Edhe pse fluturimet janë bërë pjesë e pandashme e udhëtimeve tona, kur jemi aty lart në qiell, të gjithë përjetojmë një nivel ankthi për sigurinë tonë. E në fakt, një studim i fundit ka sjellë në vëmendje një realitet mjaft shqetësues sa i përket fluturimit: lodhja e pilotëve po ndikon negativisht në sigurinë e transportit ajror.
Sipas një studimi të Universitetit Karolinska në Suedi, aviacioni evropian është bërë më pak i sigurt gjatë viteve të fundit. Kjo për shkak të lodhjes dhe stresit të pilotëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, raporton Zembla. Madje, në disa linja ajrore low-cost, punonjësit nuk guxojnë të raportojnë se janë të sëmurë ose të lodhur, duke vazhduar të punojnë.
Në studim morrën pjesë rreth 10,000 pilotë dhe anëtarë të ekuipazhit. Një e treta e tyre (rreth 3,000) thanë se udhëtimi ajror evropian është bërë më pak i sigurt. 80% e ekuipazhit të kabinës dhe 60% e pilotëve thanë se kushtet e punës janë përkeqësuar. Shumë prej tyre përmendën një numër në rritje të kontratave jo-të rregullta, përfshirë këtu vetëpunësimin fiktiv dhe kontratat pa orë fikse, si arsyeja për përkeqësimin e kushteve të punës. Këto kontrata kanë dobësuar pozitën ligjore të punonjësve, duke i bërë ata më pak të prirur për të raportuar se janë “jo të aftë për të fluturuar“.
Zembla intervistoi disa pilotë të linjave ajrore low-cost dhe zbuloi një kulturë frike që i pengonte ata të denonconin. Madje, pilotët thanë në program se ka patur raste kur kanë fjetur gjatë fluturimeve. “Në një moment vura re se kisha mbyllur sytë. Kur i hapa, pashë që kolegu im gjithashtu ishte duke fjetur”, u shpreh një pilot.
Transavia mohon se punonjësit e saj kanë frikë të raportojnë se janë shumë të sëmurë ose të lodhur për të fluturuar. “Raportimi i lodhjes, paaftësisë për të fluturar dhe problematikave të sigurisë inkurajohet vazhdimisht”, deklaroi linja ajrore. Transavia gjithashtu tha se shumica e punonjësve të saj kanë kontrata të përhershme punësimi.
EasyJet nuk u përgjigj plotësisht, duke deklaruar se nuk janë të prekur nga këto probleme. RyanAir dhe Wizz Air nuk janë përgjigjur.