Përpara dy ditësh, në mediat shqiptare është publikuar një intervistë e presidentit të “Kastrati Group”, i cili deklaronte se po planifikonte të inaguronte së shpejti linjën direkte Tiranë – New York në aeroportin e Rinasit. Në artikujt e publikuar, përmendet se kjo është një “ëndërr të cilën grupi po punon ta bëj realitet në vitin 2025”, duke shprehur kështu ambicien e grupit në pronësi të koncensionit të aeroportit.
Projekti përfshin zgjatimin dhe përmirësimin e pistës së aeroportit, për të siguruar se ajo përmbush standardet për fluturimet transoqeanikë. Sipas z. Kastrati, ky hap mund të sjellë shumë vizitorë nga përtej Atlantikut, si edhe të afrojë Shqiptarët e Amerikës me atdheun. Projekti për përmirësimin e pistës pritet të nisë në dhjetor 2023 dhe do të mbarojë në verën e 2025-ës. Pas inagurimit të pistës, në aeroportin e Rinasit planifikohen të nisin gjithashtu fluturime të tjera drejt SHBA-së dhe Kanadasë. Zgjerimi vjen si rrjedhojë e numrit në rritje të udhëtarëve, të cilët kanë arritur shifra rekord përgjatë vitit 2023. Vetë Kastrati ka pranuar se kjo ka ardhur si meritë e kompanive low-cost por edhe investimeve të grupit.
Sidomos në Shqipëri, publiku i gjerë është përgjithësisht skeptik ndaj projekteve të tilla me përmasa të mëdha si ai i planifikuar nga Kastrati. Një premtim i ngjashëm është bërë edhe më herët nga Kryeministri Rama në Gusht të 2019-ës. Në atë periudhë, kryeministri deklaronte në Facebook se linja direkte Tiranë – New York do të niste operimin së shpejti nga Air Albania nëpërmjet avionit Noli, që do të bëhej pjesë si avioni i katërt në flotën e Air Albania.
Më herët, në Ema’s Light kemi publikuar një artikull që pasqyron listën e plotë të avionëve që janë pjesë e flotave ajrore në aeroportin e Rinasit. Teksa kemi punuar për këtë listë, kemi vënë re se në fakt avioni Noli tip Boeing 737-800 është bërë pjesë e flotës së Air Albania në vitin 2019, por nuk operon më që prej tetorit të 2021-it. Në deklaratën e Kastratit, nuk diskutohet se cili avion do të ndërmarrë këtë fluturim, duke mos aluduar për një rikthim të Migjenit me këtë linjë ajrore.
Duket se ky plan është ende në fazat e tij të para. Për të krijuar një ide më të qartë, na duhet ende të presim për më shumë detaje, por duket se data e propozuar për nisjen e fluturimeve direkte Tiranë – New York është ende një premtim ambicioz.
Po ju, a mendoni se ky plan do të bëhet realitet brenda afatit të premtuar?
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!