Shkrim i muajit shtator 2021
Zona e Arenës Kombëtare ose siç njihet me emrin zyrtar Stadiumi “Air Albania” është bërë një zonë tërheqëse sepse ka afruar një model të ri konsumi duke mundësuar zyra, kafene elegante, restorante me investime prestigjioze etj. Duke lënë mënjanë emrin komerçial apo kullën 24 katëshe në cep të strukturës së stadiumit (për të cilën shumë prej nesh kam bindjen kanë ende zemëratë të brendshme), unë shpesh me shaka e quaj zonën si “Blloku i ri” sepse zien nga frekuentimi i lartë 🙂
Një prej restoranteve të zonës hapur rishtazi është edhe Amazonic. Duket qartë se restoranti ka përqasur filozofinë e interierit të rrjetit të restoranteve Amazonico (por i ka hequr një gërmë që të mos përfshihej në probleme ligjore 😉🤫). Restoranti ka dashur të fusë edhe konceptin e njejtë të kuzhinës (kulinarinë e Amazonës në Amerikën Latine), sepse shprehet që ka diversitet dhe pjesë të asaj kulinarie, por personalisht nuk pashë ndonjë pjatë tipike braziliane, peruviane etj.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Në hyrje: verehet menjëherë banaku i recepsionit për të pritur klientët (tregon profesionalizëm). Teksa shoqëroheshim për në tavolinë, ambienti ishte formal me një ndjesi spektakolare të xhunglës (duke filluar nga gjirafa), me disa tavolina kadifeje gurkali, me pamje të kuzhinës së hapur; realisht ambient mbresëlënës me një muzikë të këndshme në sfond.
Shërbimi: Edhe pse kam parë kamerierë shumë më të përgatitur në Tiranë, vlerësoj përpjekjen për të qenë korrektë, nuk hasa asnjë lloj problemi. Një zotëri i veshur me kostum te zi (hamendësoj se mund të jetë menaxheri), kishte një mënyrë auditore për të mbikëqyrur punën (ka shumë mënyra për ta bërë ndaj ideja e dikujt që qëndron në këmbë duke parë gjithçka ndonjëherë të vë në siklet).
Ushqimi: restoranti është ende në fillesat e tij, ndaj dua t’ju them se këtu duhet të ketë vëmendje të menjëhershme për përmirësim të ndjeshëm. Nëse do e përmblidhja me një shprehje do të thoja: “style over substance” – pra i është dhënë shumë fokus stilit, por jo substancës. Unë po përshkruaj disa nga pjatat e porositura me qëllimin e mirë (dhe besimin) se kur të vizitoj restorantin herës tjetër, çdo gjë do të më shijojë ndryshe:
Tartar Vjolë (1,370L) – kjo është një pjatë aq elegante sa të ndihmon vetë ëmbëlsia e karkalecit vjolë për të krijuar diçka të shijshme, megjithatë e gjeta totalisht të humbur ndër copat e vogla të ullinjve apo qepëve të kuqe, të cilat për shijen time jo vetëm kishin zbehur kryefjalën e pjatës, por e kishin shndërruar konceptualisht.
Dy maki: Japazonico Tataki (1,240L) dhe Lomi-Lomi (1,390L). Edhe pse shpesh dëgjojmë të thuhet se orizi është pjesa më e rëndësishme e sushit (i cili në këtë rast kishte zierje teknikisht jo të saktë sepse mbeteshin kokrrizat e vogla pas kafshimit), po aq e rëndësishme mendoj se është edhe freskia e peshkut. Nuk dua të shkruaj më shumë sec duhet, uroj të ketë qenë thjesht një ditë e keqe, por shpresoj shumë të gjej cilësi më të mirë të tonit apo salmonit herën tjetër.
Lexoni më shumë:
Sikundër nuk arrita të shijoja sushi-t, porosita një pjatë ndryshe: këmbë bretkose (990L) – në menu shkruhej se një nga përbërësit ishte mango të cilën unë nuk e pashë në pjatë, megjithatë nga një anë më mirë që mungonte se nuk e shoh kurrkund të shkojë mango me këmbët e skuqura të bretkosës.
Si ëmbëlsirë porositëm një mousse çokollate (600L), shkuma e çokollatës kishte një strukturë sa kremoze aq edhe të gëzoftë, ishte realizuar mjaft mirë sepse tekstura nuk ishte shumë e dendur (pra ashtu siç duhet).
Për ta përmbyllyr: rrjeti Amazonico në botë ka fituar famë më tepër nga dekori i pazakontë sesa nga ushqimi që ofron. Në Shqipëri për fat ne si klientë jemi të tejngopur nga super investimet ndaj e rikthesoj: fokus duhet të jetë ushqimi. Do të rikthehem dhe pa diskutim ju sugjeroj ta provoni si eksperiencë 🙂