Gjermania legalizon kanabisin: Ku qëndron pjesa tjetër e Evropës për “turizmin e substancave narkotike”? Po Shqipëria?

Gjermania ka qenë prej kohësh e njohur si një nga vendet më konservatore në Evropë, por ky perceptim mund të ndryshojë.

Këtë javë, ai u bë vendi më i madh i BE-së që legalizoi kanabisin rekreativ (për përdorim apo kënaqësi personale) – pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga politikanët dhe shoqatat e ndryshme mjekësore.

Personat mbi 18 vjeç lejohen tanimë të mbajnë 25 gram kanabis të tharë, si dhe të kultivojnë deri në tre bimë marijuanë në shtëpi.

Ndryshimi do të thotë se Gjermania tani ka disa nga ligjet më liberale të kanabisit në Evropë, të ngjashme me ato në Maltë dhe Luksemburg. Këto shtete legalizuan përdorimin rekreativ respektivisht në 2021 dhe 2023.

Në Evropë, Hollanda ka qenë e famshme për qëndrimin e saj në dukje të relaksuar ndaj drogës – por, kohët e fundit, ka marrë një qasje më të rreptë për të luftuar turizmin e kanabisit. Njerëzit që shpresojnë të udhëtojnë për ta marrë, nuk do ta kenë aq të lehtë, qoftë në Hollandë apo Gjermaninë fqinje.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Çfarë do të thotë ndryshimi i ligjit për përdorimin e kanabisit në Gjermani?

Pavarësisht ndryshimit të ligjit në Gjermani, marrja e kanabisit nuk është e thjeshtë.

Planet fillestare për shitjen e kanabisit përmes dyqaneve të licencuara u hodhën poshtë për shkak të kundërshtimit të BE-së, megjithëse zyrtarët shpresojnë se së shpejti do të ketë skema pilot për të provuar shitjen në disa dyqane.

Qeveria gjermane shpreson se legalizimi do të ndihmojë në frenimin e tregut të zi në rritje për substancën.

Nga 1 korriku, që përkon me fazën tjetër të reformës ligjore, njerëzit do të mund të marrin kanabis përmes të ashtuquajturave ‘klube kanabisi’.

Çdo klub do të lejohet të ketë deri në 500 anëtarë, ku secili anëtar do të jetë në gjendje të blejë deri në 50 gram kanabis në muaj. Nuk është ende e qartë nëse anëtarësimi do të jetë i hapur për shtetasit e huaj apo turistët.

Ndërsa disa organizata dhe grupe shëndetësore kanë ngritur shqetësimin se legalizimi mund të çojë në një rritje të përdorimit tek të rinjtë, të cilët mund të përballen me rreziqe të rënda shëndetësore në disa raste, qeveria ka një zgjidhje.

Ata kanë premtuar një fushatë të gjerë informacioni për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e mundshme dhe gjithashtu kanë theksuar se kanabisi do të mbetet i ndaluar për moshat nën 18 vjeç dhe brenda 100 metrave nga shkollat, kopshtet dhe këndet e lojërave.

Ligji ka sjellë edhe kritika nga policia, e cila ka thënë hapur se ka frikë nga rritja e konfliktit me qytetarët nën ndikim.

Ata janë të shqetësuar se do të jetë e vështirë për t’u zbatuar, gjë që sugjeron se Gjermania nuk ka gjasa të bëhet një pikë e nxehtë e turizmit të substancave narkotike së shpejti.

Cilat janë destinacionet më të mëdha të Evropës për “turizmin e substancave narkotike”?

Kanabisi është, në fakt, i ligjshëm në një numër vendesh evropiane. Sidoqoftë, në pjesën më të madhe, ai është i disponueshëm vetëm për përdorim mjekësor ose i dekriminalizuar për përdorim personal. Kjo do të thotë se nuk është lehtësisht i disponueshëm për t’u blerë për turistët në shumicën e shteteve.

Megjithatë, është një situatë shumë e ndryshme në Maltë. Vendi ishullor aktualisht ka ligjet më tolerante në të gjithë BE-në në lidhje me kultivimin, konsumin dhe posedimin e kanabisit.

Të rriturit lejohen të mbajnë deri në 7 gram kanabis, si dhe të rritin deri në katër bimë në shtëpi që nga miratimi i legjislacionit në 2021.

Hollanda shihet shpesh si e relaksuar ndaj marijuanës – por kultivimi, shitja dhe mbajtja e drogës është në të vërtetë e paligjshme.

Zyrtarisht, shitja e tij “tolerohet” në “kafenetë” e famshme të vendit dhe dekriminalizohet posedimi i jo më shumë se 5 gram kanabis.

Në mënyrë të ngjashme në Spanjë, përdorimi personal i kanabisit është dekriminalizuar. Rregulloret priren të ndryshojnë midis komunave, por klubet sociale të kanabisit janë jashtëzakonisht të njohura, me mbi 1000 në veprim, duke përfshirë pikat e nxehta turistike si Barcelona. Pavarësisht goditjeve të herëpashershme, shumica e organeve të zbatimit të ligjit mbyllin një sy ndaj klubeve, të cilat dihet se i shtyjnë kufijtë e ligjit spanjoll të dekriminalizimit.

Shumica e vendeve të tjera evropiane kanë ende gjoba ose dënime të tjera për përdorimin ose posedimin edhe të sasive vogla të drogës.

Megjithatë, ka të ngjarë që vendet më liberale do të vëzhgojnë se si do të rrjedhë ligji i ri i Gjermanisë. Veçanërisht Belgjika është një vend për t’u parë, ku posedimi i deri në 3 gram kanabis ose kultivimi i një bime është konsideruar si “përparësi e ulët e ndjekjes penale” për individët mbi moshën 18 vjeç që nga viti 2003.

Vitin e kaluar, zëvendëskryeministri, Pierre-Yves Dermagne, i tha botimit flamand të lajmeve De Morgen, se vendi duhet të konsiderojë legalizimin e kanabisit, duke sugjeruar se Belgjika mund të jetë një vend tjetër që shkon drejt legalizimit së shpejti.

Ndërkohë, shteti shqiptar duket të jetë në hapat e para në këtë drejtim, teksa në qershor të vitit të kaluar, qeveria miratoi projektligjin mbi legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor, duke sqaruar se do të kishte një sërë kriteresh të parashikuara për individët që duan të marrin licensën e natyrisht sanksione në rast shkeljesh.

Ndërsa ky projektligj shkaktoi shumë debate në vend, nuk është e sigurt për t’u thënë nëse Shqipëria do të hedhë hapa më tej, duke legalizuar kanabisin rekreativ.

Po ju miq, mendoni se duhet legalizuar kanabisi mjekësor? Po ai rekreativ? 

Na shkruani më shumë në komente…

Burimi: Euronews Travel – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light.