Fluturimi në Evropë është në nivelin më të sigurt që nga fillimi i regjistrimeve, sipas një studimi të ri nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).
Gjetjet në raportin e tyre vjetor të sigurisë 2023 për aviacionin global tregojnë se, vetëm në Evropë, shkalla e të gjitha aksidenteve u përmirësua nga 0,98 për milion në 2022, në 0,48 për milion aksidente në 2023.
Kjo statistikë është dukshëm më e mirë se mesatarja 5-vjeçare e kontinentit prej 0.77 aksidente për milion.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Për t’ju qetësuar më shumë, Evropa ka patur një rrezik fataliteti zero që nga viti 2018. Interesante është se përqindja më e madhe e aksidenteve të regjistruara ishte për shkak të rrëzimit të avionëve gjatë uljes, diçka që ndodh kur mekanika e avionit nuk funksionon siç duhet.
Si u krahasua siguria e fluturimeve në pjesën tjetër të botës në vitin 2023?
Ndërsa IATA thotë se aviacioni po vazhdon të bëjë përparim mbresëlënës në fushën e sigurisë globalisht, Evropa është një nga rajonet më të sigurta.
Në fakt, shumica e rajoneve kishin një normë të përmirësuar të aksidenteve në krahasim me vitin 2022, me përjashtim të Amerikës së Veriut dhe rajonit të Azisë-Paqësorit.
Ky i fundit regjistroi një aksident si pasojë e humbjes së kontrollit në Nepal në janar 2023, i cili rezultoi në 72 viktima.
Ndërsa Amerika e Veriut nuk pati aksidente fatale, por shkalla e saj e të gjitha aksidenteve u rrit nga 0,53 për milion në 2022 në 1,14 në 2023.
Willie Walsh, Drejtori i Përgjithshëm i IATA-s, thotë se megjithëse gjetjet janë pozitive, ka ende rrugë përpara për ta bërë udhëtimin ajror plotësisht të sigurt.
“Edhe pse fluturimi është ndër aktivitetet më të sigurta që një person mund të bëjë, gjithmonë ka vend për tu përmirësuar. Kjo është ajo që ne kemi bërë gjatë historisë sonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë fluturimin gjithnjë e më të sigurt”, tha Walsh.
“Përmirësimet e sigurisë dhe parandalimi i aksidenteve të ardhshme rrjedhin nga të mësuarit nga incidentet e kaluara. Për linjat ajrore, kjo do të thotë kultivim i një kulture të fortë sigurie ku çdo punonjës ndihet përgjegjës për sigurinë dhe është i motivuar dhe pritet të raportojë informacione të lidhura me sigurinë”, shtoi ai.
Burimi: Euronews Travel – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light