Shkrim i muajit maj 2021
Ferma 100 është një vend i hapur muajt e fundit në Vishaj, rreth 15 km larg Tiranës. Ferma apo restorante që ofrojnë agroturizëm te ne ka pa fund e vijnë duke u shtuar.
– Kuzhina: tradicionale/ mesdhetare
– Çmimi: ~ 2,000-2,500L/personi (pa përfshirë mishrat e stazhionuar)
– I përshtatshëm për familjarë apo grupe të mëdha.
– Kërkohet rezervim: PO
Termi është shumë i gjerë e në vende të tjera në botë përfshin shumë shërbime, por thënë thjesht, agroturizmi mund të mendohet si udhëkryqi i turizmit dhe bujqësisë, duke mundësuar çlodhje, argëtim (në disa raste duke përkëdhelur e ushqyer kafshët e fermës), si edhe njëfarë edukimi të vizitorëve ndaj produkteve vendase. Po çfarë ofrojnë në të vërtetë bizneset te ne? Po filloj me përshkrimin e eksperiencës sime:
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Parkimi: i siguruar nga restoranti, me hapësirë të mjaftueshme.
Ambienti: Ferma 100 mundësonte një fushëpamje relaksuese të gjelbër të papenguar prej kilometrash, nisur nga pozicionimi i saj mbi kodër. Një rrip i ëmbël i restorantit të brendshëm rrethohej me xham duke mundësuar shijimin e pamjes. Në fundjavë ofrohej muzikë live (mendova se do të më shqetësonte, por kishte volum të pranueshëm). Ferma ishte ende e papërfunduar në detaje, dukej qartazi që disa pjesë ishin nën ndërtim/rregullim.
Këndi i lojërave: Ambienti kishte kënd lojërash për fëmijë (me lojëra cilësore druri), të pozicionuara përballë restorantit me distancë rreth 30 m (pra fëmijët duhet të ishin patjetër të shoqëruar).
Lexoni më shumë:
Restoranti: kuzhina nuk ofronte risi, menu-ja ishte standarde në pjesën më të madhe të asortimenteve, megjithatë ushqimi tradicional ishte gatuar saktë. Më pëlqyen veçanërisht jufkat me lëng pule. Nuk do të veçoja pulpën e gicit e cila nuk më ngjau shumë e butë. Vlerësoj faktin që restoranti ofronte mishra të stazhionuar, por vetë nuk i provuam. Menu-ja e printuar nuk mundësohej ende.
Shërbimi: shumë profesional dhe i shpejtë.
Përmbledhje: Ne nuk pamë asnjë prodhim të fermës, në rast se ka atëherë i sugjeroj menaxhimit prezantimin e produkteve të prodhuara posaçërisht në fermë. Duke vlerësuar standardin, do sugjeroja edhe zgjerimin e shërbimeve si p.sh. tour degustim verërash etj.