Wizz Air prezanton një shërbim të ri për vetëm €2.5. Zbuloni çfarë ofrohet!

Linja ajrore do të ofrojë kompensim për bagazhet e vonuara ose të humbura, por me kosto ekstra

wizz air baggage protection
Photo: Wizz Air

Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë histori për bagazhe të humbura ose të vonuara, për të cilat pasagjerët nuk kanë arritur të marrin kompensimin që iu takon. Me numrin e ankesave që sa vjen e rritet, duke se Wizz Air ka menduar për një zgjidhje alternative, e cila në parim duket mjaft e favorshme për pasagjerët.

Nëse jeni të shqetësuar për sigurinë e bagazheve që keni bërë check-in në fluturimin tuaj me Wizz Air, ju mund të paguani €2.50 për fluturim për “Mbrojtje nga Vonesat e Bagazheve” (Delayed Baggage Protection). Ky shërbim iu jep mundësinë të gjurmoni në kohë reale bagazhet tuaja, si dhe të merrni një kompensim të garantuar prej €300 nëse bagazhet tuaja nuk janë gjetur 96 orë (4 ditë) pas fluturimit. Ky kompensim rritet në €600 nëse keni humbur dy ose më shumë valixhe. Edhe nëse bagazhet tuaja kthehen pas kësaj date, kompensimi mbetet i juaji. Shuma e kompensimit është fikse, pavarësisht se çfarë ndodhet në valixhe, me Wizz Air që thotë se pasagjerët nuk kanë nevojë të kërkojnë faturat për të marrë dëmshpërblim për bagazhet e tyre.

Në teori, shërbimi i ri nga Wizz Air tingëllon mjaft favorizues për udhëtarët. Por, nëse e analizojmë pak më thellë, duket thjesht si një mënyrë e re për të rritur fitimet e kompanisë nga pasagjerët. Kjo, pasi në shumicën e rasteve, bagazhet e humbura i kthehen pronarëve brenda 96 orëve. Pra, ju do të përfitoni nga kompensimi në shumë pak raste.

Në anën tjetër, edhe sikur të mos ekzistonte ky shërbim nga Wizz Air, Konventa e Montrealit garanton kompensim deri në €1,100 për çdo bagazh të humbur dhe çdo shpenzim të nevojshëm deri në kthimin e bagazhit. Në faqen e Wizz Air për këtë shërbim, Konventa e Montrealit nuk përmendet aspak. Pra, duket thjesht si një mënyrë që kompania të nxjerrë disa fitime më shumë nga pasagjerët që nuk janë të njohur me të drejtat e tyre në raste problematikash me bagazhet e tyre. Nuk është e qartë nëse kompensimi i Wizz Air do të ofrohet së bashku me kompensimin që garanton Konventa e Montrealit.

Misioni ynë në Ema’s Light është jo vetëm promovimi i destinacioneve më të bukura, por edhe edukimi mbi të drejtat tuaja në çdo situatë përgjatë udhëtimeve. Në këtë rast, duhet të jeni të kujdesshëm ndaj kostove ekstra, për një të drejtë e cila ju takon edhe pa paguar. Sidoqoftë, zgjedhja për të paguar e për të mos patur kokëçarje me procedurat e kompensimit, ju takon vetëm juve. A mendoni se ia vlen si shërbim?

Burimi: The Independent – Përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light