Kryqëzimet e jetës, janë ndonjëherë kaq paradoksale…Nuk do të ma kishte marrë mendja kurrë, që një vajzë bjonde flokëgjatë, të cilën e takoja shpengueshëm në ashensor, do të ishte një person që do të më hidhte poshtë disa dogma…
Matilda, ose Mati siç e thërrasin miqtë, është një vajzë me të cilën jeta më ka takuar më parë. E ndërkohë që mund të na kishin lidhur shumë më tepër dinamika në jetën “reale”, mënyra se si ne të dyja e njohëm më shumë njëra tjetrën, ishte pikërisht jeta virtuale. E nëse për mua pandemia ishte një mundësi për të krijuar një faqe, nga ku do të hiqja mendjen nga ankthi që më kish kapluar, si një nënë e pagjumë e dy fëmijëve të vegjël; për Matin, pandemia ishte periudha në të cilën jeta e saj “mori rrokullimën”. Kështu shprehet ajo vetë, në faqen e saj të instagramit “Rreze Rozë” – një faqe krijuar posaçërisht për një komunitet vajzash, të cilat duhet të kuptojnë që në këtë botë, nuk po luftojnë të vetme.
Rreze Rozë, më hodhi poshtë besimin që kisha krijuar se rrjetet sociale nuk janë gjë tjetër, veçse një mediokritet. Në fakt, JO! Rrjetet sociale më bënë të njoh botën e brendshme të një vajze që takoja shpengueshëm dikur…
Unë njoha Matin, kur ajo tashmë nuk ishte as bjonde e as flokëgjatë. Unë njoha një vajzë me një forcë karakteri të jashtëzakonshme, me një fisnikëri për të përballuar luftën ndaj kancerit të gjirit, e me një vullnet të cilin ajo vetë nuk pranon se e ka. Ndihem mirënjohëse, që Mati mori kohë për këtë intervistë, të cilën enkas nuk e zhvilluam në muajin tetor.
Tetori rozë është muaj ndërgjegjësimi dhe shërben për parandalim. Por, ç’ndodh pasi kuptojmë që jo çdo gjë mund të parandalohet?
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
1. Historia e diagnostikimit:
Ema: Mati, a mund të na tregosh një fragment nga fillimi i rrugëtimit tënd me këtë sëmundje, sikundër ka qene ekzaktësisht vetëm dy ditë, përpara se Shqipëria dhe e gjithë bota të karantinohej për shkak të pandemisë globale Covid–19?
Mati: Po bëhen pothuajse 4 vite nga ai moment, megjithatë shumë detaje i kam të gdhendura shumë pastër në memorien time.
Kisha pak kohë që doja të bëja një kontroll për shkak të gjendrës që kisha vënë re dhe kisha lënë takim për në datën 10 mars.
Një datë e zgjedhur me qëllim nga ana ime, pasi në 7 mars ishte 1 vjetori i vajzës dhe duke qënë se kisha një lloj ankthi për atë kontroll, doja të festoja ditëlindjen e vajzës në paqe, gëzueshëm për të gjithë familjen.
Ndërkohë të hënën, në datën 9 mars u shpall zyrtarisht rasti i parë në Shqipëri me COVID-19.
Pavarësisht se situata ishte shumë alarmante në atë kohë dhe gjithë panik, prapë e mora guximin ta bëja atë kontroll sepse kisha një parandjenjë të çuditshme.
2. Perceptimi Ndaj Udhëtimeve:
Ema: Në këtë komunitet, me rreth 70% femra, ne ndajmë të gjitha një pasion të madh për të udhëtuar. Për ty, udhëtimi është bërë një domosdoshmëri, pasi je shpesh jashtë Shqipërisë për të ndjekur gjendjen shëndetësore. Si ndryshoi perceptimi yt ndaj udhëtimeve? Të ka shkuar ndonjëherë në mendje të bësh ndonjë ‘çmenduri’ me bileta avioni? 😊
Mati: Jam apasionuar pas udhëtimeve që në vegjëli.
Kam udhëtuar për herë të parë pa prindërit, vetëm me motren time më të vogël, që në moshën 9 vjeçare për në një kamp veror në Selanik. Ishte viti 1996. Vetëm tani kuptoj se sa të guximshëm kanë qenë prindërit që na kanë lënë vetëm, edhe pse me shoqërues Shqiptar por gjithmonë ua kemi përmendur që ka qenë një nga dhuratat më të bukura që na kanë bërë në jetë. Aty lindi dashuria e përjetshme për udhëtimet dhe gjithë jetën time çdo lekë që fitoja e investoja pikërisht për këtë qëllim. Perceptimi për udhëtimet (veçanërisht ato me avion) ndryshoi shumë gjatë pandemisë.
Kjo jo vetëm për shkak të arsyes së udhëtimit por edhe prej vet Covid-it. Duhet të mbaje maskë, të qëndroje pa ajër të freskët gjatë nëpër aeroporte, avion, mjete të transportit publik, të kishe me vete 100 dokumenta etj. Megjithatë për mua ishte një privilegj të mund të udhëtoja në një kohë kur të gjithë kishin shumë kufizime dhe pavarësisht gjendjes sime shëndetësore, çdo rast që udhëtoja mundohesha të vizitoja një vend të ri.
Çuditërisht biletat ishin shumë ekonomike për shkak të numrit të ulët të pasagjerëve, megjithatë duke qenë se udhëtoja shumë shpesh mësova se si të mos shpenzoja më lekë për të rezervuar një vend të caktuar në avion, se si të udhëtoja vetëm me një çantë shpinë duke marrë me vete gjërat bazike, madje si të gjeja dhe çmimet më të mira duke rezervuar minimalisht 2-3 javë më parë. Ka pasur raste që kam prerë bileta për udhëtime me mikeshat e mia dhe më janë djegur për shkak të të rejave në gjendjen time mjekësore, por ama janë gjëra që do i bëja sërish, gjithmonë, pasi njeriu nuk duhet të heqë asnjëherë dorë nga ëndrrat.
Lexoni më shumë:
3. Mitet e Sëmundjes:
Ema: Më ka bërë përshtypje një frazë nga historia jote, ku thua se është një mit të mendosh se kanceri i gjirit nuk prek nënat që ushqejnë me gji. A mund të na japësh më shumë informacion rreth miteve të shumta që qarkullojnë për këtë sëmundje?
Mati: Ka shumë mite mbi kancerin e gjirit në fakt. Arrin t’i identifikosh vetëm pasi je diagnostikuar dhe i ke hyrë thellë leximit mbi të.
Kanceri jo vetëm që mund të prekë nënat në gjidhënie, por mund të prekë dhe gratë shtatzëna për shkak të ndryshimeve hormonale.
Nuk preken vetëm mosha të mëdha por fatkeqësisht edhe adoleshente.
Mund të prekë jo vetëm femrat por edhe meshkujt.
Nuk është e thënë që të jetë një sëmundje gjenetike, mund të shkaktohet edhe nga stili i jetesës dhe shumë faktorë të jashtëm si ndotja, stresi, duhani, alkooli, ushqimet e procesuara etj.
Fatmirësisht këto informacione kanë filluar të shpërndahen nga shumë njerëz falë rrjeteve sociale dhe ndaj shpresoj që të gjithë të ndërgjegjësohen dhe të mësojnë nga gabimet/disfatat e të tjerëve si dhe mësimet që ata kanë marrë.
4. Ndikimi në Familje:
Ema: Ne nënat pasi bëhemi me fëmijë, nuk kemi më frikë për vete. Frika më e madhe, është të mos jemi mjaftueshëm pranë të vegjëlve tanë. A ka perceptuar vajza jote ndonjë ndryshim në jetën e saj përgjatë kësaj periudhe? Si ke arritur ta menaxhosh?
Mati: Vajza ime ishte shumë e vogël në momentin që unë u diagnostikova dhe ajo që mendoja, shpresoja, por që ma thonin dhe të tjerët, ishte fakti se të paktën nuk do mbante mend gjë. Isha në gjidhënie dhe e ndërpreva brenda ditës sapo bëra diagnozën, ndaj po, ndikoi në jetën e saj. Rënia e flokëve nga ana tjetër personalisht më bezdiste shumë dhe nga çfarë kam dëgjuar nga nëna të tjera me fëmijë më të rritur në moshë, ju ndikon shumë edhe atyre.
Nga ana tjetër, në fillim të ndryshimit të linjës së terapisë dhe kalimit në Itali, më është dashur të qëndroj pothuajse 3 muaj larg saj dhe patjetër që edhe kjo ka ndikuar te vajza.
Megjithatë, jam munduar dhe mundohem çdo ditë tja shpreh se sa e rëndësishme, se sa magjike dhe se çfare dhurate e mrekullueshme është për mua.
Për të mos ndikuar shumë në jetën e saj jam munduar që të jem sa më e fortë, sa më optimiste, të vazhdoj jetën normalisht, me punën, me aktivitetet e tjera të përditshme. Kemi shijuar shumë momente të bukura dhe pushime bashkë familjarisht që falë dhe fotografive, videove, do të mbeten kujtim.
5.Vakumet e Mjekësisë Shqiptare:
Ema: Mati, ti shkon në Itali për trajtim. A mund të na tregosh pa doreza se çfarë i mungon mjekësisë shqiptare për të mbështetur rrugëtimin tënd?
Mati: Në rastin tim, duke qenë se sëmundja është kapur në fazë të avancuar, për fat të keq Shqipëria nuk të ofron dot shumëllojshmëri në linjën e trajtimeve apo testimet klinike më të fundit në botë. Kjo ka qenë arsyeja pse une zgjodha të merrja një opinion të dytë në Itali, e më pas të vazhdoja trajtimin aty për shkak të opsioneve që më dhanë.
Shqipëria ka bërë disa avancime në këtë fushë, por ajo që mendoj sinqërisht se ka nevojë për përmirësim është logjistika, një database i mirëfilltë me të dhënat për secilin pacient dhe vëmendja, koha që i dedikohet secilit pacient për ta suportuar në 360 grade në nevojat që ka.
6. Reagimi i Mediave Sociale:
Ema: Kushdo që ka një faqe publike në Instagram, përballet ndonjëherë me kundërshtime. A ke hasur raste kur dikush të është kundërvëvë për një pikëpamje të caktuar?
Mati:Ka pasur shumë pak raste të tilla të them të vërtetën, më tepër për këndvështrimet e mia mbi ushqyerjen apo mbështetjen e organizatave jo qeveritare që ndjekin kauzën e kancerit të gjirit.
Megjithatë, kur hapa faqen jam surprizuar nga mbështetja dhe dashuria që më transmetuan të gjithë.
Nuk i vë aspak faj dhe atyre që kanë frikë të më ndjekin apo të mos besojnë në ato që them. Kjo është një sëmundje shumë e vështirë dhe kryesisht audienca ime është ajo që për fat të keq është hasur në jetë me të dhe ka nevojë të ndajë eksperiencat e të marrë një opinion për situatën në të cilën ndodhet. Nga ana ime ndërkohë jam munduar të mos fokusohem vetëm te pjesa e vështirë e medaljes por të nxjerr në pah dhe anët e mira, sepse më besoni, kjo sëmundje të bën ta vlerësosh më shumë jetën dhe gjërat e vogla. Pra, ka dhe anë të mira.
7. Rritja e Ndërgjegjësimit:
Ema: Blogu yt synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit. Si e ke formësuar misionin tënd të advokimit? Jam e bindur se ti ke dhënë shumë nga vetja në këtë aspekt.
Mati: Blog-u u hap 1 vit pas diagnozës. Arsyeja fillestare ishte se në momentin kur unë vetë u diagnostikova, nuk gjeta asnjë person online në Shqipëri që të flisja, të shihja etapat, të informohesha mbi atë që më priste. Ishte dhe pandemi dhe nuk mund të kisha as kontakt fizik me pacientët në QSUT.
Nga ana tjetër, në atë moment që e hapa faqen unë ndihesha më mirë, kisha goxha përmirësim në gjendjen fizike dhe ndihesha plot emocionalisht, e rrethuar me dashuri, me fat, e lumtur edhe pse isha ende e pashëruar. Doja të jepja pak shpresë te pacientet e tjera se diagnostikimi me kancer nuk është fundi i jetës, se jeta vazhdon pavarësisht vështirësive por që është shumë e rëndësishme të mundohesh të mbash një qëndrim pozitiv dhe të jesh optimiste dhe të shijosh çdo gjë të vogël. Çdokush duhet të gjejë forcën brenda vetes dhe ta jetojë jetën pa e menduar se kur do përfundojë sepse askush nga ne nuk e di. Jemi të gjithë të përkohshëm në këtë botë dhe çdo ditë është dhuratë.
8. Terapitë Jo-Konvencionale:
Ema: Mati, a ke patur ndonjë përvojë në lidhje me terapitë jo-konvencionale për trajtimin e kancerit të gjirit? A mendon se funksionojnë?
Mati: Po, kam pasur përvojat e mia dhe jam e sigurt që funksionojnë. Dhurata e parë që më bënë mikeshat e mia sapo e morën vesh për sëmundjen ishin disa seanca terapie holistike, spirituale që më kanë ndryshuar jetën dhe që brenda meje besoj se patën një efekt magjik. Si në këndvështrimin për veten, jetën, sëmundjen, ashtu edhe në aftësinë për ta përballuar më lehtshëm kemioterapinë dhe atë gjendje fillestare psikologjike në të cilën ndodhesha. Nga ana tjetër, kam besuar dhe vazhdoj të besoj në fuqinë e suplementeve, çajrave/erëzave, ushqimit të duhur. E dashuroj natyrën dhe mendoj se tokëzimi, qëndrimi në natyrë, pranë ujit, kanë shumë efekt në gjendjen time psikofizike. Nga ana tjetër, meditimi, vizualizimi, afirmimet, kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit dhe më kanë ndihmuar në mbajtjen e një qëndrimi pozitiv. Madje brenda meje vizualizimi besoj se më ka ndihmuar në shërimin e një prej metastazave. Duhet vetëm të kesh besim dhe durim për ti ndjekur dhe funksionojnë, do ja rekomandoja të gjithëve.
9.Mësimet e nxjerra:
Ema: E për të përmbyllyr këtë intervistë kaq të vyer, çfarë këshille do i jepje femrave të tjera udhëtim-dashëse, të cilat përballen me sfida shëndetësore ose pengesa në ndjekjen e pasionit të tyre për eksplorim?
Mati: Kam disa këshilla në fakt, bazuar në eksperiencën time të deritanishme.
E para, ëndërroni për vendet që doni të vizitoni në jetën tuaj. Është një lloj terapie që personalisht më bën të lumtur. Të di që kam një qëllim, që kam diçka që me zor e pres dhe ma mban vëmendjen te gjërat e bukura të jetës. Bëni një listë me destinacionet kryesore që doni të shihni dhe fillojeni me të parin, bëni një plan pavarësisht nëse e realizoni apo jo. Vizualizoni dhe manifestoni sikur jeni atje dhe ndjeni kënaqësinë e realizimit të ëndrrës tuaj. Mendja është e jashtëzakonshme, vetëm duke e menduar diçka të bukur ndihesh më e lumtur.
E dyta, nëse vendi që doni të vizitoni kërkon shumë lekë apo energji dhe nuk besoni se mund t’ja dilni, ndërrojeni me një tjetër vend nga lista juaj që është më i realizueshëm ose me një vend tjetër afër jush që nuk e keni parë ende. Në fund të fundit, rëndësinë kryesore nuk e ka destinacioni por eksperienca, përvoja e re, kujtimet me njerëzit e zemrës.
E treta, nëse keni mundësi zëvendësoni fluturimet me avion me ato me makinë private. Vendet e mbyllura me shumë njerëz mund të ndikojnë në dobësimin e sistemit tuaj imunitar dhe nuk do e rekomandoja, ose të paktën mbani maska në ambjentet e mbipopulluara.
Së fundmi, besoni që mund t’ja dilni dhe e sigurtë që do ja dilni dhe do e kujtoni gjithë jetën atë moment. Shijoni çdo moment të mundshëm si të ishte i fundit! Çdo ditë është një dhuratë!