//

3 ditë në Siçili: Itinerari i plotë

sicily itinerary

Cila është gjëja e parë që ju shkon në mend, kur imagjinoni Siçilinë? Mos më thoni: “mafja” 😅

Në fakt, Siçilia është vend unik! Ishulli është pushtuar nga shumë popuj të ndryshëm (arabë, grekë, romakë, etj.), por edhe ndikimi arbëreshë, i ka dhënë kulturës së këtij ishulli shumë larmshmëri, një kulinari të pasur e shumë gjallëri (eh, bërtasin më shumë se ne) 😄

Me ushqimin u mahnita! Ndaj unë kur mendoj Siçilinë, më del përpara cannoli, arancini, granita 🙈

sicily cannoli

Si të mbërrini?

Fluturimet direkte nga Tirana drejt Siçilisë ofrohen nga Wizz Air në linjën Tiranë – Katania. Biletat kanë çmime goxha të mira, pasi zakonisht kushtojnë rreth €40 / biletë bazë.

Ju mund të fluturoni gjithashtu drejt aeroportit të Palermos në Siçili, por për momentin nuk ka asnjë fluturim direkt nga Tirana drejt këtij aeroporti.

sicily plane

Si të udhëtoni brenda Siçilisë?

Edhe pse në Siçili ka një rrjet transporti të konsoliduar me mjaft mbulim, shpesh ka vonesa dhe anulime. Për këtë arsye, për të shfrytëzuar maksimalisht kohën, morrëm makinë me qira.

Kompania që zgjodhëm ishte Sicily by Car: €100/dita, praktike dhe ekonomike. Mund të rezervoni këtu.

Ku të qëndroni në Siçili?

Taormina është një prej qyteteve më të vizituara në Siçili dhe rrjedhimisht ishte dhe pika kryesore ku ne kaluam më shumë kohë në këtë udhëtim. Megjithatë, hotelet brenda qytetit janë shpesh të shtrenjta dhe të mbivlerësuara. Për këtë arsye, vendosëm të qëndronim në Giardini Naxos, rreth 15 min larg Taorminës.

UNAHOTELS Naxos Beach Sicilia: dhomë çift, €150/nata. Hoteli që zgjodhëm është rrjet i njohur. Është hotel relativisht i vjetër, por ka çdo gjë për ta bërë qëndrimin mjaft të rehatshëm. Mund të rezervoni këtu.

Çfarë të bëni në Siçili?

Dita 1: Giardini Naxos & Taormina

Sapo mbërritëm në aeroport dhe morrëm makinën me qira, u përfshimë nga gjallëria që të ofron Siçilia. U nisëm drejt Giardini Naxos, një fshat i ndodhur ndërmjet brigjeve të Mesdheut dhe Vullkanit Etna. Ndoqëm rrugën piktoreske buzë detit dhe arritëm në hotel. Pasi u akomoduam, u çlodhëm duke shijuar disa arancini në breg (pa ditur se sa të tjera do të pasonin). Më pas u drejtuam për Giardini Naxos, për të eksploruar vendin e për t’u përgatitur për drekën (e majme). 

giardini naxos sicily

Jeta në Giardini Naxos është e përqëndruar në shëtitoren e qytezës. Plazhi ranor ndodhet buzë lungomares, duke e bërë një opsion mjaft komod. Duke qënë se arritëm rreth orarit të drekës dhe restorantet italiane mbyllen në orën 14:30-15:00 për t’u rihapur në mbrëmje, gjetëm vend tek Mister Fantasy. Vështirë të mos kënaqesh me ushqimin në Siçili, qoftë ky edhe në një restorant të rastësishëm. Nuk di ç’pjatë të rekomandoj më parë, por di që toni në Siçili ka shije të mrekullueshme, vera e sugjeruar nga e zonja e restorantit ‘Etna Rose’ ishte e freskët e aromatike, ndërsa cannoli-t nuk mund të harrohen si ëmbëlsirë. Çmimet ishin shumë të arsyeshme: €117 për katër persona. 

Mbrëmjen kishim planifikuar ta kalonim në Taormina, qytet i vendosur në një kodër me pamje mahnitëse nga deti Jon, duke përfshirë edhe malin ikonik Etna. Zemra e Taorminës është qendra historike, me rrugë të ngushta me kalldrëm të mbushur me turistë, me një arkitekturë të veçantë dhe një mori dyqanesh, kafenesh dhe restorantesh plot e përplot ngjyra. Lëngu i shegës së shtrydhur që shitej në shumë pika, ngjyra e limonëve apo portokalli ‘arancini’, koka e Meduzës apo ‘teste di Moro’, ishin vetëm disa nga detajet përhumbëse të shëtitjeve nëpër rrugica. Problemi kryesor në Taormina, mbetet parkimi. Ndaj, kujdesuni të parkoni në një nga godinat shumë-katëshe dhe eksploroni vendin në këmbë. 

taormina sicily night

Për të darkuar në Taormina, kishim rezervuar paraprakisht në Vineria Modi, një restorant Michelin BiB Gourmant, në qendër të qytetit. Shërbimi ishte tejet profesional. Fillimisht u pritëm nga një ndihmëse, e cila na prezantoi personat që do të vizitonin tavolinën tonë: kamarierin kryesor, sommelierin dhe një ekspert i cili shpjegonte historinë dhe procesin e prodhimit të brumërave dhe të vajit të ullirit. E të mos flasim pastaj për pjatat… Porosita buttoni, të cilat ishin padyshim pastat më të veçanta që kam provuar në jetën time! Të bëra me dorë me 30 të verdha vezësh, të mbushura me krem djathi Ragusa Cacciocavallo dhe të shoqëruara me ragu, në momentin që i haje ishin një shpërthim shijesh i papërshkrueshëm. Edhe çmimet nuk ishin shumë më shtrenjtë se disa prej vendeve më me emër në vendin tonë. Nëse jeni duke vizituar Siçilinë, më besoni që duhet të rezervoni me patjetër e do të më kujtoni!

Dita 2: Marzamemi, Sirakuza dhe Castelmola

Nga Giardini Naxos, udhëtuam drejt jugut për në Marzamemi, rreth 1 orë e gjysmë larg. Ky fshat i vogël me rrugicat klasike me kalldrëm ishte vendi perfekt për kafen, aperitivin dhe shëtitjen e mëngjesit. Si padashur, këtu gjetëm një dyqan në dukje të rëndomtë, i cili gatuante në mënyrë artizanale arancini, cannoli dhe disa biskota me bajame fantastike!

Marzamemi Sicily
Marzamemi ishte vendi perfekt për kafen dhe shëtitjen e mëngjesit

U nisëm drejt Sirakuzës, një tjetër qytet mjaft popullor buzë detit. Shëtitëm në rrugicat e qendrës historike të qytetit, përpara se të niseshim drejt një paninerie që na e kishin rekomanduar më herët. Caseificio Borderi ndodhej në një treg ushqimor, i cili në momentin kur arritëm ishte mbyllur dhe pak pis (pak në këtë rast është kompliment 😅). Megjithatë, paninet e bollshme e të shijshme, lulet e muret plot ngjyra të ndezura dhe menutë e prezantuara në mënyrë fantastike më bënë ta harroj komplet, duke marrë vetëm kujtime të bukura nga Sirakuza!

Destinacioni i kësaj mbrëmje ishte Castelmola, një fshat malor pranë Taorminës, i njohur për verën aromatike me bajame dhe torroni, një ëmbëlsirë tradicionale. Këtu, si padashur, patëm një “surprizë” të papritur! Teksa po shëtisnim pranë Duomos, na zuri syri Bar Turrisi. Në fillim, vëmendjen ta tërhiqnin çadrat e kuqe në ballkon, por, sapo hapje derën, kuptoje që ky vend kishte një tematikë mjaft specifike… kartëvizita e barit flet vetë 😅

Castelmola sicily
Vera me bajame ishte pija tradicionale e Castelmola
bar turissi castelmola
Shhh... mbani larg fëmijët! 🤭

Dita 3: Vullkani Etna, Taormina dhe Catania

Një udhëtim në Siçili nuk ka si të jetë i plotë pa një vizitë në Vullkanin Etna. Vetëm duke u ngjitur e kuptoje sesa të vegjël e të pafuqishëm jemi përpara natyrës. Vetë vullkani kishte një terren tërësisht ndryshe, si të ishe në hënë. Nëse jeni aventurierë, mund t’i bashkoheni një guide dhe të ngjiteni në vullkan. Megjithatë, unë nuk shquhem as për trime e as për atletike, prandaj arritëm deri në 2500m lartësi.

vullkani etna
Nëse jeni aventurierë, mund të merrni një guidë për t'u ngjitur më tej në vullkanin Etna
shepherd etna volcano
Ky zotëri krijonte suvenire me gurë nga vullkani

Përpara se të largoheshim, vendosëm të vizitonim dhe njëherë Taorminën, kësaj rradhe gjatë ditës. Kishim planifikuar të hanim një drekë pranë Ristorante Le Naumachie, por arritëm shumë vonë dhe e gjetëm të mbyllur. Në këtë rast, e zëvendësuam me Granduca, i cili të them të drejtën nuk më la ndonjë përshtypje të veçantë. Të paktën pamja nga deti ishte mbresëlënëse.

Përpara fluturimit, për të shuar kuriozitetin, vendosëm të eksploronim pakëz edhe qytetin e Katanias, i cili është i dyti më i madh pas Palermos në Siçili. La Pescheria, markata e peshkut, të priste vrullshëm me rrëmujën e gjallërinë e saj, ndërkohë që në qytet mund të gjeje shenja të arkitekturës baroke, tregues të historisë së pasur të Katanias.

Catania Sicily

Miq, si nuk e kisha vizituar më parë Siçilinë? Kam kaq vite që e kam në listën e vendeve ku kam dashur të shkoj dhe e kam shijuar në maksimum çdo pjesë të udhëtimit tim! Me kontraste të mëdha: nga ngjyrat e ndezura në çdo mur e dyqan, e deri tek plehrat hedhur shpengueshëm në disa pjesë të ishullit, kjo anë e Italisë, premtoj që do t’ju bëjë të riktheheni…