Qëndrimi: shkurt 2021
Eter është një hotel që e zgjodhëm pikërisht nga referencat e shumta tuajat. Po filloj me përshtypjet:
Parkimi: i siguruar nga hoteli, por me kapacitet të limituar. Kur mbërritëm na u desh të bënim shumë manovra me makinën e t’i linim çelësat zotërisë së mirëmbajtjes së parkimit.
Vendndodhja: buzë detit, pedonalja përpara hotelit është gjithashtu një plus.
Struktura: gjykuar nga një hotel i sapo ndërtuar, prisja një arkitekturë më moderne dhe me shfrytëzim më të mirë të hapësirave. Si p.sh.: dritaret e hollit ishin projektuar shumë të ngushta, pa i dhënë mundësi dritës natyrore të depërtojë mjaftueshëm.
Hoteli është i përshtatshëm për familjarë, ka një pishinë të brendshme dhe një verore, ka edhe një qendër SPA. Ambienti i jashtëm kishte lodra fëmijësh (të vogla). Masazhin ma lavdëruan shumë, vetë nuk munda ta provoj.
Dhoma: 73€ (2+2 me pamje nga deti). Ofrohej “baby cot”. Te Eter çmimi funksiononte me individë (jo me tipologji dhome). Pra, çifti kushtonte 58€ plus fëmijët mbi 5 vjec paguanin 15€ extra. Njëri nga djemtë e mi ishte falas. Zakonisht ne të katërt kemi fjetur në dhomë 2+1 ndaj në këtë rast dhoma ishte shumë komode, fëmijët kishin krevatin e tyre. Dhoma gjykuar nga yjet kishte disa mungesa, p.sh. te solucionet, “tooth kit” nuk kishte, minibari ishte bosh, këndi i tualetit/pasqyrës jo shumë funksional, Netflix nuk punonte (iu gezova më kot 😅). Megjithatë, kishte hapësirë dhe pastërti. Tualeti i rregullt, dushi pak probleme me presionin.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Pishina e brendshme: do të thoja që është pika më e fortë e hotelit. Praktike, e aksesueshme me ashensor (zhvishuni direkt në dhomë), e ngrohtë si në design ashtu edhe në temperaturën e ujit, kishte jacuzzi edhe më të ngrohtë brenda saj ku fëmijët i lije pa merak. Extra bonus: dy tavolina brenda në pishinë ku servirej ushqim.
Mëngjesi: gjykuar nga hotelet që kemi frekuentuar së fundmi në Golem, në të cilët mëngjesi ka qenë i larmishëm, cilësor si në teknikë ashtu edhe në prezantim dhe i organizuar dukshëm me eksperiencë hotelerie, prisja një mëngjes shumë të mirë te Eter. Mëngjesi ofrohej deri në orën 10:00 dhe ne ishim në sallë në orën 9:35 ekzakt. Kroasanët kishin mbaruar, krepa ose pancake nuk kishte, petullat kishin mbaruar. T’ju them që fëmijët e mi janë të vështirë në të ngrënë do të mendoni: “Oh ç’na the”. Shumica e fëmijëve janë të tillë, e di.
Djemtë tanë vezët nuk i hanë në mëngjes, nuk hanë as gjalpë e reçel. Praktikisht nuk kisha çfarë t’u ofroja. Kur kërkova rimbushje të asortimenteve të munguara, disa vajza të shërbimit u përgjigjën shkujdesur: “po s’ka më!”. Madje njëra më ktheu kurrizin duke më thënë: “s’ështe faji im”. Dukej qartazi një çorganizim/mungesë trajnimi. Jam e ndërgjegjshme që të mbash standard jashtë sezonit turistik në hoteleri/turizëm ka vështirësi, por kjo nuk justifikon 73€ të paguara në shkurt ku unë pres që fëmijët të jenë të ushqyer!
Restoranti: shijova shumë ushqimin e ofruar në ambientin e pishinës së brendshme. Më pëlqeu supa me krem karkaleci dhe fileto e levrekut (edhe pse nuk kishte kamarier, shërbente sporadikisht fizioterapisti i masazheve).
Eksperienca e darkës ishte e mirë edhe pse kishte vend për shumë përmirësim. Te pastat dhe risotto me fruta deti kishte një mbivendosje të përberësve, mbizotëronte aroma e pestos. Ndërsa skampit krudo edhe pse të shijshme e të freskëta, nuk ishin të marinuara, por kishin salca shoqëruese (personalisht preferoj marinimin klasik te krudot). Ëmbëlsirat ishin të gatshme dhe zgjidheshin në frigoriferin e banakut. Kishte muzikë live (me volum pak të lartë).
Shërbimi: duke filluar nga recepsioni, shërbimi ishte pak apatik. Në restorant përgjatë darkës na shërbeu një djalë me sjellje profesionale dhe pozitive. Mëngjesi siç e përmenda ishte kaotik, i zhurmshëm dhe stafi jo i gjindshëm për të ndihmuar.
Plazhi: duke qenë jashtë sezonit, zona e plazhit ende nuk ishte e rregulluar dhe rëra ishte pirgje-pirgje. Besoj se tani do e kenë rregulluar.