Me së shumti, kur shkojmë në Pogradec, qëndrojmë tek Hotel Pogradeci 1. Atë fundjavë hoteli ishte plot, ndaj filluam kërkimet. British Hotel na u duk shumë mirë si vendndodhje (në qendër), si edhe dhomat dukeshin të bollshme e të pastra. Zonja që na u përgjigj në telefon kishte komunikim profesional (pas fundjavave në Dhermi/Sarandë/Himarë, e folura e edukuar të duket luks), dhe na komunikoi se për fundjavën tonë kishin bërë një ofertë (standard double room: 3,500L/nata me mëngjes të përfshirë), sepse kishte patur shumë anulime nga moti i paqëndrueshëm.
🏨 Dhomat: hoteli plotësoi pritshmëritë tona, duke patur gjithmonë parasysh raportin çmim/vlerë (3,500L në total). Ishte një hotel për qëndrim të shkurtër dhe praktik në Pogradec. Tualeti kishte nevojë për pak mirëmbajtje, si edhe pjesa e dushit ishte dizenjuar pa ndarëse (pra praktikisht tualeti u bë i gjithi qull kur bëmë dush). Sidoqoftë për 1-2 netë me këtë gjë behet kompromis. Problemin kryesor e patëm me zhurmën. Muret ndarëse të dhomave përconin zhurmën aq sa dëgjoje të qarat e fëmijës nga dhoma tjetër, si edhe në 7 të mëngjesit u zgjuam nga zhurma e karrigeve lart sepse po rregullonin ambientin e mëngjesit.
🍳 Mëngjesi: Tejkaloi pritshmëritë tona. Për çmimin e paguar nuk prisnim shumë, por realisht mëngjesi ishte më i mirë seç na u ofrua tek Hotel Apollon (90€ nata). Kishte cornflakes (për djemtë e mi), petulla, recelëra të ndryshëm, byrek të bërë vetë, vezë e salçiçe. E shijumr. Ajo që më impresionoi ishte stafi, i cili na solli 3-4 lloje glikosh të bëra vetë, për të na sajdisur. E vlerësova shumë (mbase ngaqe glikotë i kam pak merak 😋).
Pra, për ta përmbledhur, nëse keni nevojë për një hotel “budget-friendly”, me vendndodhje vetëm 2 minuta larg qendrës dhe liqenit (gjithashtu stacioni i autobuzit ishte shumë pranë për këdo që nuk ka makinë private), atëherë këtë hotel jua rekomandoj. Nëse doni të shpenzoni më shumë, Pogradeci ofron plot opsione me standard më të lartë.
Sugjerime për menaxhimin:
- I duhet kushtuar pak më shumë kujdes mirëmbajtjes:
- Vezët mos i mbigatuani (është problem i përgjithshëm i hoteleve)
- Me shërbimin vazhdoni kështu 😊