Pas raportimeve gjatë muajit të kaluar se Komisioni Evropian po përballej me vështirësi dhe po planifikonte të shtynte implementimin e sistemit ETIAS, Komisioni Evropian ka njoftuar zyrtarisht në faqen zyrtare të programit se sistemi ETIAS nuk pritet të vijë përpara vitit 2025. Kjo shtyrje është aprovuar nga Këshilli i Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian më 20 tetor.
Në deklaratën e publikuar, thuhet se “plani i ri i për implementimin e arkitekturës së re teknologjike parashikon që ETIAS të jetë gati për të operuar në pranverën e vitit 2025.”
Leja nga sistemi ETIAS pritej të hynte në fuqi në vitin 2021, por u shty fillimisht për nëntorin e 2023-it, përpara se të shtyhej sërish në fillim të 2024-ës. Tarifa për këtë leje planifikohet të jetë €7 dhe do të paguhet nga të gjithë shtetasit që lëvizin drejt zonës Schengen pa viza, përfshirë këtu edhe udhëtarët nga Shqipëria. Kjo leje do të jetë e vlefshme për tre vite, ose deri në datën e skadencës së pasaportës së udhëtarit. Për këtë leje duhet të aplikojnë dhe udhëtarët nën moshën 18 vjeç dhe mbi moshën 70 vjeç, por ata nuk kanë nevojë të paguajnë tarifën.
Përveç sistemit ETIAS, shtetet e Bashkimit Evropian priten të implementojnë gjithashtu edhe Entry/Exit System (EES) gjatë vitit të ardhshëm. Ky sistem do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me një sistem skanimi high-tech. Sipas Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të BE, ky sistem pritet të nisë operimin në vjeshtën e vitit 2024.
Një sistem i ngjashëm me ETIAS pritet gjithashtu të vendoset në Mbretërinë e Bashkuar, ku të gjithë udhëtarët që nuk kanë nevojë të pajisen me vizë duhet të aplikojnë paraprakisht, përpara se të mbërrijnë në Angli. Ky sistem pritet të implementohet në disa faza dhe do të jetë plotësisht operacional në vitin 2025.
Burimi: Travel & Leisure – Përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light.