Hotel Flower / Review

Shkrim i muajit nëntor 2020

Ajo që kërkonim në një fundjavë vjeshte, ishte një vend relaksues sepse moti pritej të ishte shumë i mirë. Nga ana tjetër, nuk donim të udhëtonim shumë larg Tiranës, ndaj si zgjidhje të afërt, menduam Golemin nga ku mund të shijohet aroma e Adriatikut jashtë sezonit të rrëmujshëm.

Flower u zgjodh posaçërisht nga rekomandimet tuaja, ndaj do të doja ta përshkruaja në detaj si eksperiencë:

Parkimi është i siguruar nga hoteli dhe i rregullt, por duhet patur kujdes sepse ka vende të limituara sidomos në fundjavë.

Vendndodhja: do të thoja se është pika më e dobët e hotelit, për faktin se jo vetëm që nuk ndodhet buzë detit, por ngjason me një oaz (hidden gem siç thonë të huajt), në mes të një makabre ndërtimesh. Ambienti në të cilin rrethohet hoteli është pjesërisht i rregulluar, kishte zona ku ishte mjaftueshëm pisët. Zona e plazhit ndodhet pikërisht aty ku mbaron pedonalja (edhe kjo jo në favor të hotelit).

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Struktura: Hoteli në vetvete ka një sharm të veçantë, kur futesh në rrugicën e hotelit gjithçka ndryshon. Një ndërtesë me një kompozim arkitekturor neoklasik (vienez në syrin tim), ku teksa afroheshe drejt hyrjes të shoqëronte një muzikë shumë e këndshme (stil piano bar) në sfond që shpërndahej në të gjithë ambientet e hotelit. Ka një pishinë të jashtme shumë të ëmbël (nuk di të them se si mund të jetë në sezon), ka një zonë SPA-je ku ofrohen masazhe e disa shërbime të ndryshme si edhe Sauna dhe Jacuzzi. Më duhet të theksoj se për qëllime biznesi, hoteli ofron sallë konferencash dhe unë do e quaja ideal për organizime të tilla. Hoteli është i përshtatshëm për fëmijë, ka një zonë të vogël të gjelbërt me lodra fëmijësh.

Dhoma: Koncept 2+1 – 60€ nata me mëngjes, përfshirë Sauna e Jacuzzi (kush rezervonte një natë kishte ofertë masazh 30 minuta për 10€); ofrohej baby cot. Dhoma me hapësirë të bollshme. Kishte standard të lartë (jo domosdoshmërisht nga ana strukturore sepse investime të mira ka plot), por duket ndryshimi i një hoteli që realisht di të bëjë turizëm te detaje të tipit: minibar i mbushur, shapkat e një cilësie të mirë (se kur janë si letër i kam shumë siklet), prakticiteti në dollap, pasqyra në vendin e duhur, një kosh poshtë pasqyrës e gjëra të këtij lloji.

Shërbimi: Ndër më të mirët që kam hasur në Shqiperi. Teksa kaloje në recepsion vajzat çoheshin direkt në këmbë, kamerierët ishin jo vetëm profesionalë, por të përulur dhe të gatshëm të të ndihmonin me çdo gjë. Stafi na ndihmoi pa fund me kërkesat e fëmijëve, shumë të shpejtë e shumë korrektë.

SPA: Atë relaksin e fituar në 30 minuta masazh e harrova sapo dola jashtë porte për të mbajtur në krahë të vegjlit (edhe fizioterapia nuk di a më bën punë). Sidoqoftë ishte vetëm 10€ dhe e shijova. Ambientin e Saunës unë nuk para e frekuentoj ndërsa Jacuzzi nuk më ngjau mjaftueshëm i ngrohtë.

Mëngjesi: Ishte realisht siç ma kishit përshkruar, një ‘open buffet’ mjaft i larmishëm për standardin shqiptar. Mua më pëlqeu ajo fryma profesionale dhe jo amatoreske e të shërbyerit të asortimenteve. Psh.: ka raste që gjej reçelra të mirë, por asnjë mini-kupë ku të mund t’i vendos, ndaj dhe më duhet t’i përziej derdhazi në pjatë. Në rastin e Flower Hotel, detajet ishin të mirëmenduara, cilësia e gatimeve gjithashtu për t’u vlerësuar.

Restoranti: Ushqimi bënte vërtet diferencën krahasuar me shumë vende në Durrës. Nga hulumtimet e mia më figuronte se chef-i i kuzhinës ishte i njejtë me atë të Blu Blu Gourmet te Bougainville Bay Hotel (një eksperiencë që më ka mbetur në mendje), chef Genti Malaveci, ndaj edhe kësaj here prisja një eksperiencë kulinare mbresëlënëse. Por këtu unë nuk e pata atë efektin ‘wow’, ushqimi në stilin gourmet vinte i prezantuar në mënyrë shumë të rafinuar, estetikisht i balancuar dhe përbërësit dukeshin të një cilësie të mirë. Sidoqoftë, në disa raste mungonte harmonia mes shijeve e disa pjata nuk i shijova mjaftueshëm. Restoranti kishte relativisht çmime të larta, por për mua raporti cilësi/çmim/shërbim ishte shumë i mirë.

Përmbledhje: Do të rikthehem sërish sidomos ndonjë natë relaksi në çift, duke shijuar rum e amaro të mirë. Nëse vini merrini hotelit maksimumin sepse rreth e qark nuk ka ndonjë aktivitet. Kur të bëni rezervim kërkoni ofertat e fundjavës (bëjnë shpesh). Siguroni dhomë në katet e sipërme për të patur pamje.