Ja cilat janë pjesët më të pista në kabinën e një avioni

airplane-dirty
Photo: Getty Images

Me dimrin që sa vjen e afrohet, shumë prej nesh po planifikojnë udhëtimet drejt destinacioneve më të preferuara për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit. Midis stresit të çmimeve të larta të biletave dhe vonesave ose anulimeve të fluturimeve, udhëtarët gjithashtu janë duke menduar sesi të qëndrojnë të shëndetshëm dhe të mos sëmuren gjatë udhëtimit.

Një raport i publikuar së fundmi nga Washington Post ka evidentuar disa nga pjesët më të pista në kabinën e avionit, duke publikuar disa rezultate shqetësuese, por jo surprizuese. Ndërkohë, një stjuardesë e një prej linjave ajrore më të njohura në SHBA gjithashtu ka folur për disa prej rasteve më të tmerrshme që ka hasur gjatë punës.

Si fillim, stjuardesa thotë se nëse tualeti i një avioni është i lagur, me shumë mundësi është urinë dhe jo ujë. Prandaj, ajo këshillon që gjithmonë të shkoni në tualet me këpucë dhe jo me çorape (po, ka njerëz që shkojnë me çorape në tualet në fluturime të gjata 🤮).

 Teksa raporti i Washington Post tregon se lavamanët e tualeteve në avionë janë vendi ku mblidhen më së shumti bakteret, stjuardesa shton se duhet të keni gjithashtu kujdes me dorezat e dyerve. Kjo, pasi shumë njerëz nuk i lajnë duart pasi dalin nga tualeti. Megjithatë, këtu ka dhe një problem tjetër, pasi një studim i vitit 2019 nga një universitet në Nju Jork ka evidentuar se uji që përdoret në avion për kafe, çaj dhe lavamanin e tualetit nuk është i shëndetshëm, duke komplikuar edhe më shumë situatën. Për të qënë të sigurt, sigurohuni të përdorni gjithmonë dezinfektant duarsh pasi jeni kthyer nga tualeti.

Nëse jeni në një fluturim të gjatë, me shumë mundësi do të keni një ekran për të parë filma, për të dëgjuar muzikë, ose për të luajtur lojëra. Stjuardesa thotë se këto ekrane nuk pastrohen pas fluturimit, duke bërë që bakteret nga duart e ndryshme që i përdorin të shumohen me kalimin e kohës. Prandaj, mundohuni që ta pastroni ekranin me letër të lagur përpara se ta përdorni.

Një tjetër pjesë e avionit që preket shpesh dhe thuajse nuk pastrohet kurrë është tavolina në sediljen e pasme. Stjuardesa raporton se, përveç rasteve kur derdhet diçka ose dikush vjell në tavolinë, pastruesit nuk i pastrojnë tavolinat ndërmjet fluturimeve.

Ndërkohë, xhepat në pjesën e pasme të sedileve pastrohen vetëm në rast se ka mjaftueshëm kohë ndërmjet fluturimeve. Por, sipas raportit të Washington Post, xhepat janë shumë më të pastër sesa tavolinat e sediljeve.

Stjuardesa gjithashtu tregon edhe për një rast të tmerrshëm gjatë punës. Nëse keni stomak të dobët, do t’ju rekomandonim ta kalonit këtë paragraf. Në një fluturim, një pasagjeri që raportonte që kishte diarre iu ndalua të shkonte në tualet, pasi avioni kishte filluar zbritjen. Në këtë moment, pasagjeri zgjodhi që thjesht të kryente nevojat e tij i ulur në sedilje. Megjithatë, më i tmerrshëm akoma është fakti se, pasi avioni u ul, pastruesit thjesht e pastruan sediljen me leckë dhe nuk morrën asnjë masë tjetër për ta dezinfektuar atë, për shkak të kohës së limituar.

Për të qëndruar sa më të pastër dhe për të mbrojtur veten gjatë fluturimit, gjithmonë mbani me vete letra të lagura antiseptike dhe dezinfektant duarsh. Kini parasysh që gjithmonë të fshini tavolinën, si dhe ekranin në sediljen përpara. Një tjetër masë për të mbajtur bakteret dhe viruset larg është përdorimi i maskës gjatë fluturimit, e cila shërben si një barrierë ekstra për të mos prekur hundën dhe gojën. Gjithashtu, mos harroni të lani duart sa herë përdorni tualetin.

A e mendonit ndonjëherë se avionat mund të ishin kaq të pisët? Çfarë masash merrni për të mbajtur ambjentin rreth jush të pastër kur fluturoni?