Kush nuk do të donte të jetonte në Itali, Spanjë apo mes Alpeve Zvicerane? Tani kjo ka një zgjidhje! Disa qyteza evropiane po përballen me plakjen e popullsisë. Të rinjtë zgjedhin të largohen në qytete metropolitane, apo vendosin të mos kenë shumë fëmijë. Si zgjidhje, disa autoritete vendore kanë menduar të stimulojnë të huajtë për të jetuar dhe për të ngritur bizneset e tyre në ato vende. Madje, disa pagesa shkojnë deri në €80,000! Më poshtë do të gjeni një listë të shteteve që e ofrojnë këtë mundësi, si edhe kriteret që duhet të përmbushen.
Albninen, Zvicër
Fshati Albinen ndodhet në alpet zviceriane dhe momentalisht ka më pak se 250 banorë. Për të rritur popullatën, komuna po i ofron familjeve mbi €50,000 për të jetuar në Albinen. Fshati piktoresk ndodhet në kantonin Valais dhe më pak se një orë larg gjendet resorti i skive Verbier, të cilin e kanë zgjedhur për të pushuar më parë Barack Obama, Leonardo di Caprio, Prince Harry, Nick Jonas e shumë personazhe të tjerë të njohur. Pagesa është 25,000CHF (rreth €25,300) për të rriturit nën moshën 45 vjeç, si dhe 10,000CHF (€10,120) për çdo fëmijë.
Megjithatë, kushtet për të përfituar nga kjo mundësi janë pak të vështira për t’u plotësuar. Për të përfituar nga ky bonus, fillimisht duhet të keni pasaportë zvicerane ose të keni jetuar në Zvicër mjaftueshëm sa për të marrë një leje qëndrimi të tipit C. Aplikantët gjithashtu duhet të jetojnë në një shtëpi që kushton të paktën 200,000CHF (€202,310) dhe të jetojnë të paktën 10 vite në Albinen.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar aplikantët, teksa autoritetet shprehen se marrin deri në 100 kërkesa në ditë.
Ponga, Spanjë
Ponga është një qytezë në veriperëndim të Spanjës me rreth 600 banorë. E ndodhur midis maleve në një rezervat natyror të mbrojtur nga UNESCO, vetëm një orë larg disa prej plazheve më të bukura të Asturias, autoritetet e Pongas po paguajnë çdo person rreth €2,900 për t’u zhvendosur aty. Përveç kësaj, çiftet do të marrin edhe €2,900 për çdo fëmijë që lind në Ponga. Megjithatë, kushti për të përfituar nga kjo mundësi është që duhet të jetoni në Ponga për të paktën pesë vite.
Rubia, Spanjë
Fare pranë Asturias, në veri të Portugalisë, fshati Rubia ofron peizazhe mahnitëse të maleve. Por jo vetëm kaq, pasi për të rritur numrin e fëmijëve në shkollat e fshatit, autoritetet po ofrojnë €150 në muaj për çdo emigrant që zgjedh të jetojë në këtë fshat.
Kalabria, Italy
Rajoni i Kalabrisë, ndryshe i njohur si taka e çizmes së Italisë, po i ofron personave që zgjedhin të jetojnë në qyteza me më pak se 2000 banorë, shpërblime deri në €28,000, me qëllim luftimin e shpopullimit të fshatrave. Personat e interesuar duhet të jenë më pak se 40 vjeç dhe të jenë të gatshëm për t’u zhvendosur brenda 90 ditëve nga momenti i aprovimit të aplikimit. Gjithashtu, ata duhet të hapin një biznes ose të punësohen në një sektor që ka nevojë për punonjës. Këtu përfshihen restorantet, hotelet, shtëpitë e pushimit dhe dyqanet.
Por, siç thotë dhe kenga: “Vajta kalova gjithë Kalabrinë, askund nuk gjeta si Shqipërinë…”
Sardenja, Itali
Nëse ju pëlqejnë plazhet e bukura, ishulli i Sardenjës po i ofron personave të interesuar €15,000 për të jetuar në qytezat e fshatrat e tij. Nga ky shpërblim do të përfitojnë 3000 aplikantë. Aplikantët e pranuar duhet të zhvendosen në bashkitë dhe komunat e Sardenjës ku banojnë më pak se 3000 njerëz. Gjithashtu, paratë e përfituara nga ky grant duhet të përdoren për të blerë ose rinovuar shtëpitë ekzistuese. Granti nuk mund të mbulojë më shumë se gjysmën e kostove totale të blerjes apo riparimit të banesës. Pra, nëse i gjithë investimi kushton më pak se €30,000, shuma e përfituar do të jetë më e vogël se €15,000. Si përfundim, përfituesit duhet të regjistrohen si banorë të përhershëm të Sardenjës, brenda 18 muajve nga mbërritja në ishull.
Një tjetër iniciativë në Sardenjë vjen nga komuna Ollolai, e cila, pavarësisht kushteve të mësipërme, mirëpret personat që punojnë nga shtëpia, duke i ofruar t’ju mbulojë shpenzimet e qirasë për 3 muaj.
Irlanda
Irlanda po ofron shpërblime të majme për personat që duan të jetojnë në ishujt e izoluar të vendit. Kjo iniciativë është pjesë e politikave të qeverisë për të rritur popullatën e 30 komuniteteve në ishujt që nuk janë të lidhur me ura. Si pjesë e këtij projekti, qeveria do t’i japë personave të interesuar €80,000 për të jetuar në këto ishuj. Si kusht, ata duhet të blejnë në ishull një shtëpi të ndërtuar përpara 1993, të boshatisur prej 2 vitesh, dhe të jetojnë aty.
Si ju duken stimujt e mësipërm? A do e linit rezidencën aktuale, për të jetuar në një nga këto zona?
Burimi: Euronews – Përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light