Malta është një nga ato destinacione për të cilin nuk kisha ndonjë pritshmëri, pasi ishte një udhëtim i rastësishëm i minutës së fundit, për arsye pune. Megjithatë, me veçantinë e saj, historinë interesante, peizazhet mahnitëse, arkitekturën baroke e plazhet piktoreske, ma tërhoqi shpejt vëmendjen e më kuriozoi ta eksploroja më tej.
Malta është një ishull i vogël (me sipërfaqe 316 km2 dhe popullsi rreth 520 mijë banorë), ndaj mund ta eksploroni fare lehtë të tërin brenda 3 ditëve.
Si të mbërrini?
Akoma nuk ofrohen fluturime direkte nga Tirana. Nëse dëshironi fluturim direkt, mund të niseni nga Aeroporti i Shkupit. Nëse niseni nga Tirana, mund të udhëtoni Tiranë-Bari e më pas Bari-Maltë, fluturime që ofrohen nga Wizz Air dhe Ryan Air. Biletat kanë çmime goxha të mira – afërsisht do t’ju kushtojë rreth 80-100 euro vajtje-ardhje / biletë bazë për të gjitha fluturimet.
*KUJDES: Sigurohuni që nëse do të fluturoni tranzit, të ketë distancë të konsiderueshme mes dy fluturimeve. Kjo, për të shmangur ndonjë episod të pakëndshëm të humbjes së fluturimit të dytë nga vonesat e parapreferuara të linjave ajrore (siç na ndodhi dhe ne, duke na detyruar të prinim biletë tjetër Bari-Maltë për 80 euro 😅 )
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Kur ta vizitoni?
Sipas vendasve, koha më e mirë për të vizituar Maltën është gjatë muajve prill-qershor. Gjatë kësaj periudhe, moti është i butë dhe i këndshëm, i përsosur për të eksploruar atraksionet e ishullit, por edhe për të bërë plazh pasi temperaturat janë shumë të favorshme. Muajt korrik dhe gusht ndërkohë dominohen nga temperatura të larta, duke jua vështirësuar lëvizjen në Maltë. Kini parasysh që duke qenë vend ishullor, Malta karakterizohet edhe nga moti me erë (shpesh e padurueshme), ndaj sigurohuni që përveç veshjeve të lehta, të keni diçka për të hedhur sipër.
Ku të qëndroni?
Malta ofron një gamë të gjerë opsionesh akomodimi që i përshtaten çdo buxheti dhe preference. Për një pushim buzë plazhit, konsideroni qëndrimin në qytetet turistike të St. Julian’s ose Mellieħa, ku do të gjeni një shumëllojshmëri hotelesh dhe resortesh buzë detit.
Ne qëndruam në db San Antonio Hotel + Spa 4* – opsion relativisht i mirë, me hapësirë të bollshme, facilitete si pishinë të brendshme, palestër, jacuzzi, SPA, etj. Shërbimi në përgjithësi ishte i kënaqshëm.
Variante të tjera:
– Paradise Bay Resort 4*
– 115 The Strand Hotel by NEU Collective 3*
Çfarë të vizitoni?
Valletta: Kryeqyteti i Maltës, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur për arkitekturën baroke, fortifikimet historike dhe rrugicat e ngushta plot gjallëri. Ju këshilloj mos bëni plan për vizitën në Valletta – lëreni veten të lirë të eksploroni rrugët e saj, historinë, ndërthurjen me pjesën moderne. Kështu do ta shijoni më shumë.
Megjithatë 3 destinacione që mund t’i konsideroni janë: ‘St . John’s Co-Cathedral’, ‘Triton Fountain’ dhe ‘Upper Barrakka Gardens’.
Lexoni më shumë:
Mdina: I njohur si “qyteti i heshtur”, Mdina ka qenë ish-kryeqyteti i Maltës. Absolutisht ndër qytetet më interesante, me sharmin e tij mesjetar, të ruajtur shumë mirë edhe sot, me mure të larta dhe pamje fantastike. Mdina ka qenë sfond i shumë filmave dhe serialeve, përfshirë ‘Game of Thrones’.
* Nëse planifikoni të konsumoni diçka në Mdina, ju sugjeroj “Coogi’s”, restorant italian i cili ofronte pjata vërtet të shijshme dhe me kualitet.
Gozo: Vizita në Maltë nuk quhet pa vizituar ishujt e saj simotra, Gozo dhe Comino. Ka disa mënyra si mund të shkoni në Gozo dhe Camino. Mënyra më e mirë është të udhëtoni me autobus/taxi deri në Ċirkewwa e prej aty të merrni një traget për në Gozo. Atje mund të eksploroni fshatrat e saj piktoreskë, bregdetin dhe vendet historike, duke përfshirë tempujt Ġgantija dhe kështjellën në Victoria.
Ħaġar Qim dhe Mnajdra: Mësoni mbi të kaluarën parahistorike të Maltës me një vizitë në këta tempuj të lashtë megalitikë, që datojnë mbi 5000 vjet më parë.
Çfarë të hani?
Ushqimi, sipas meje, është një nga pikat më të dobëta të këtij vendi. Edhe pse me disa nuanca të kuzhinës mesdhetare dhe italiane në veçanti (shpëtimi ynë në ato ditë qëndrimi), influenca e kuzhinës arabe ishte e dukshme. Përdorim i tepruar i disa erëzave, mbyste shijen e vërtetë të pjatave. Më duhet të përmend kerrin (curry) – përveçse prezente praktikisht në çdo gatim të mundshëm, aroma e saj përhapej si me magji kudo, duke e bërë realisht bezdisëse. Akoma e kam në hundë atë aromë…
Ah dhe diçka, Malta definitivisht nuk bën pjesë në atë listën e qyteteve me aromën më të mirë në botë 😅
Më poshtë po përmend disa nga ushqimet tradicionale malteze:
* Pastizzi: Mini-byrekë të mbushur me djathë ricotta (pastizzi tal-irkotta) ose me bizele (pastizzi tal-piżelli). Zakonisht shërbehen për mëngjes – shije e zakonshme, asgjë për t’u çuditur.
* Fenkata: Pjatë tradicionale malteze që përmban lepurin e gatuar në temperaturë të ulët në një salcë të pasur me domate, hudhra, verë dhe disa erëza. Shija e lepurit ishte e mirë, i butë dhe i gatuar drejt.
* Ftira: Bukë malteze e mbushur zakonisht me përbërës si domate, ullinj, kaperi, ton dhe djathë. E freskët dhe e shijshme.
* Lampuki Pie: Byrek i mbushur me peshk lampuki (peshk i bardhë që rritet në ujërat malteze), domate, qepë dhe kaperi dhe disa erëza arabe. Pjatë tradicionale e Maltës, në shijet e mia e rëndë; nuk më la ndonjë mbresë.
* Djathi Ġbejna: Djathë vendas i bërë nga qumështi i deleve ose dhive, që shpesh shërbehet i freskët ose i marinuar me vaj ulliri dhe erëza. Po ëndërroja për pak djathë të bardhë ato ditë…
Informacione të tjera të dobishme:
* Gjuha: Gjuha angleze dhe malteze (gjuhë e influencuar nga gjuhët angleze, italiane, arabe dhe franceze) janë gjuhët zyrtare të Maltës, kështu që nuk do të keni probleme të komunikoni me vendasit.
* Monedha: Monedha në Maltë është Euro (EUR), dhe shumica e institucioneve pranojnë kartat kryesore të kreditit. Megjithatë, mbani disa para cash me vete, ‘just in case’.
* Transporti: Malta ka një sistem të besueshëm transporti publik të përbërë nga autobusë dhe tragete, duke e bërë të lehtë lëvizjen përreth ishujve.
-Me autobus: Informacionet për oraret dhe stacionet e autobusëve gjenden lehtësisht online dhe janë shumë të sakta. Bileta e autobusit kushton 2.5 euro për 3 orë.
-Me biçikletë: Ekzistojnë disa kompani të marrjes së biçikletave me qira, të cilat operojnë në pjesë të ndryshme të Maltës, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga turistët.
Ndër më kryesoret është Tallinja Bike. Më shumë informacion mund të gjeni këtu.
-Me traget: Ekzistojnë gjithashtu shërbime tragetesh që operojnë midis ishujve kryesorë të Maltës, duke lidhur kryesisht Vallettën me Sliemën dhe Tre Qytetet (Cospicua, Vittoriosa dhe Senglea).
Gjithashtu, ka lidhje tragetesh midis Maltës dhe ishullit Gozo, qoftë nga terminali kryesor i trageteve Ċirkewwa , ose Valletta.
-Me taksi: Nëse jeni grup njerëzish, ju këshilloj fort të përdorni Bolt – funksionon në mënyrë perkfekte dhe praktikisht taksitë mbërrijnë në çdo cep gjendeni brenda 5 minutave.
* Nightlife: Malta ofron jetë nate fantastike, të shpenguar e me atmosferë elektrizuese. Nëse jeni grup të rinjsh duhet ta provoni patjetër. Paceville në St. Julians është destinacioni më i preferuar për një eksperiencë unike, me clube dhe bare që ofrojnë shumëllojshmëri të zhanreve muzikore deri tek ‘karaoke bars’.
* Rregullat e mirësjelljes: Kur vizitoni objektet fetare, vishuni me modesti dhe respekt, duke mbuluar shpatullat dhe gjunjtë.
* Siguria: Malta në përgjithësi është një destinacion i sigurt për udhëtarët, por është gjithmonë e këshillueshme që të merrni masa paraprake standarde dhe të keni kujdes për sendet tuaja personale.
* Elektriciteti: Malta përdor prizat e tipit G (një prizë me tre kunja drejtkëndëshe). Do të ishte mirë ta kishit me vete, megjithatë në çdo rast mund t’i blini në dyqane.
* Makinat: Malta ka qenë koloni e Anglisë e si e tillë si duket kishte ruajtur sistemin e drejtimit të makinave sipas shtetit anglez (me timonin në krahun e djathtë). Shpeshherë teksa udhëtoni do të ndiheni të konfuzuar e mezi do të mësoheni me këtë ndryshim.
* Kanabisi: Malta është vendi me ligjet më tolerante në të gjithë BE-në në lidhje me posedimin dhe konsumin e kanabisit. Të rriturit lejohen të mbajnë deri në 7 gram kanabis. Mund të shikoni njerëz kudo nëpër rrugë teksa e konsumojnë.
** Fakt interesant që e mësuam në një Tabachino, ishte se në Maltë ishte ilegale shitja e cigareve elektronike.
* Shqiptarët: Malta ishte një vend me shumë shqiptarë. I takuam thuajse kudo e na treguan se kishte politika shumë liberale për të siguruar një leje qëndrimi dhe opsione shumë të favorshme pune.
Malta nuk është nga ato vende që do e sugjeroja pa u menduar dy herë për t’u vizituar. Nuk është një vend që të mahnit me bukuritë e tij natyrore; nuk është një vend që të magjeps me historinë, artin apo arkitekturën; nuk është një vend që të kënaq qiellzën me ushqimet e tij.
Por diçka është e sigurt – është një vend unik. Mbase ndërthurja e shumë kulturave e bën kaq të veçantë. E si i tillë, është një vend që e meriton një vizitë nga ju të paktën një herë në jetë…