Rumania dhe Bullgaria në Zonën Shengen: Impakti për udhëtarët

Aeroportet në Rumani dhe Bullgari kanë hequr pikat e kontrollit të pasaportave për udhëtarët që fluturojnë në pjesën më të madhe të Evropës.

Evropa shtoi dy shtete të tjera në zonën e saj të lëvizjes së lirë fundjavën që shkoi, duke mirëpritur Bullgarinë dhe Rumaninë.

Të dyja vendet u bashkuan pjesërisht në zonën Shengen më 31 mars. Ky anëtarësim u jep mundësinë udhëtarëve të lëvizin lirshëm midis tyre dhe dhjetëra vendeve të tjera evropiane, sipas Komisionit Evropian. Politika e re do të zbatohet për kufijtë ajror dhe detar të Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Unë e mirëpres heqjen e kontrolleve të brendshme ajrore dhe detare. Ky është një sukses i madh për të dyja vendet. Dhe një moment historik për zonën Shengen – zona më e madhe e lëvizjes së lirë në botë”, tha në një deklaratë Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian. “Së bashku, ne po ndërtojmë një Evropë më të fortë, më të bashkuar për të gjithë qytetarët tanë.”

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Heqja e kontrolleve kufitare për momentin vlen vetëm për kufijtë ajror dhe detar. Nuk është ende e qartë se kur do të hiqen kufizimet në kufijtë tokësorë.

Si rezultat i statusit të tyre të ri, aeroportet si në Rumani ashtu edhe në Bullgari hoqën pikat e kontrollit të pasaportave të dielën për udhëtarët që fluturonin në pjesën më të madhe të Evropës, njoftoi Reuters.

Zona Shengen përfshin 27 vende të tjera dhe lejon udhëtarët të lëvizin nga një vend në tjetrin pa kontrolle kufitare, sipas Këshillit të Bashkimit Evropian. Disa fqinjë të Rumanisë dhe Bullgarisë janë tashmë anëtarë, duke përfshirë Greqinë dhe Hungarinë.

Shtimi i dy vendeve vjen disa muaj pasi Komisioni Evropian mirëpriti Kroacinë për t’iu bashkuar zonës Shengen në janar. Në të njëjtën kohë, Kroacia miratoi euron si monedhë të saj.

Kryeministri rumun Marcel Ciolacu e quajti këtë një “arritje të merituar” për Rumaninë. Ai tha se kjo do të këtë një ndikim pozitiv për qytetarët që do të udhëtojnë më lehtë si edhe për ekonominë e vendit.

“Ne kemi një plan të qartë për anëtarësim të plotë në zonën Shengen deri në fund të vitit,”- tha ai.

Heqja e kontrollit kufitar pritet të lehtësojë veprimet në katër aeroportet ndërkombëtare të Bullgarisë, të cilat në vitin 2023 panë afro 11 milionë pasagjerë, sipas të dhënave zyrtare.

Aeroporti në kryeqytetin e Sofjes, shërben si qendra më e madhe për fluturimet Shengen, të cilat përbëjnë 70% të të gjitha fluturimeve, thanë përfaqësuesit e aeroportit.

Edhe pse rregullat e lehtësuara pritet të ndikojnë pozitivisht në sektorin e turizmit, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë shprehur shqetësime për radhët e gjata në kufijtë tokësorë të BE-së.  Ata gjithashtu kanë ngritur pikëpyetje në ndikimin që mund të ketë në tregun e përbashkët të bllokut, si dhe shëndetin dhe sigurinë e shoferëve.

Përveç zgjerimit të zonës së lëvizjes së lirë, Komisioni Evropian ka shtyrë fillimin e tarifës së autorizimit të udhëtimit të paktën deri në vitin 2025. Tarifa, e cila do të kushtojë 7 euro, do të kërkohet për udhëtarët nga vendet e përjashtuara nga viza. Këtu përfshihen Shtetet e Bashkuara, për të hyrë në 30 vende të ndryshme evropiane. Tarifa do të zbatohet gjithashtu për udhëtarët që vizitojnë Rumaninë dhe Bullgarinë.

Burimi: Travel and Leisure- përshtatur nga editorët e Ema’s Light.