Aeroporti i Frankfurtit ka instaluar sistemet biometrike në të gjitha terminalet e tij, me teknologjinë e njohjes së fytyrës që tashmë është implementuar për të gjithë udhëtarët në një prej aeroporteve më të rëndësishme të Evropës.
Kjo teknologji vjen pas testeve të kryera për sistemet biometrike nga Lufthansa dhe Swiss. Ajo i lejon pasagjerëve të kalojnë në çdo pikë të aeroportit – nga check-in, tek kontrolli i sigurisë dhe më pas në imbarkim – thjesht duke skanuar fytyrën e tyre. Teknologjia, e mundësuar nga ofruesi i IT-së SITA dhe integruesi i teknologjisë NEC, bashkon sistemin biometrik të Star Alliance me pikat biometrike në aeroport nëpërmjet platformës SITA Smart Path.
Sipas informacioneve nga vetë aeroporti, udhëtarët që fluturojnë me linjat ajrore Lufthansa, Swiss dhe Austrian Airlines drejt Frankfurtit, mund të regjistrohen 24 orë përpara fluturimit në aplikacionin e linjës së tyre ajrore, si dhe në kioskat e check-in në aeroport, duke përdorur pasaportat e tyre biometrike. Procesi i regjistrimit zgjat vetëm pak sekonda dhe i lejon udhëtarët të kalojnë në pikat e përcaktuara pa shfaqur asnjë dokument fizik.
Deri më tani, sipas të dhënave të aeroportit, ky sistem është përdorur nga më shumë se 12,000 pasagjerë për të kaluar check-in, kontrollin e pasaportave dhe gate-t e imbarkimit.
Sipas Pierre Dominique Prumm, drejtorit ekzekutiv të Aviacionit dhe Infrastrukturës në aeroportin e Frankfurtit, qëllimi është që në muajt e ardhshëm sistemi i identifikimit biometrik të implementohet në të paktën 50% të pikave të kontrollit nëpër aeroport.
Në sondazhin e kryer nga IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror), 46% e pasagjerëve të anketuar kanë përdorur identifikimin biometrik përgjatë 12 muajve të fundit, ndërkohë që 75% e të anketuarëve thonë se preferojnë këtë sistem në krahasim me atë të pasaportave fizike dhe boarding pass.
Prej 4 vitesh, edhe në aeroportin e Rinasit është implementuar tashmë sistemi eGates, i cili, nëpërmjet teknologjisë biometrike, bën verifikimin e boarding pass përpara zonës së kontrollit të sigurisë. Ky sistem është implementuar gjithashtu në seksionin e mbërritjeve, ku udhëtarët në Rinas skanojnë pasaportat dhe fytyrën përpara daljes nga aeroporti.
Si çdo teknologji e re, edhe sistemi biometrik i verifikimit është pritur me skepticizëm nga udhëtarët. Pikëpyetjet e para ngrihen padyshim mbi saktësinë e këtij sistemi në procesimin e të dhënave, si edhe në sigurimin e privatësisë së të dhënave. Ka patur shumë raste në të cilat verifikimi apo kalimi me anë të njohjes së fytyrës, ka qenë më i ngadaltë sesa kontrolli manual nga oficerët doganorë. Megjithatë, në disa raste, problematikat janë krijuar nga vetë udhëtarët, të cilët nuk janë mësuar ende me përdorimin e kësaj teknologjie.
Sa i takon privatësisë, sulmet kibernetike kanë vënë në dukje dobësitë e sistemeve të tjera lidhur me udhëtimin, siç ishte rasti i hakimit të sistemit TIMS në vendin tonë.
A mendoni se sistemet biometrike duhet të implementohen në të gjitha aeroportet, apo është ende herët që të dhënat tona personale t’i besohen sistemeve elektronike?
Burimi: Business Travel News – Përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light