The European Sleeper: Një tren i ri nate që lidh disa nga qytetet e mëdha evropiane

Hipni në bord në një vend, zgjohuni në një tjetër dhe mendoni të zbrisni për të eksploruar një nga peisazhet më mahnitëse të Gjermanisë.

Në një epokë fluturimesh të lira dhe me kosto të ulët, një rikthim në kohën e artë të udhëtimit duket se po kthehet: trenat e natës. Si dikush që adhuron hekurudhat dhe udhëtare e ndërgjegjshme për ambjentin, pak gjëra më frymëzojnë më shumë sesa të fle në një vend dhe të zgjohem në një tjetër. Ku ka më bukur se të zgjohesh dhe të presësh me padurim ndalesën e fundit duke e ditur se një gjuhë dhe kulturë tjetër të pret aty?

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Kjo është arsyeja pse u emocionova kur mësova se, 10 muaj pasi nisi shërbimin e tij inaugurues gjatë natës nga Brukseli në Berlin, European Sleeper ka zgjeruar së fundmi shërbimin e tij nga Berlini në Pragë.

  • Rruga Bruksel-Berlin përfshin ndalesa në Antwerp, Roterdam dhe Amsterdam,
  • Itinerari i zgjatur ndalon në Dresden dhe Bad Schandau në Gjermani si edhe Děčín, Ústí nad Labem dhe Pragë në Republikën Çeke.

Udhëtarët mund të zgjedhin midis tre opsioneve të biletave:

  • zonat e ndënjëseve që kushtojnë rreth 80-90 euro.
  • zonat e krevatëve te vegjël në vagon që kushtojnë rreth 109 euro.
  • zonat e gjumit që kushtojnë rreth 170-200 euro

European Sleeper është pjesë e një iniciative të vazhdueshme për të rikthyer udhëtimet hekurudhore evropiane brenda natës. Kjo është një sipërmarrje e nxitur pjesërisht nga Komisioni Evropian që inkurajon investimet në trenat e natës për të ndihmuar në arritjen e objektivave të tij klimatike.

  • Në dhjetor të 2023-it, hekurudha kombëtare e Austrisë, ÖBB, zgjeroi shërbimin e saj të trenit të fjetjes Nightjet në Berlin përgjatë rrugës ekzistuese Vjenë-Bruksel.
  • Pas gati një dekade shërbimi të pezulluar, ÖBB dhe hekurudha kombëtare e Gjermanisë, Deutsche Bahn, nisën gjithashtu një tren të ri 15-orësh nga Parisi në Berlin gjatë natës në dhjetor.
  • Në të njëjtin muaj, një shërbim i ri i trenit të natës u rifillua midis Parisit dhe Aurillac-ut në Francë pas një ndërprerjeje 20-vjeçare.

Me gjithë romantizmin dhe sharmin e tyre, trenat e natës mbeten një mënyrë e veçantë transporti. Trenat në distanca të gjata janë përgjithësisht më të shtrenjtë se shumë fluturime ekuivalente. Rrugët që përshkon European Sleeper bëhen vetëm tre herë në javë, ndërsa fluturimet direkte midis kryeqyteteve shpesh nisen disa herë në ditë. Megjithatë, përveç përfitimeve mjedisore të udhëtimit me tren, trenat e natës ndalojnë gjithashtu në destinacione intriguese, më pak të njohura ku avionët nuk shkojnë. I tillë është dhe një nga destinacionet e reja të European Sleeper – Bad Schandau.

E entuziazmuar, me biletë në dorë, hipa në European Sleeper në Berlin. Ndarja ime e dhomës së gjumit kishte dy ndenjëse përballë njëra-tjetrës me një mbulesë prej pellushi të zbehur dhe shtrat shtesë sipër. Të gjitha ndarjet e gjumit mund të akomodojnë deri në tre udhëtarë (opsionet standarde të ndenjëseve dhe krevatëve të vegjël mund të akomodojnë gjashtë persona). Megjithatë, mund të paguhet ekstra për të rezervuar ndarjen individuale.

Sipas bashkëthemeluesit të European Sleeper, Chris Engelsman, shumë nga vagonët në rrugën Bruksel-Berlin datojnë në vitet 1950 dhe ’60, me disa rinovime. Megjithatë, linja e zgjeruar rishtazi për në Pragë u lançua me vagona më modernë, duke përfshirë divanë me ajër të kondicionuar. Kompania gjithashtu ka plane afatgjata për të investuar në rinovime shtesë për të krijuar një pamje dhe ndjesi të re me kushte më moderne.

Engelsman thotë se European Sleeper zakonisht mund të mbajë nga 350 deri në 400 pasagjerë. Gjithsesi, kompania do të shtojë vagona shtesë gjatë sezonit të pikut të verës për të akomoduar deri në 600 persona. Në këtë mënyrë, më shumë udhëtarë mund të kapin trenin në 19:22 në Bruksel, të shkojnë në shtrat duke parë fshatrat hollandezë, dhe të zgjohen diku midis Berlinit dhe Dresdenit përpara se të përfundojnë rrugën për në Pragë deri në orën 10:56.

Megjithatë, dashamirësit e natyrës mund të konsiderojnë të zbresin nga treni disa ndalesa më herët, në Bad Schandau pak para orës 09:00. Ka të ngjarë që jo shumë udhëtarë ndërkombëtarë do të kenë dëgjuar për këtë qytet të Saksonisë me rreth 3,000 banorë. Megjithatë, nëse ju pëlqen të udhëtoni në vende më unike, kjo është padyshim ndalesa më e bukur e të gjithë rrugës.

Burimi: BBC – përshtatur nga editorët e Ema’s Light.