Teksa jeni duke u përhumbur në bukuritë që ofrojnë qytetet evropiane, ndodh që nuk jeni dhe aq të vëmendshëm ndaj ambientit përreth jush. Turistët janë preja e preferuar e hajdutëve të rrugës, e shpesh herë kemi dëgjuar plot histori të tilla nga qytete si Barcelona, Parisi e Roma.
Por, cilat janë vërtet shtetet më të rrezikshme në Evropë? Një studim nga një kompani sigurimi udhëtimesh ka publikuar një raport mbi qytetet më të rrezikshme për hajdutët. Për këtë studim, kompania ka analizuar review-t e turistëve, duke numëruar se sa herë janë përmendur rastet e vjedhjeve në atraksionet turistike kryesore.
Shteti me më shumë raste vjedhjesh është Italia, ku vizitorët në Romë, Milano dhe Firence kanë raportuar 1,906 raste vjedhjesh online gjatë 2022. Kjo është e barabartëe me 463 raste për 1 milionë vizitorë, raporti më i lartë i vjedhjeve në krahasim me çdo shtet evropian.
Shteti i dytë me rastet më të larta të vjedhjeve është Franca, ku atraksionet e Parisit kryesonin për sa i përket raportimeve. Në vend të tretë renditet Hollanda, ndërkohë që Spanja, pavarësisht reputacionit që ka Barcelona, ndodhej në vend të gjashtë, me 5 herë më pak raste se Italia. Ndërkohë, disa prej atraksioneve me më shumë raste vjedhjesh janë Kulla Eifel dhe Fontana di Trevi, ku hajdutët mund të fshihen menjëherë mes turmave.
Shtetet më të sigurta sipas këtij studimi janë shpallur Polonia me 18 raste për 1 milionë vizitorë dhe Irlanda me 30 raste për 1 milionë vizitorë.
Për të qëndruar sa më të sigurt gjatë udhëtimeve tuaja, ekspertët rekomandojnë që të lini sendet tuaja më të vlefshme në hotel dhe të përdorni një çantë të sigurt për telefonin dhe portofolin. Në rast se bini viktimë e një vjedhjeje, mos ngurroni ta raportoni në polici, pasi kjo do t’ju ndihmojë për të marrë dëmshpërblim nëse keni paguar për një siguracion udhëtimi.