Shkrim i muajit gusht 2021
Qëndrimi: Dhomë familjare 2+2 me mëngjes të përfshirë (150€/nata). Dhoma standarde kushtonte 100€ dhe ajo treshe 120€.
Parkimi: I siguruar nga hoteli dhe me kapacitet të plotë.
Struktura: Ndërtim i viteve të fundit me një arkitekturë moderne. Hoteli ka rreth 120 dhoma, një pishinë të jashtme, një restorant ‘a la carte’, mëngjesi shërbehet nëntokë dhe po ashtu vaktet ‘all inclusive’. Ne lidhje me SPA nuk pashë ndonjë shenjë indikuese, mbase është lënë për më vonë.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Pishina: Ishte elegante si formë, por mbase për shkak të lyerjes me rezinë (mungesë të pllakave), uji ngjante i turbullt. Pishina nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të gjithë pushuesit, si edhe mungonte një person i dedikuar per t’u kujdesur dhe orientuar pushuesit. Orari i mbylljes ishte 6 pm, më pas stafi në mënyrë të kujdesshme dhe të shpejtë transformonte ambientin në një restorant të hapur shumë të ëmbël.
Restoranti ‘a la carte’: Ofronte një eksperiencë ‘fine dining’, pra ushqime ‘gourmet’ me përzgjedhje të sofistikuara dhe unike, përgatitur nga chef-at Miklovan Zeqo dhe Laurel Mëhilli. Dorën e chef-ave e vlerësova shumë, edhe pse nuk e mohoj që mungesa e falenderimit ndaj një evidentimit tim në Instagram, nuk më la shije të këndshme.
Dhoma: Kishte shumë hapësirë, minibari bosh, por ofrohej ujë falas, dyshekët e krevateve ishin memory, aksesorët e tualetit shumë të plotë, pastërtia e lartë, temperatura e ujit në dush me pak probleme (e keni parasysh kur herë vjen i ftohtë e herë i nxehtë?). Sasia e peshqirëve ishte mëse e mjaftueshme.
Lexoni më shumë:
Plazhi: Stafi bënte pastrim të denjë (gjykuar nga fakti që shumë pushues plehrat i linin poshtë), por do të sugjeroja kosha të vegjël plehrash sepse mungonin. Për një hotel me 5 yje pritet që edhe rëra të krihet. Shezlongët kishin dyshekë të plotë e të pastër, por ishin jashtë mase ngjitur me njëri-tjetrin. E siç e gjej rëndom, ekskluziviteti për pushesit e hotelit mungonte edhe këtu.
Recepsioni: Ne vendosëm të niseshim diku jo shumë larg Tiranës e teksa merrja 10 hotele në telefon, askush nuk përgjigjej. E kuptoj që në kulmin e sezonit nuk keni nevojë për ne sepse ne si klientë ju vijmë vetë, por mos harroni se pas verës vjen një dimër… Nëse nuk do të ishte për një të njohur që na u desh të “fusnim mik” për rezervim, unë nuk do të isha duke shkruar këtë review sepse ‘literally’ askush nuk përgjigjej në recepsion. Në mbërritje, hasëm disa vajza politikisht korrekte, por me një mënyrë të vakët mikpritjeje. Check-in bëhej në orën 3 pm. Na u dorëzua karta pa ndonjë informacion shtesë për politikat e hotelit. Si hotel me 5 yje nuk kishte një ‘luggage room’ (dhomë e posaçme për bagazhet).
Mëngjesi: Orarin zyrtar e humba sepse çdo gjë hiqej nga bufeja në 9:30 am. Për mendimin tim, kjo politikë duhet ndryshuar sa më shpejt sepse në konceptim, hoteli duhet të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme që pushuesit të çlodhen. Kishim ndenjur deri natën vonë me femijët (i shkelim oraret kur jemi me pushime), ndaj donim të flinim në mëngjes. Jo vetëm që shumica e mëngjeseve ofrohet deri në orën 10:00, por hotelet me standard të lartë ofrojnë edhe ‘late breakfast’. Sidoqoftë, vlerësova shumë që stafi bëri maksimumin dhe gatoi posaçërisht për ne. Ato që provova: omelette, pancakes, petulla, dukej që ishin gatuar me një teknikë shumë profesionale, edhe vetë çokokremi ishte i një cilësie të lartë.
Përmbledhje: Të gjykosh në tërësi eksperiencën në një hotel do të duhet të kalosh disa netë e për më tepër ne ishim klientë që konsumonim në restorantin ‘a la carte’. Mendoj se hoteli nuk është ende gati të ofrojë maksimumin sa i takon paketës ‘all inclusive’ për sa kohë të gjitha vaktet konsumohen nëntokë dhe ata klientë kanë vetëm 6 tavolina në dispozicion për të darkuar rreth pishinës. Nga ana tjetër, mungonte një kënd lojërash, nuk kishte asnjë animacion (pushuesit që zgjedhin paketa all inclusive tipikisht nuk duan të zbaviten gjetkë), si edhe mungonin dhomat e dushit e të zhveshjes (ka shumë të huaj që kanë një avion per të kapur e ndryshe nga ne vendasit, kanë nevojë të bëjnë dush të mirëfilltë e të ndërrohen para largimit).