///

7 qytete evropiane që mund t’i vizitoni me buxhet të limituar

Travel on budget
Verona (26 Mar 2022)

Le të jemi të sinqertë, të kesh hobi udhëtimet, të pasuron mendjen por e kundërta ndodh me xhepat. Në fillim “trembesh” nga çmimi i biletave dhe hoteleve, e lëre pastaj kur fillon bën llogaritë se sa do të shpenzosh për të parë çdo gjë…

Megjithatë, në Evropë mund udhëtosh me buxhet të limituar, sigurisht nëse shmang disa prej qyteteve më të shtrenjta si Venecia ose Londra. Nëse jeni duke kërkuar peizazhe të bukura, rrugë të mbushura me histori në çdo cep apo pjata të shijshme për të lënë kokën, mos ngurroni të vizitoni qytetet që ne do t’ju sugjerojmë më poshtë.

1. Stamboll, Turqi

stamboll turkey

Lindja me perëndimin takohen në një pikë ku përzihen më së miri historia, kultura dhe tradita. Stambolli karakterizohet nga një lloj kaosi sharmant, ku nga njëra anë shikon disa prej monumenteve më të mrekullueshme të Perandorisë Bizantine e Osmane, e fare pranë tyre godina të larta marramendëse. Teksa jeni në Stamboll, vizitoni Hagia Sophia-n, Xhaminë Blu, Pallatin Topkapi dhe më pas përhumbuni në Grand Bazaar, ku jemi të sigurt se nuk do të dilni pa gjë 😉. Jeni në Turqi, kështu që mos harroni të hani kebab e më pas të ëmbëlsoheni me bakllava e llokume.

Drejt Stambollit ju mund të fluturoni me Air Albania ose Pegasus. Me Air Albania, biletat vajtje-ardhje nisin nga 10,000L dhe fluturimet ulen në aeroportin e Stambollit pranë qytetit, ndërsa me Pegasus nisin nga €120 dhe ulen në aeroportin Sabiha, i cili ndodhet pak më larg Stambollit. Hyrja në atraksionet kryesore kushton diçka më pak se €5.

2. Verona, Itali

verona italy

”La Dolce Vita” nuk ka përse të jetë e shtrenjtë. Verona shpesh anashkalohet nga turistët për qytete si Roma, Milano, e Venecia. Por më besoni, një fundjavë në Verona është një arratisje ideale me buxhet të kufizuar, sidomos nëse jeni çift. Këtë (mbase) mendoi dhe Shekspiri, kur shkroi veprën e tij më të njohur “Romeo dhe Zhulieta”, të zhvilluar në qytetin e Veronës. Niseni udhëtimin tuaj nga Piazza Bra me Arenën e Veronës dhe shtëpitë shumëngjyrëshe që e rrethojnë. Mos harroni të blini Verona Card për €20, e cila mbulon thuajse çdo atraksion që do të vizitoni. Kaloni kohë në Shtëpinë e Zhulietës (por mos i prekni gjoksin se ia shkulët). Eksploroni rrugicat e qytetit të vjetër dhe ndaloni në Piazza delle Erbe për t’u çlodhur. Nga këtu, për të parë perëndimin e diellit keni dy zgjedhje: të kaloni urën Ponte Pietra dhe të ngjiteni në Castel San Pietro, ose të ngjiteni në Torre dei Lamberti për një pamje fantastike të qytetit. Vizitoni gjithashtu edhe katër kishat e Veronës, të cilat edhe pse nga jashtë nuk duken asgjë e veçantë, më besoni që do t’ju mahnisin sapo të hyni.

Drejt Veronës ju mund të fluturoni me Albawings, Air Albania ose Wizz Air. Me të treja linjat, ju mund të gjeni bileta duke nisur nga €30 vajtje-ardhje, ndërsa në periudhë uljesh, mund të shkojnë edhe më pak.

3. Riga, Letoni

riga latvia

Kryeqyteti i Letonisë është një destinacion pakëz më “ekzotik” për shumë prej nesh, e këtu nuk po flasim për temperaturat, por për faktin se deri më tani nuk ka patur asnjë fluturim direkt nga Tirana ose Prishtina drejt Letonisë. Megjithatë, nga maji i 2024-ës, do të kemi mundësinë të fluturojmë nga Tirana drejt Rigas me airBaltic, linjën më të re që do i bashkohet aeroportit tonë. Qendra historike e Rigas me shtëpitë shumëngjyrëshe të stilit ‘Art Noveau’, ofron një sfond instagramable për foto. Në qendër të qytetit, mos humbisni House of the Blackheads dhe portën mesjetare suedeze. Nëse jeni pak më aventurierë, mund të merrni një kanoe ose pedalon dhe të vozisni në lumin Daugava.

Fluturimet drejt Rigas momentalisht nisin nga €89, por vetë qyteti mund të shijohet fare mirë me buxhet të limituar. 

4. Sofie, Bullgari

sofia bulgaria

Kryeqyteti bullgar ndodhet fare pranë vendit tonë dhe është një destinacion interesant për t’u vizituar në pak ditë. Sipas studimeve, Sofia është shpallur një nga qytetet më të lira në Evropë për t’u vizituar. Sofia ofron jo vetëm tërheqje turistike, por edhe gjallëri gjatë natës. Vizitoni Katedralen Aleksandër Nevski, pallatin e kulturës dhe shëtisni në parqet dhe bulevardet e gjera të qytetit. Gjithashtu, mos ngurroni të provoni verërat, birrat dhe ushqimet tradicionale vendase, të cilat nuk janë aspak të shtrenjta dhe shumë të shijshme. Nëse ndiheni energjikë, hyrja në party në Sofie kushton rreth €10.

Ju mund të udhëtoni drejt Sofies me makinë (rruga zgjat rreth 8 orë), por Wizz Air gjithashtu pritet të nisë fluturimet direkte Tiranë – Sofie së shpejti.

5. Bukuresht, Rumani

bucharest romania

Le të qëndrojmë sërish në Ballkan, por këtë rradhë do të ngjitemi pak më në veri për të vizituar “Parisin e Lindjes”, Bukureshtin. Kryeqyteti rumun, ofron një ndërthurje të arkitekturës midis komunizmit dhe stili Belle Epoque, ku vepra më madhështore është padyshim Pallati i Parlamentit. Një nga muzetë më interesantë në Bukuresht është Muzeu i Fshatit, i cili të jep mundësinë të shohësh nga afër jetën e fshatit në Rumani, pa u larguar aspak nga Bukureshti. Shijoni një kafe ose drekë në ballkonet e qytetit të vjetër dhe mos ngurroni të dilni gjatë mbrëmjes për një (ose disa) gota. 

Për të vizituar Bukureshtin, biletat me Wizz Air nising nga €40.

6. Varshavë, Poloni

warsaw poland

Varshava është një qytet me histori të trazuar. Dikur, e quajtur ‘Parisi Lindor’, Varshava ka qenë një ndër qytetet më të bukura Evropiane, derisa u rrafshua nga Lufta e Dytë Botërore. Për ta dëshmuar këtë, shërben më së miri Muzeu i Kryengritjes së Varshavës, i cili ofron një panoramë të fuqishme të historisë së Polonisë. Nëse kjo ju intimidon, atëherë jemi të sigurt që do të shijoni xhiron në pjesën e vjetër të qytetit, e cila mbrohet nga UNESCO. Shëtisni përgjatë lumit Vistula, admironi ndërtesat historike dhe mos humbisni Pallatin Mbretëror të qytetit. Si pikë orientimi, nga çdo cep mund të shihni Pallatin e Kulturës dhe Shkencës, ku mund të ngjiteni për një pamje fantastike të qytetit. Pasi të jeni lodhur, ndaloni për të konsumuar pierogi, kielbasa ose bigos dhe shijoni vodkan polake. Kini kujdes periudhën e vizitës, sepse unë në Mars jam plevitosur :p

Ju mund të fluturoni drejt Varshavës me RyanairWizz Air ose Polish LOT. Biletat vajtje-ardhje nisin nga €30.

7. Pragë, Çeki

prague czechia

Arkitekturë si në përralla, histori e pasur dhe qindra lloje birrash. Ja pra që për kaq jetojmë, e të gjitha këto i gjen në Pragë, madje pa shpenzuar shumë. Kryeqyteti i Çekisë, i quajtur ndryshe dhe “Zemra e Evropës”, është bërë prej vitesh një destinacion mjaft i dëshiruar dhe mund t’ju them se çdo fjalë është e vërtetë. E kam vizituar Pragën vite më parë, e do të rikthehem pa dyshim!

Kompleksi i Kështjellës së Pragës është më i madhi i llojit të tij në Evropë, dhe përfshin brenda tij Katedralen e Shën Vitus, Pallatin Mbretëror dhe Golden Lane, një rrugicë piktoreske me shtëpi shumëngjyrëshe, ideale për foto! Kaloni përtej Urës Charles, vizitoni qendrën historike të qytetit dhe prisni për të parë lëvizjen e Orës Astronomike përpara se të ngjiteni në Kullën e Bashkisë së Pragës, për një pamje panoramike të qytetit. E më pas, uluni për të shijuar pjatat tradicionale çeke si goulash, svíčková (biftek i marinuar me salcë), të cilat mund t’i shoqëroni me një sërë birrash të ndryshme. Praga njihet si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Evropës, ndaj nëse keni mundësi, shijoni një koncert, opera ose teatër në qytet. Në të kundërt, shijoni party-t deri në orët e para të mëngjesit!

Nga Tirana, ju mund të fluturoni drejt Pragës me WizzAir ose Ryanair. Biletat vajtje-ardhje nisin nga €40.