5 destinacionet më të mira evropiane për pushime familjare

Nëse po planifikoni pushimet familjare dhe po kërkoni vende sa më interesante si për ju ashtu edhe për fëmijët tuaj, mos u lodhni më! Ne tek Ema’s Light kemi menduar t’jua lehtësojmë punën. Kemi kuruar një listë të pesë qyteteve fantastike në Evropë ku të gjithë mund të shijojnë nga pak. Nga rrugët magjepsëse të Veronës, në kulturën e gjallë të Barcelonës, deri tek hekurudha e vogëlushëve në Budapest, çdo destinacion ofron një përzierje unike të historisë, kulturës, dhe aktiviteteve familjare.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

1. Verona, Itali

Qyteti i një prej dashurive më të mëdha të të gjitha kohërave – ajo e Romeos dhe Zhulietës – duket se ofron më shumë përtej romancës. Nëse po planifikoni një udhëtim me vogëlushët tuaj, ndalesa juaj e parë duhet të jetë Gardaland. Një park lojërash ideal për fëmijët, por edhe argëtues për të rriturit. Për më shumë informacione rreth biletave dhe hotelit të resortit Gardaland mund të klikoni këtu.

Nëse do t’ju dali koha t’i shpëtoni këtij labirinthi argëtues lojërash, atëherë, mund të vizitoni edhe këto pika turistike: Shtëpinë e Zhulietës, Kopshtin Zoologjik, Arenën e Veronës, dhe Piazza delle Erbe. Nga ky i fundit mos u largoni pa provuar akulloren! 😊

2. Puglia, Itali

Për të mos ikur larg shijes së akullores, dhe erës së limonave, ju mund të shkoni me të vegjlit tuaj në Puglia. Me ardhjen e verës, sugjerimi i parë do të shkonte për plazhet e kristalta me rërë të butë si: Pogliano a mare, Baia Verde, Torre dell’Orso. Për një aventurë pakëz më ekzotike, shtoni në listë Zoosafari Fasonlandia. Konsideruar si kopshti i dytë më i madh zoologjik në Evropë, ky vend është shtëpia e mbi 200 lloje speciesh.

Dhe për ndalesën tuaj të fundit si për fëmijë ashtu dhe të rritur mund të shijoni copëza historie tek Castel del Monte.

3. Barcelona, Spanjë

Me shumë mundësi mendimi i parë shkon drejt plazheve, sangrias dhe festave nën diell kur përmendet Barcelona. Megjithatë, qyteti ofron diçka edhe për më të vegjlit tuaj. Eskplorimi mund të nisi nga Park Güell, një nga pikat turistike më te bukura të qytetit. Kreativiteti i arkitektit të famshëm Antoni Gaudí, përziehet lehtësisht me natyrën, duke dhënë ndjesinë e një parku përrallash.

Po këtë ndjesi magjike fëmijët mund ta përjetojnë tek Akuariumi i Barcelonës. Dhe ndalesa e fundit, por jo nga rëndësia është Parc de la Ciutadella. Fëmijët mund të argëtohen në parkun e lojërave, mund të merrni barka me qira, apo të vizitoni kopshtin zoologjik.

bucharest romania

4. Bukuresht, Rumani

Si një nga opsionet më ekonomike, Bukureshti ofron aktivitete të ndryshme për familjen tuaj. Muzeu Kombëtar i Historisë së Natyrës Grigore Antipa ofron ekspozita interaktive dhe edukative për kafshët, bimët dhe fenomenet natyrore, duke krijuar një eksperiencë unike për fëmijët. Për të gjithë ata që duan t’i prekin dhe t’i shohin bimët më nga afër, mund të vizitoni Kopshtin Botanik, i cili ka temën “Liza në botën e çudirave.” Përveç gjithë aromave të mira dhe ngjyrave të ndryshme që do t’ju rrethojnë, kopshti ka një program dedikuar edukimit të fëmijëve mbi bimët. Për më shumë informacion klikoni këtu.

Për pjesën tjetër që preferojnë aktivitetin fizik, Parku Tinereturuli është vendi ideal për sporte apo shëtitje me biçikleta. Ndër aktivitete të tjera që mund të bëni si familje, është të vizitoni ujërat termalë të Bukureshtit. Përveç rrëshkitëseve gjigande, vendi ofron dhe aktivitete me dinosaur për fëmijët. 

5. Budapest, Hungari

Ky kryeqytet disi i nënvlerësuar i Evropës Qendrore, ofron opsione interesante për fëmijët. S’ka rëndësi nëse familjes suaj i pëlqejne kafshët, apo bimët, në Budapest mund të vizitoni kopshtin zoologjik, si edhe atë botanik në të njëjtin vend. Gjendur në zemër të qytetit, ky është një nga kopshtet zoologjik më të vjetër në botë, dhe sot numëron më shumë se 1072 specie kafshësh.

Qyteti i Budapestit ka menduar posaçërisht për vizitorët e tij të vegjël dhe ka krijuar Hekurudhën e Fëmijëve. Një linjë që operohet nga vogëlushët nën mbikqyrjen e të rriturve. Kjo linjë ofron pamje të veçanta të kodrës së Budës. Dhe duke qënë se po përmendim natyrën, mos harroni të vizitoni Margaret Island. Ky park i gjerë ishullor ofron kënde lojërash, shtigje për ecje dhe hapësira të hapura të gjelbra ku fëmijët mund të vrapojnë dhe të luajnë. Gjithashtu mund të merrni me qira biçikleta ose makina me pedale për të eksploruar shtigjet skenike të ishullit.