Shkrim i muajit korrik 2021
Është i treti vit që unë zgjedh të kaloj pushime familjare pranë këtij hoteli (përpos faktit që e vizitojmë shpesh përgjatë fundjavave).
Parkimi: jo vetëm i siguruar nga hoteli, por i vendosur në një oborr të mirë-arreduar (ka parkim edhe nëntokë).
Struktura: hoteli ka rreth 65 dhoma (4 kate), ashensor, një restorant, një bar të veçantë, një kend lojërash të vogël për fëmijë, një pishinë të jashtme me barin e saj, ka një ullishte të madhe, ka një lulishte të qetë me disa tavolina (ku ne konsumojmë kafen e pasdites), tavolinë ping-pongu, fushë basketbolli dhe volejbolli.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Dhoma: Në 2021-shin çmimi i një dhome standarde me mëngjes të përfshirë jashtë sezonit shkon rreth 90€, ndërsa pas 15 korrikut bëhet 130€/nata. Ka standard të mirë 4*, nuk është ndër më modernët që kemi parë këto kohë, megjithatë bie në sy rregulli, shërbimi i pastrimit, ofrojnë dy shishe ujë falas çdo ditë, edhe pse minibari është bosh.
Shërbimi: pika më e fortë pas ambientit që ofron hoteli. Recepsionistët shumë të sjellshëm, na lejuan të benim edhe late check-out të dielën, ndërsa kamerierët qëndrojnë në dispozicion të kërkesave (të shumta e të rrëmujshme për ne që kemi fëmijë).
Lexoni më shumë:
Mëngjesi: edhe pse funksionon me banket te hapur dhe një mori zgjedhjesh, personalisht nuk më pëlqen cilësia e gatimit të vezëve (omeletta e mbytyr në vaj), petullat e skuqura më shumë seç duhet, scrambled eggs (veza e rrahur) është aq delikate në shijen origjinale, por tek Elysium ishte shumë e thatë dhe e kriposur.
Ushqimi: restoranti ka një menu deti me çmime nga më të mirat për zonën. Do të veçoja fileton e levrekut të gatuar në mënyrë fantastike për vetëm 900 lekë.
Elysium nuk ndodhet buzë detit (rreth 500 m distancë), e t’ju them të drejtën nga një anë më vjen mirë sepse në të kundërt do të kishte patur shumë më tepër kërkesa dhe çmim më të lartë. Edhe pse është larg, hoteli ka një shuttle (transport falas mund ta quaj), që na çon në plazhin privat e na rikthen kur të duam në hotel. Ne rikthehemi për të konsumuar drekën në restorant, më pas vazhdojmë në pishinë.
Ç’do e bënte Elysium-in perfekt për mua?
– Një kartë klienti (se shkojmë aq shumë e i kemi çuar aq shumë klientë të tjerë, por ulje s’na është aplikuar kurrë)
– Wireless më i fortë
– Bar-i i pishinës të funksiononte edhe paradite (hapet në orën 3 pm)
– Një menu për fëmijë
– Një bar te plazhi i hotelit
– Scrambled eggs të gatuara siç duhet (janë shumë të thata)
– Marinimi i krudove është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e tjera, por sërish ka vend për përmirësim.
E di që shumë nga ju më keni shkruar që keni qenë. Komentoni eksperiencën tuaj në këtë hotel, në këtë mënyrë ndihmojmë njëri-tjetrin 😊.