Nga Vlora e Ismail Qemalit tek qyteti trend i Booking.com

Booking.com rradhit Vlorën si një nga destinacionet trend për t’u vizituar në vitin 2024. Duke konsideruar boom-in turistik që Shqipëria po përjeton kohëve të fundit, ishte deri diku e pritshme që një nga perlat e jugut do të pozicionohej si një destinacion i dëshiruar për turistët.

Unë personalisht kam një lidhje të veçantë me qytetin sepse babi im është nga Vlora. Në bregdetin e Vlorës kam kaluar 18 vera fëmijërie, dhe kam krijuar disa nga kujtimet më të bukura të jetës. Dita jonë fillonte me vërdallisjet me biçikletë për të shkuar në plazh me dy-tre kushërinj. Njëri i jepte biçikletës, të tjerët mbanin një shalqin, kuleç të ngrohtë për t’i konsumuar në plazh, dhe lodrat e plazhit. Kur perëndonte dielli, shkatërronim kalatë e rërës dhe kuptonim sa ishim përvëluar në plazh atë ditë. I kujtoj me mall ato vite të veçanta!

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Pavarësisht ndryshimeve ndër vite, Vlora vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuar të turizmit veror. Në fakt, Vlora, së bashku me pjesën jugore të Shqipërisë, përjetuan kulmin e lulëzimit në verën e vitit 2023. Por përse pikërisht Vlora është renditur si një nga vendet më trend sipas Booking.com?

Për mendimin tim Vlora i ka gjitha. Qyteti ndërthur në mënyrë perfekte malin dhe detin, duke ofruar njëkohësisht një përzierje të modernitetit dhe bukurisë historike në çdo hap. Është kaotik, por edhe një oaz paqeje gjatë verës, duke ofruar diçka për çdo nivel të shoqërisë. Nuk ka rëndësi nësë doni të shpenzoni pak, apo të kaloni pushime më lluksoze, Vlora ofron mundësi zgjedhjeje.

Qyteti ruan dhe trashëgon brez pas brezi traditat vendase, teksa përqafon ngrohtësisht të renë. Mos kërkoni më tutje nëse doni të shijoni rrezet e diellit; të pini një koktejl nëpër beach bare, apo të provoni sportet ekstreme.

Dhe të mos harrojmë kuzhinën! Mund të shijoni ushqimin e rafinuar, por edhe atë më të thjeshtë dhe tradicional, shpeshherë me çmime të arsyeshme. Vlora është një destinacion unik, që i fton vizitorët të zbulojnë xhevahiret e saj të shumta të fshehura.

Çfarë duhet të dini rreth historisë?

Dikur e njohur si Aulona në Antikitet, ky qytet në Ilirinë Jugore lulëzoi pas rënies së Apolonisë dhe Orikut. Në shekullin e 6-të dhe në mesjetë, Aulona shërbeu si një qytet port i rëndësishëm, ku tregtonte vaj ulliri, kripë, lëndë druri dhe ullinj. Rëndësia e qytetit arriti kulmin më 28 nëntor 1912, kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Ky moment i rëndësishëm e bëri Vlorën kryeqytetin e parë të Shqipërisë së pavarur.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth historisë së mund të vizitoni disa nga vendet e mëposhtme:

Çfarë e bën natyrën unike?

Vlora ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, duke shërbyer si pikëtakimi për brigjet e detit Adriatik dhe Jon. Në bregun verilindor të detit Jon, shtrihet një varg malor rreth 100 km në drejtimin juglindje-veriperëndim pranë Sarandës. Këto male, rreth 24 km të gjata dhe 4–7 km të gjera, strehojnë majën më të lartë – Maja e Çikës, me lartësi 2044 metra.

Kjo ndërthurje gjeografike është pjesa ime e preferuar e Vlorës – një përzierje unike përvojash! Këtu mund të bëni not me një pamje piktoreske malore ose të eksploroni bukuritë e malit të Çikës. Zgjedhja është e juaja!

Dhe nëse jeni gati për një sfidë, mund të provoni paragliding nga mali i Shashicës – një përvojë e papërsëritshme!

Disa vende të tjera për t’u vizituar:

Pak jashtë Vlorës sigurohuni që të mos humbisni ujërat e kristalta të Rradhimës, Qeparosë dhe Himarës.

Po ushqimi/akomodimi/baret?

Nëse preferoni ushqimet e detit ose shijoni gatimet e mishit, Vlora i ka të gjitha dhe më shumë 🙂. Kam provuar restorante të ndryshme në qytet, dhe mund të them me bindje se mund të gjeni ushqim të mirë kudo nëpër qytet. Ndonjëherë, për mua bizneset familjare, veçanërisht, mund të ofrojnë ushqime që të shkojnë drejt e në zemër. Degustimi i kuzhinës vendase rrit shanset për të provuar diçka unike dhe të padëgjuar. Nuk do të zhgënjeheni!

Sugjerime për restorante dhe bare në Vlorë:

  1. Marina Bay
  2. Paradise Beach – në Rradhimë.
  3. Tiku and Mato
  4. Titanic
  5. Te Skerdi
  6. Bujari
  7. Te Beni – në Nartë.
  8. San Giorgio
  9. Pita Fun – fast food
  10. Da Vinci – lounge për kafe paraditeve, bar/club
  11. The Wave – lounge për kafe paraditeve, bar/club
  12. C-front– lounge për kafe paraditeve, bar/club
  13. Amos – Beach bar
  14. Nosso – Beach bar

Kohëve të fundit në Vlorë jane bërë investime goxha serioze dhe do të vëreni se ka një mori vendesh për akomodim. Megjithatë, mos u gënjeni nga kjo ide! Shpeshherë vendet që mund të preferoni rezervohen muaj përpara, prandaj planifikoni siç duhet 😊

Rekomandime për hotele:

  1. Yacht Hotel
  2. Priam Hotel
  3. Hotel Liro (vetëm për të rritur)
  4. Mira Mare
  5. Regina Hotel group
  6. Vogue Butique Hotel – hapur vitin që shkoi, në Rradhimë.

Çfarë duhet të dini për traditat dhe vlerat kulturore?

Për këtë, nuk kisha nevojë të bëja shumë punë kërkimore, sepse kam një prind entuziast që di gjithçka për polifoninë. Vlora mbart dy vlera të rëndësishme kulturore: Polifoninë Labe të mbrojtur nga UNESCO, dhe këngën popullore vlonjate.

Muzika e qarkut të Vlorës është ndër më të vjetrat në Ballkan. Në këtë rajon, stile të ndryshme të këndimit pasqyrojnë një kulturë të lashtë. Ato përfshijnë monofoninë, këngët me dy zëra me dhe pa iso, këngët me tre zëra pa iso, por me pritës ose mbajtës, dhe iso (polifoni) me shumë zëra. Zërat, zëvendësojnë të gjitha instrumentet muzikore. Këngët nga Kurveleshi, Himara, DukatTragjasi dhe vallet e Vranishtit dhe Tërbacit janë një pasqyrim i mirë i këtyre vlerave kulturore.

Si e përshkruan babi im këtë vlerë të shtuar të vendit: “Polifonia labe është diçka unike, që daton prej shekujsh. Burrat e Labërisë mblidheshin nëpër kuvende për të kënduar polifoninë dhe jehona e saj dëgjohej gjithandej. Ata këndojnë për trimërinë, dashurinë ose atdheun gjatë festimeve. E veçanta është se këto këngë i shoqërojnë vendasit edhe në ditët e tyre më të trishta, kur humbin një të dashur.”

Çfarë do t’ju rekomandoja unë: Kur jeni në Vlorë, përpiquni të bashkoheni me vendasit dhe me siguri do të përfundoni duke dëgjuar një grup njerëzish që këndojnë polifoninë labe. Është një mundësi e rrallë për ta përjetuar këtë gjë nga afër.

Çfarë duhet të keni parasysh tjetër?

1. Për të shkuar në Vlorë nga Tirana do t’ju duhen rreth 2 orë – 2:30 min. Sigurisht që duhet të keni parasysh se për shkak të mbingarkesës ne sezonin veror, rruga mund të zgjasi edhe më shumë, prej trafikut të rënduar. Rrugës për ne Vlorë do t’ju sugjeroja të ndalonit për një vakt të shpejt (dhe me këtë dua të them byrek dhe dhallë) tek Vila Met ÇelaLushnjë.

2. Tregohuni të kujdesshëm ndaj ekspozimit direkt në diell rreth mesditës në Vlorë për shkak të temperaturave të larta; këshillohet që për arsye shëndetësore të minimizohet një ekspozim i tillë.

3. Vlora është përgjithësisht një destinacion i sigurt dhe nuk ka nevojë për shqetësime të panevojshme. Megjithatë, vëmendja duhet të shkojë më tëpër nëpër çmimet dhe faturat që paguani. Përpiquni t’i shikoni me kujdes faturat nëpër bare dhe restorante. Ndonjëherë ndodhin gabime për shkak të ngarkesës së madhe të punës. Do të ishtë mirë që në të tilla raste, keqkuptimet të sqaroheshin aty për aty.

Pavarësisht gjithë dashurisë (aspak të imponuar nga babi) për Vlorën, e kuptoj që qyteti nuk është i përsosur në atë çka ofron. Në fakt prej eksperiencës kam dal në perfundimin se kështu është në çdo vend. Në Napoli duhet patur kujdes nga hajdutët e xhepave; në Barcelonë, duhet të keni kujdes kur filmoni në rrugë pasi dikush mund t’ju rrëmbejë telefonin nga dora; në Mynih, kamarjerët mund të jenë të pasjellshëm; dhe restorantet në pjesë të caktuara të Cinque Terre mund të jenë tepër të shtrenjta.

Kështu ndodh edhe në Vlorë! Ndonjëherë, mund të hasni një staf më pak miqësor, të përballeni me çmime të paarsyeshme në disa zona, dhe të harxhoni kohë nëpër rrugët e bllokuara prej trafikut gjatë verës. Sidoqoftë, i gjithë ky mundim ia vlen!

Kështu tha edhe babai im, dhe më besoni, ai e urren trafikun 😀