ndërtuar buzë detit.
🍹 Memory Lane – një rrugicë plot bare tradicionale ku mund të kalosh një mbrëmje me miqtë duke pirë një gotë.
Tokio ka një rrjet hekurudhor të jashtëzakonshem. Mund të orientohesh lehtësisht me google maps. Me një karte rimbushese Suica (që e mer ne stacion) ose Tokio pass, mund të shetisësh në çdo cep të qytetit fare lehtë me metro. 🚄 Ishin të pakta ato raste ku nuk dinim nga të shkonim.
Por kjo na shërbeu për të na vërtetuar sërish mirësjelljen dhe dashamirësinë e vendasve. 🌸 Pavarësisht se në Japoni nuk flasin anglisht, ishin shumë të gatshëm të ndihmonin dhe të të orientonin. Dy të rinj madje na u afruan vetë për të na pyetur nëse na duhet ndihmë dhe a është çdo gjë ok. Sa të mirë 😋
❗ Japonia është një nga vendet me rregullat qytetare më të rrepta në botë! Kini parasysh që:
- 🚭Nuk pihet cigare në vende publike!! Ka hapësira të dedikuara (smoking areas) nëpër qytet. Nëse shkelni këtë rregull, do hasni probleme.
- 🗣️ Mos flisni me zë të lartë nëpër metro, mbani radhë, mbani pastër ambientin dhe jini gjithmonë të sjellshëm. Nuk mund të konsumosh ushqim duke ecur.
- 🚷 Nëse doni të konsumoni diçka të shpejtë nga marketi, duhet ta konsumoni aty! Koshat e plehrave ndodhen kryesisht buzë marketeve. Nuk para gjen nëpër rrugëve të qytetit. Ndërsa për pije, ka makineta (vending machines) thuajse në çdo cep. Mund të provoni një larmishmëri pijesh të veçanta. 🥤 E preferuara ime: Fanta me rrush.
Uji nëper makineta kushton rreth 100 Yen (70 Lek).
Pas 5 ditësh në Tokio, u nisëm drejt Kyotos, gjithashtu qytet ikonë i Japonisë. Në Kyoto mbizotërojnë elementët tradicionale të Japonisë dhe në tërësi ka një kontrast të dukshëm me Tokion. Ka një interes të jashtëzakonshem nga turistët.
Në Kyoto qëndruam 3 ditë dhe jemi përpjekur ta shfrytëzojmë kohën në maksimum.
Kështjella Nijo ishte ndalesa e parë që pas mbërritjes në qytet. E kishim mjaft afër nga hoteli, rreth 20 minuta në këmbe. Oborri i kështjellës ishte një kopsht tipik japonez, me shumë gjelbërim, lule dhe rrënjë bonsai, ndërsa brenda nuk lejoheshin fotografitë. Mbrëmjen e kaluam duke shëtitur qytetin në këmbë.
Të nesërmen, për të shkuar tek Pylli i Bambuve. U nisëm nga hoteli në orën 5:00 dhe arritem në park rreth orës 6:30. Numri i turisteve në mengjes është shume i vogël në krahasim me pjesën tjetër të ditës.
Shëtitja vazhdoi në Monkey Island – Ishullin e Majmunëve. Një hapësirë e vogël në majë të një kodre ku kishte dhjetra majmunë. Për dashamirësit e kafsheve, ishte shume eksperiencë e bukur, edhe pse majmunet nuk mund t’i prekje.
Edhe ditën e nesërme, e nisëm mjaft herët shëtitjen për të shkuar tek Fushimi Inari, një tjeter pikë turistike ku ndodhen me qindra Tori Gates. Një ‘must visit’ teksa jeni në Kyoto. Rruga për të ecur deri në majë ishte mjaft e gjatë dhe malore.
Nëse do të kisha mundësi, do të qëndroja më shumë net në Kyoto, për t’i parë të gjitha pikat turistike që në orët e para të mengjesit – dhe nderkohe do t’i kaloja orët e paradites dhe pasdites në qytete të tjera afër Kyotos (pra, me shëtitje ditore).
E di, tingellon sfilitese, por në Kyoto ia vlen çdo sakrificë (sidomos nëse doni të flini në mëngjes) për ta vizituar me më pak turiste rrotull.
Gjatë 12 ditevë që vizituam Japoninë, fjetëm gjithashtu 1 natë ne Hiroshima dhe 2 netë në Osaka.
Nëse keni kohë të limituar, mund t’i vizitoni këto vende edhe nëse jeni duke qëndruar në Kyoto.
🦌 Parku i Nara-s, një qytet i vogël i cili dukej si një park gjigand, me shumë gjelbërim dhe shumë kaproj rrotull për t’i ushqyer e për të luajtur. Nëe zgjedhje ideale për të kaluar disa orë të qeta, në ajër të paster. Është rreth 40 minuta me tren nga Kyoto.
🍱 Kobe: një tjeter qytet interesant, buzë detit, i njohur për street food dhe kobe beef. Në Kobe nuk munda t’i bashkohem grupit për ta vizituar, pasi doja të kaloja më shumë kohë në Kyoto. Kobe ndodhet rreth 2 orë e 30 minuta larg Kyotos me trenat e shpejtë.
🏯 Osaka: ndodhet vetëm 15 minuta me tren nga Kyoto. Mund ta vizitoni gjatë ditës, pasi të keni bërë “xhiron e mëngjesit” në Kyoto. Qytet i madh, shumëngjyresh dhe plot aktivitete për të parë e për të bërë. Osaka Aquarium, akuariumi i dytë më i madh në botë, si dhe Universal Studios Japan i cili ndodhet gjithashtu në Osaka, janë dy atraksione ku mund të kaloni një pjesë të mirë të ditës.
Hiroshima ndodhet 1 orë e 40 minuta nga Kyoto. Ne qëndruam një natë në Hiroshima, një qytet në të cilin është shkruar një pjesë thelbësore e historisë botërore. Vizituam memorialin, muzeumin dhe vendin ku ka rënë bomba atomike. Vend i cili ngjall një miks ndjesish të pashpjegueshme. Në Hiroshima mund te vizitoni dhe Miajima Island, vendi ku ndodhet tempulli i vetëm në ujë. Ishulli është tejët piktoresk.
Për të lëvizur nga njeri qytet në tjetrin, në Japoni ju nevojitet JR Pass. 🚅 Kjo është një biletë për trenat e shpejtë e cila lëshohet vëtem për turistët për 7, 14 ose 21 ditë. Sigurohuni që ta blini perpara mbërritjes në Japoni, pasi nga momenti i porosisë do disa dite që të vijë në destinacion. Nëse e lini për moment të fundit për ta blerë fizikisht në stacion, do t’ju kushtojë rreth 100 euro më shtrenjtë.
Restorantet dhe ushqimi në Japoni
Tokio është qyteti me më shumë restorante Michelin Star në botë. Ka gjithashtu një numër të lartë restorantesh të vecanta që ofrojnë një përvojë dhe shërbim si askund tjetër në botë. (Keni parë të tilla nëpër rrjete sociale?).
🥢 Restorantet dhe hotelet kane hapësira shumë të vogla, nuk akomodojnë shumë persona njëkohesisht. Prandaj shpesh, bëhet e vështire për të gjetur vende të lira në lokale që kane kërkesë të lartë. Kini parasysh të rezervoni në vendet ku do të shkoni.
Në Tokio ka gjithashtu një mori restorantesh ekonomike që ofrojnë ushqim të shijshëm e të bollshëm. 🍛 Mund të shkoni të uleni pa qënë nevoja për rezervim ose për të pritur radhë dhe në fund të mbeteni tejet të kënaqur.
🐷 🌱 Në kuzhinën aziatike, mbizoteron salca e sojës dhe mishi i derrit. Për personat si unë që nuk e hanë mishin e derrit ose duan ushqim hallall/vegjetarian, por duan të provojne kuzhinen aziatike, mjafton të kërkosh për restorante të tilla afër zones ku ndodheni në Google Maps ose Tripadvisor.
🥩 Ikinari Steak (biftek i papritur) është gjithashtu një rrjet restorantesh ku mund të provosh biftekun tradicional. Mishi vjen i gatuar ‘rare’ në një pjatë shumë të nxehtë, ku ti ke mundësi ta pjekësh sa të duash e si të duash. Një vend tejet i veçantë për nga mënyra e servirjes. Sasia e biftekut mund të zgjidhet vetë. Në foto jane 300g mish dhe pjata kushtoi rreth 10€.
🍤 Në Tokio ka një markatë peshku ku janë përqëndruar dhe restorantet e ‘tezgat’ për street food me bazë peshku.
🍗 Disa dite më vonë në Osaka konsumuam një darkë tek Washoku Minori, për të cilin konfirmoj çdo review maksimale të lënë në Google 😋 . Shefi kuzhinës ishte japonez ndërsa pronari nga Uzbekistani. Çdo pjatë e menusë ishte e veçantë dhe shumë e shijshme.
🫗 Ajo që më pëlqeu më së shumti nëpër restorantet japoneze ishte uji falas dhe një peshqir i njomë me ujë të ngrohtë që vendosej për të pastruar duart.
Një drekë/darkë me një pjatë kryesore, mesore të përbashkëta dhe një pije jo-alkolike nëper lokalet ku frekuentuam, kushtonte mesatarisht 12-18 euro për person.
… Dhe teksa behesha gati për t’u larguar nga Japonia, pata një mirënjohje të thellë për kujtimet e krijuara, traditat që mësova dhe miqësite e reja që krijova gjatë gjithë udhëtimit. Japonia ka një sërë mrekullish për t’u zbuluar. Deri atehere, arigatō e sayōnara ….