Bougainville Bay Resort & SPA / Review

Para se të filloj me listimet Pros and Cons më duhet të pranoj se pritshmëritë i kisha shumë të ulëta. Pse? E thjeshtë: Rating në booking 7.5.

E kisha përfytyruar këtë hotel si një vend me investim të mirë që synonte të kapte klientë të kamur dhe vajza me fytyrë kukullash.

Por, realiteti ishte totalisht ndryshe.

Hyrja: Një woow: arkirektura në stil “Gaudi” impresionuese, ka recepsion edhe në parking. Përgjatë ecjes shihje sokake dhe dyqane tradicionale që përçojnë veç kulturë. Detaje të mirëmenduara, shenjestrim kudo (edhe pse i ngarkuar).

Cons: parkimi nuk kishte mjaftueshëm kapacitet për të mbuluar nevojat e të gjithë hotelit. Natën e dytë u sajuam me mik 

Recepsioni: disa vajza tejet të përgatitura; kuptohej qartazi fryma e infiltruar e të bërit turizëm (dhe jo e të komunikuarit: poo vëlla hajd se flasim). Të gatshme për të të orientuar mbi gjithçka (sepse është hera e parë që unë gjendem në një hotel në Shqipëri dhe kam nevojë për hartë).

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Dhoma: 2 netë 190€ me mëngjes dhe shezlongë të përfshirë, pamje mahnitëse nga deti, standard i lartë 4+ *. Më pëlqeu fakti që në minibar përfshiheshin snacks të ndryshëm. Natën e parë të kthimit nga plazhi gjeta një pjatë plot me fruta në dhomë.
Cons: realisht gjëra të vogla nëse do të bëhesha vërtet “picky”, psh: tavolina e pasqyrës ishte shumë e vogël e s’më nxinte totalisht tualetrat, e po të kisha një ballkon atë super pamje do e kisha shijuar më shumë. Në tërësi kishte gjithçka nevojitej.

Vendndodhja: merr pikë mesatare sepse do të duhet të lëvizësh makinën për të shkuar në qendër e po ashtu do të duhet të lëvizësh nëse do të shohësh ndonjë breg më të bukur.

Ambientet e jashtme: Bougainville është një lule që unë e dashuroj dhe hoteli nga vetë emri është i mbushur me to. Pastërtia ishte maksimale.

Cons: në vetvete sipërfaqja e investimit ishte konceptuar për vilat e më tej ishte ndërtuar hoteli. Një nga problematikat kryesore që hasa ishte mungesa e hapësirave të gjelbërta, ndërtimet merrnin shumë vëmendje. Po ashtu, mungesa e konceptit të hapësirave për fëmijë. I vetmi vend për fëmijë ishte pishina ku mesa pashë ishte e thellë dhe nuk kishte shezlongë ku prindi të pushonte teksa ruante fëmijën.

Bregu/Plazhi: ka mundësi të kushtohet më shumë vëmendje në atë pjesë. Saranda ka vende pafund të bukura, bregu i Bougainville ishte mesatar dhe personalisht nuk qëndrova asnjë ditë tek ai plazh.

Shërbimi: tentonte të ishte i saktë, ka shumë vend për përmirësim sepse stafi në disa raste dukej super ndihmues e në disa të tjera hasje disa vajza totalisht të pamotivuara.

Restoranti “Blu Blu Gourmet” ishte një mrekulli, për të cilin kam bërë një shkrim që e gjeni më poshtë.

Mëngjesi: më i miri që kam ngrëne deri më sot në Shqipëri. Nga fotot mund të dalloni cilësinë dhe shumëllojshmërinë që ofrohej.

SPA: 1€/minutë, bëmë 30 minuta dhe ishte shumë cilësor.

Restorantin “Diellëza” buzë detit që ofronte edhe pizza, nuk e provuam.

Pishina në katin e sipërm me pamje më duket se kushtonte 20€-25€ extra/personi dhe nuk e provuam.

Për ta përmbledhur, kishte plot gjëra që më pëlqyen dhe do të rikthehesha për një fundjavë çift (pa fëmijë), diku jashtë sezonit ku të shfrytëzoja maksimalisht ambientet e brendshme pasi ato ofronin shumë. Përgjatë pikut të sezonit, përsa kohë plazhin nuk do ta bëja aty, nuk do të doja të paguaja atë vlerë parash vetëm për hotelin.