Etika e vendosjes së bagazheve në kabinë gjatë fluturimit

cabin overhead baggage
Photo: Getty Images

Hapësira për vendosjen e bagazheve të dorës në kabinën e avionit është mjaft e limituar, e megjithatë pasagjerët shpesh e vështirësojnë situatën edhe më shumë. Kjo, pasi ka disa rregulla të pashkruara të etikës që duhet ndjekur kur vendosni bagazhet tuaja në kompartamentet mbi sedilje gjatë fluturimit.

Një nga gabimeve kryesore të pasagjerëve është vendosja e sendeve që nuk duhet në kompartamentin e sipërm. Sipas ekspertëve, kompartamentet shërbejnë kryesisht vetëm për valixhet e mëdha që nuk mund të vendosen poshtë sediljes. Ndërkohë, sendet e tjera si çantat e vogla, xhaketat dhe çdo gjë tjetër duhet të vendoset poshtë sediljes përpara, deri në momentin që të gjithë pasagjerët kanë vendosur valixhet e tyre sipër. Gjithmonë duhet të përpiqeni të përdorni kompartamentin mbi sediljen tuaj. Nëse ai është i zënë, përpiquni gjithmonë të vendosni valixhet tuaja sa më pranë drejt fillimit të avionit. Kjo, pasi nëse e vendosni mbrapa, në momentin që zbrisni duhet të shkoni kundër gjithë pasagjerëve të tjerë për të arritur valixhen tuaj. Nëse jeni përballë një situate të tillë, atëherë duhet të prisni që avionic të zbrazet përpara se të merrni valixhen tuaj.

Pasagjerët gjithashtu nuk duhet të presin që stjuardesat t’i ndihmojnë me bagazhet e tyre, përveç rasteve kur ata e kanë të pamundur fizikisht t’i vendosin ato sipër. Vetë stjuardesat thonë se parimi i ekuipazhit të kabinës është: “Bagazhi i pasagjerit është pergjegjësia e pasagjerit”. Sipas tyre, nëse pasagjerët e kanë të pamundur të vendosin bagazhin e tyre, atëherë ata thjesht kanë marrë me vete më shumë se ç’ju duhet për pushime dhe jo vetëm sendet thelbësore që ata mund të mbajnë. Stjuardesat thonë se është një veprim fyes që pasagjerët thjesht të presin që stjuardesat të vendosin valixhet në kompartament. Megjithatë, siç thamë dhe më herët, edhe në këtë rast ekzistojnë përjashtime për pasagjerët që e kanë fizikisht të pamundur të vendosin valixhet e tyre.

Po ju, ku preferoni t’i vendosni bagazhet teksa jeni duke udhëtuar?