Nëse po planifikoni të bëni një udhëtim në Angli, për fat të keq nuk mund të rezervoni biletat, pa patur vizën angleze.
Duke qenë se shpeshherë ka konfuzion dhe mungesë informacioni rreth aplikimit, shpesh udhëtarët paguajnë agjenci të posaçme. Por, ne tek Ema’s Light jemi këtu për t’ju instruktuar hap pas hapi:
1. Plotësimi i formularit për vizë standarde angleze.
Formularin mund ta plotësoni online. Linkun për plotësimin e formularit e gjeni këtu.
Visa standarde angleze mund të përdoret:
A. Për turizëm (për pushime)
B. Për të takuar familjen ose miqtë tuaj
C. Për të kryer punë vullnetare/bamirësie deri në 30 ditë (për këtë duhet të dëshmoni regjistrimin në një organizatë angleze)
D. Për të kaluar përmes Mbretërisë së Bashkuar në një vend tjetër (tranzit)
E. Për aktivitete të caktuara biznesi (për shembull pjesëmarrja në një takim ose intervistë)
F. Për angazhime të lejuara me pagesë si ekspert në profesionin tuaj (për shembull për të dhënë leksione)
G. Për të bërë një kurs rekreativ deri në 30 ditë (për shembull një kurs kërcimi)
H. Për arsye shkollore/akademike (për shembull për të dhënë një provim)
I. Për arsye mjekësore
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Viza standarde angleze nuk mund të përdoret:
A. Për punësim
B. Për martesë
C. Për të përfituar rezidencë
D. Për të përfituar fonde publike
E. Për të kryer çfarëdolloj veprimi, i cili ju mundëson përfitim monetar (përveç angazhimeve të lejuara me pagesë)
Formulari online është shumë i detajuar e ndër të tjera, gjatë plotësimit të tij do të deklaroni:
– Për sa kohë do e vizitoni Anglinë
– Ku do të qëndroni (personi tek i cili do të qëndroni)
– Kush do të marrë përsipër pagesën e udhëtimit (të ardhurat tuaja ose të personit që do të marrë përsipër pagesën e udhëtimit)
2. Pagesa online e tarifës së vizës, e cila fillon nga 115 euro për një vizë standarde turistike.
Kjo tarifë është e pakthyeshme, pavarësisht nëse aplikimi juaj për vizën miratohet ose jo.
* Tarifa e kontaktit TLS (kontakt shërbimi): Kjo është një tarifë për përdorimin e shërbimit të kontaktit TLS, i cili ju ofron asistencë gjatë procedurave të aplikimit. Kushton 92 euro.
* Tarifa për procedura të përshpejtuara: Këtë mund ta përdorni (jo e detyrueshme) nëse keni nevojë që procedurat të përshpejtohen. Varion nga 300 deri ne 800 euro në varësi të afatit kohor.
3. Plotësimi i dokumentacionit
Dokumentacioni bazë përfshin:
A. Pasaportë. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe data e skadimit të jetë të paktën 6 muaj pas udhëtimit tuaj në Angli.
B. Fotografi për pasaportë
C. Fotokopje të pasaportës të bashkëshortit/es ose fëmijëve (nëse jeni i/e martuar dhe keni fëmijë)
D. Deklaratë e të ardhurave
E. Deklaratë e pasurisë E9 (nëse keni pasuri të patundshme, prona, shtëpi)
F. Të dhënat e sponsorit për aktivitete të caktuara (nëse ka)
G. Dëshmi penaliteti
H. Vërtetim nga punëdhënësi juaj për periudhën kohore që punoni dhe të ardhurat. Nëse nuk punoni, ju duhet vërtetim nga banka për të ardhurat që keni)
I. Certifikatë familjare
J. Nëse do të udhëtoni bashkë me fëmijët nën moshën 18 vjeç, përveç dokumenteve të sipërpërmendura, ju nevojitet certifikatë familjare, si edhe certifikatë lindjeje e fëmijës.
Nësë do të vizitoni Anglinë për turizëm dhe do të qëndroni në hotel, ju duhen:
– Të dhënat e rezervimit të hotelit
– Detajet e udhëtimit
– Provat financiare që do mbuloni vetë udhëtimin
Nëse do të qëndroni te një i afërm/mik i juaji, i cili mund të marrë përsipër mbulimin ekonomik të udhëtimit, ju duhet prej tyre:
– Deklaratë e personit që merr përsipër të mbulojë shpenzimet e udhëtimit si dhe akomodimin në Mbretërinë e Bashkuar
– National Insurance Number
– Council Tax
– Payslip
– Vërtetim të të ardhurave nga banka
Gjithashtu, duhet të jeni në gjendje të tregoni se:
– Do të largoheni nga Mbretëria e Bashkuar në fund të vizitës suaj
– Jeni në gjendje të mbështesni veten dhe vartësit tuaj (për shembull fëmijët) gjatë udhëtimit tuaj (ose nëse keni fonde nga dikush tjetër për t’ju mbështetur)
– Jeni në gjendje të paguani për kthimin ose udhëtimin tuaj (ose keni fonde nga dikush tjetër për të paguar udhëtimin)
– Nuk do të jetoni në Mbretërinë e Bashkuar për periudha të gjata përmes vizitave të shpeshta ose të njëpasnjëshme
4. Dorëzimi i dokumentacionit
Për të dorëzuar dokumentet duhet të paraqiteni në Ambasadën Britanike në Tiranë (do të keni paraprakisht të përcaktuar datën dhe orën). Në këtë ditë do të realizoni edhe intervistën, gjatë së cilës mund t’ju pyesin për të gjitha detajet e udhëtimit, përfshirë pyetje mbi të dhënat që keni vendosur në formularin e aplikimit.
5. Pritja për përgjigjen
Përgjigjen e merrni për një kohëzgjatje rreth 3 javësh. Nëse pergjigjja është pozitive, viza mund të përdoret deri në 6 muaj pas marrjes së saj nga ambasada, nëse aplikoni për herë të parë. Në aplikimet e mëpasshme vizat lëshohen për periudha nga 6 muaj deri në 10 vite, në varësi të rrethanave të aplikimit.
* Kini parasysh që në Shqipëri ka edhe agjenci të shumta të cilat kundrejt pagesës ju asistojnë për të gjithë procesin e aplikimit për vizë (nga plotësimi i formularit online, kryerja e pagesave, përgatitja e dokumentacionit e deri te përgatitja për intervistë).
KUJDES: Asnjë agjenci nuk mund t’ju sigurojë se aplikimi do të jetë i suksesshëm dhe do të miratohet. Një gjë e tillë varet ekskluzivisht nga ambasada. Nëse ju “premtojnë” për siguri në marrjen e vizës, nuk po thonë të vërtetën.