Nga fundi i prillit 2024, vizitorët duhet të paguajnë një tarifë hyrjeje.
Sipas zyrtarëve, udhëtarët ditorë në Venecia që nuk paguajnë 5 euro për të hyrë në qendrën historike të qytetit lagunor, do të përballen me gjoba që fillojnë nga 10 herë më shumë se tarifa e hyrjes.
Sistemi i pagesave do të nisë më vonë këtë muaj për një program pilot me kohë të kufizuar.
Venecia njoftoi vitin e kaluar se do të prezantonte tarifën e diskutuar prej kohësh për udhëtimin ditor pasi qyteti mezi i shpëtoi vendosjes në listën e OKB-së të vendeve të trashëgimisë të rrezikuara, kryesisht për shkak të ndikimit të mbiturizmit.
Vizitorët që flenë një natë ose më shumë në qendrën historike janë të përjashtuar nga tarifa pasi ata tashmë paguajnë një taksë turistike.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Si do të funksionojë tarifa e re e hyrjes në Venecia?
Zyrtarët kanë shmangur ta quajnë tarifën e re një taksë, duke zgjedhur fjalë më të buta si kontribut.
Ata kanë minimizuar gjithashtu mundësinë e kontrolleve për të hyrë në qytet, duke theksuar se nuk do të ketë barriera fizike.
Gjatë një konference për shtyp, kryebashkiaku Luigi Brugnaro tha se personeli është trajnuar për të verifikuar që turistët që nuk qëndrojnë në Venecia kanë ose një kod QR që konfirmon pagesën e tarifës ose një kupon përjashtimi.
Vizitorët që mbërrijnë në stacionet kryesore të trenit dhe autobusëve, do të priten fillimisht nga policët të cilët do t’u kujtojnë turistëve kërkesat e reja dhe do të ndihmojnë këdo që nuk e ka shkarkuar ende kodin QR.
Ndërkohë, për këdo që nuk ka një smartphone, do të vendosen pika fizike për të kryer pagesën.
Brugnaro tha se kushdo që gjendet jashtë pikave të përcaktuara të kontrollit pa dokumentacionin e kërkuar, do t’i nënshtrohet gjobave.
Këto do të variojnë nga 50 deri në 300 euro, plus tarifën maksimale të hyrjes së lejuar me ligj, e përcaktuar në 10 euro.
Zyrtarët kanë theksuar se programi synon të reduktojë turmat në ditët e pikut, të inkurajojë vizitat më të gjata dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët.
Lexoni më shumë:
Pse Venecia ka futur një tarifë të re hyrjeje?
Venecia ka vuajtur prej kohësh nën presionin e mbiturizmit, por zyrtarët thonë se vlerësimet para pandemisë që variojnë nga 25 deri në 30 milionë vizitorë në vit, përfshirë udhëtarët ditorë, nuk janë të besueshme dhe se projekti pilot synon gjithashtu të nxjerrë shifra më të sakta që ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të fenomenit.
Ndërsa, vizitorët që fjetën të paktën një natë sipas regjistrimeve për vitin e kaluar, arritën në 4.6 milionë, sipas shifrave të qytetit, 16 përqind më pak nga nivelet e larta para pandemisë.
Pandemia vonoi planet e Venecias për të nisur taksën e udhëtimit ditor, e cila është bërë një gur themeli i përpjekjeve të qytetit për t’u marrë me mbiturizmin.
Aktivistët dhanë një paralajmërim verën e kaluar, kur numri i shtretërve turistikë e kaloi zyrtarisht numrin e banorëve, i cili ka rënë në nën 50,000 në një prirje që daton prej dekadash.
Burimi: Euronews Travel – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light