Shkrim i muajit shtator 2020
Këtë hotel e kishim në listën tonë të verës, por çdo fundjavë që pyesnim për disponueshmërinë e gjenim të rezervuar. Më në fund gjatë javës së dytë të shtatorit gjetëm një dhomë. Për t’ju orientuar disi me çmimet përgjatë 2020-ës (dhomë standarde me mëngjes):
– muaji qershor deri më 10 korrik ka patur çmim 100€-120€/nata
– pas datës 10 korrik deri në fund të gushtit ka qenë 180€/nata
– në shtator 120€/nata
Parkimi: i siguruar nga hoteli dhe i rregulluar si përballë hyrjes së hotelit, ashtu edhe nëntokë. Teksa ngjitesha nëpër shkallët ende të pashtruara, do të kisha preferuar të shihja një ambient më të pastër.
Ndërtesa kryesore: hoteli është i ri, ka një investim luksoz buzë detit. Hoteli është ende nën konstruksion, ndërtimet e të cilit nuk kanë përfunduar.
Cons: nga pikëpamja infrastukturore, nuk e pashë hotelin të përshtatshëm për familjarë me fëmijë të vegjël ose për çifte të një moshe më të madhe, pasi për të zbritur në restorant apo plazh do të duhej të zbrisje goxha shkallë dhe nuk ishte menduar ndonjë zgjidhje alternative si p.sh. makina golfi. Nga ana tjetër, në ambientin përreth nuk ishte e këndshme të shihje që po bëheshin punime.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Dhoma: arredimi shumë modern, dushi me xham brenda dhomës (sigurisht vetëm për çifte ), me hapësirë, krevati king size, dyshek dhe jastëk me shtresë memory (shumë hotele neglizhojnë cilësinë e fjetjes në krevat).
Cons: Dhoma përveçse të jetë moderne, duhet të jetë edhe funksionale. Për çudi, vumë re se mungonin aksesorët bazë si: varëse për peshqirët, mbajtëse e detergjentëve në dush, mbajtëse për letrën higjienike, nuk kishte pasqyrë mbi lavaman (na thanë se dhoma jonë nuk ishte e tipit më të ri). Ndriçimi ishte i zbehtë dhe gjeta vështirësi në bërjen e tualetit. Këto janë detaje (lehtësisht të korigjueshme) që të bëjnë përshtypje për një strukturë të këtij lloji.
Pishina: kishte një pamje mbresëlënëse, por ne nuk e provuam sepse shfrytëzuam detin.
Plazhi: gjiri fantastik, por plazhi i hotelit ishte i vogël. Më bëri përshtypje mungesa e ekskluzivitetit për një hotel të këtij lloji, ku klientët e hotelit nuk kishin kurrfarë prioriteti në ambientin e plazhit dhe kushdo nga jashtë mund të pushonte në të njejtin vend. Nga një anë ishin familjarët që donin të relaksoheshin e nga ana tjetër 20-vjeçarët e Sanur Beach Bar që ulërisnin me të madhe (u krijua një konflikt ku u thërrit edhe policia).
Lexoni më shumë:
Restoranti: kam shumë përshtypje pozitive nga miqtë, por vetë nuk arrita ta provoja sepse lëvizëm gjetkë.
Mëngjesi: unë mëngjesin jo vetëm e konsumoj, por e dashuroj. Prisja shumë sepse kisha marrë shumë referime. Më vjen keq që u zhgënjeva, sepse e vetmja gjë që shërbehej ishte një omelette dhe një racion me reçel e gjalpë. Për hotel të këtij lloji, e përseris, prisja shumë më tepër. E kuptoj që ishte fundi i sezonit, por ky nuk është faji ynë.
Shërbimi: mesatar, tipik kamerierë të club-eve që kanë punuar deri natën vonë e ndërkohë që ti flet, ata janë të shpërqëndruar.
Do të sugjeroja për hotelin të punësonte personel me njohuri të menaxhimit të një resorti, në vend që ta menaxhojnë vendin si biznes familjar. Në të ardhmen do të kenë probleme sepse rinia që vjen te Sanur për një check in në Instagram, nuk ka të ardhura mjaftueshëm të paguajë një nate tek Empire. Duhet t’i kushtohet vëmendje klientelës që do privatësi dhe ekskluzivitet. Potenciali është i pakufijshëm, por duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje detajeve dhe ofrimit të shërbimeve që të justifikojnë çmimin (vetëm investimi modern nuk e justifikon).