Kur jemi duke planifikuar një udhëtim, shpesh herë jemi në dilemë: “Nëse presim edhe pak, a do të rriten apo ulen më tej çmimet e biletave?”
Në fakt, ka shumë faktorë që ndikojnë në çmimin e biletës. Si orientim: periudha më e mirë për të prerë biletat për një fluturim është 1-3 muaj më parë, për fluturimet e distancave të shkurtra dhe 6-8 muaj më parë, për fluturimet e distancave të gjata.
Sistemi i çmimit të biletave të linjave ajrore është shumë i komplikuar dhe çmimet e biletave mund të ndryshojnë papritur, si rrjedhojë e disa rrethanave të jashtme. Këtu përfshihen:
- Itinerari që do të ndiqni: Nëse nuk ka shumë fluturime ndërmjet dy aeroporteve, çmimet e biletave janë më të larta.
- Periudha e vitit: Vera dhe festat janë gjithmonë më të kërkuara dhe çmimet e biletave rriten sa më shumë që afrohet data.
- Eventet e veçanta: Nëse do të shkoni për një festival, event sportiv apo konferencë, çmimet e biletave me shumë mundësi do të rriten me kalimin e kohës.
- Koha kur po prisni biletën: Nëse data që keni planifikuar fluturimin është ende larg, ka shumë mundësi që çmimet e biletave të ndryshojnë. Lëvizjet e çmimit zvogëlohen me kalimin e kohës.
Gjetja e biletave me çmim të mirë është një përzierje e fatit dhe strategjisë. Meqë fatit nuk kemi se çfarë t’i bëjmë 😅, më poshtë do të gjeni disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të prisni bileta më ekonomike.
Sa herët duhet t’i presim biletat?
Periudha më e mirë për të prerë bileta është 1-3 muaj përpara fluturimeve të distancave të shkurtra dhe 6-8 muaj përpara fluturimeve të distancave të gjata. Nëse jeni duke planifikuar një udhëtim në periudhë pushimesh ose nëse në vendin që po vizitoni po mbahet një event i veçantë, (si p.sh.: Lojrat Olimpike 2024 do të mbahen në muajt korrik-gusht në Paris), duhet të planifikoni të prisni biletat tuaja 3-6 muaj më parë.
Në çfarë dite duhet t’i presim biletat?
Thuhet se e marta është dita më e lirë për të prerë bileta. Sipas ekspertëve, nuk ka një ditë jave specifike kur biletat janë më ekonomike, pasi çmimet ndryshojnë ditë pas dite. Megjithatë, thuhet se çmimet e biletave kalojnë një cikël javor, me çmime më të ulta gjatë fillimit të javës dhe çmime më të larta gjatë fundjavës.
Cila është dita më e lirë për të fluturuar?
Pavarësisht distancës së fluturimit, mesi i javës është padyshim periudha më e lirë për të fluturuar. Për këtë arsye, mundohuni që të niseni në fillim të javës, nga e hëna në të mërkurë, dhe të ktheheni më vonë gjatë javës (nga të mërkurën ose të enjten). Fundjava ndërkohë është vazhdimisht më e shtrenjtë sesa pjesa tjetër e javës.
Si të gjejmë ofertat më të mira?
Përveç lëvizjeve të datave, ka plot mjete dhe faqe online që të ndihmojnë të gjesh biletat më ekonomike për të fluturuar. Google Flights ka lançuar së fundmi një veçori të re, që të lejon të shohësh trendet e çmimeve të biletave përgjatë viteve, për të planifikuar periudhën më të mirë për të udhëtuar drejt destinacionit që dëshironi. Për shembull, Google mund t’ju tregojë se çmimet për një fluturim të caktuar ulen rreth një muaj përpara fluturimit, duke ju dhënë indikata që të prisni për të kursyer pak më shumë para.
Mund të përdorni edhe faqe të tjera si Kayak, Skyscanner dhe Momondo, për të gjetur çmime më ekonomike të biletave.
A bien çmimet e biletave në moment të fundit?
Shpesh na duket sikur nëse do të kishim pritur edhe pak, do të kishim patur ndonjë ofertë ‘last minute’. E vërteta është se kjo ndodh shumë rrallë. Ekspertët thonë se zakonisht, 3 javë para fluturimit, çmimet e biletave vijnë vetëm në rritje. Në rast se ka ulje të çmimit, ekziston mundësia që linja ajrore të jetë duke bërë overbook një fluturim dhe rrezikoni të mbeteni pa vend në avion.
Sipas legjendes orari i mbremjes per te prere bilete eshte me i lire se gjate dites 😊