Shkrim i muajit janar 2022
Në morinë e kaq shumë hoteleve, fakti që Max Royal më ka bërë të rikthehem do të thotë që ka shumë vlerë. Për të qenë 100% e hapur me ju, kam indikacion se mund të jem diktuar nga stafi i Max Royal, megjithatë kjo nuk do të më ndalojë të ndaj eksperiencën time të sinqertë:
Parkimi: i siguruar nga hoteli, i rregulluar në pjesën e jashtme por pjesa e parkimit nëntokë është shumë e ngushtë.

Struktura: Hoteli përmban 6 kate me rreth 60 dhoma në godinën kryesore, me një interier që krijon shumë hapësirë dhe dritë. Tërheqës është veçanërisht pjesa e ashensorit me xham që përshkon 6 katet brenda hotelit. Hoteli ka një pishinë të jashtme elegante dhe një të brendshme, por ajo që familjen time e ka bërë të rikthehet është veçanërisht fakti që buzë detit hoteli ka një “beach bar”, ku teksa ne të rriturit shijojmë një pije, hoteli mundëson lojëra për fëmijët ngjitur. Ju e dini që ne prindërit do të shkëmbenim shumë lukse për atë komoditetin e të paturit një kafe në paqe me fëmijët para syve. Shumë vlerë i jep edhe pedonalja ku shijojmë një xhiro në mbrëmje.



Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Dhoma: Çmimet variojnë nga paketa por përgjithësisht kemi marrë “all-inclusive” 45-50€ për person (fëmijët nën 6 vjeç pa pagesë). Dhoma e qëndrimit të parë kishte një strukturë me dritare harkore. Në tualet, pozicioni i shampove ishte në krahun e kundërt të dushit. Ndërkohë kur dilje nga dushi peshqirët ishin pozicionuar po ashtu larg. Pajisjet e tualetit si saraçineska etj. mjaft të amortizuara. Te dhoma në kat të 6-të patëm eksperiencë relativisht të mirë, me hapësirë të bollshme, me një pamje shumë të bukur buzë detit. Hasëm probleme sidomos gjatë qëndrimit të fundit me ujin e ngrohtë. Le të themi se vende për përmirësim në këtë pikë të hotelit ka pa fund: peshqirët mbi krevat, donim të bënin çaj e nuk punonte priza, një rast nuk punonte kondicioneri i ngrohtë e nuk përgjigjej askush, një rast tjetër nuk kishte batanije në dhomë e recepsioni nuk i solli edhe pasi u lajmërua. Thënë ndryshe, mendoj se do të duhet vëmendje e shtuar te standardi i dhomave të hotelit si edhe përqasje me proaktive ndaj nevojave.



Recepsioni: Për t’u vlerësuar komunikimi profesional i vajzave, tregues që në këtë hotel hierarkia funksionon, ndryshe nga disa hotele të tjera ku pronari është
gjithçka-bërës dhe merr një pergjigje në telefon: “Po, po, ja se t’marr për pak”…
Më ka pëlqyer menaxhimi i shpejtë i check-in/check-out, informacioni i plotë që na është ofruar rreth orareve apo shërbimeve të hotelit, por kujdes duhet kushtuar te reagimi efiçent ndaj problematikave të klientëve.
Lexoni më shumë:
Ushqimi: Në paketat “all inclusive” që targëtojnë masën, e kam cekur se duhet të moderojmë pritshmëritë tona duke gjykuar gjithmonë mbi raportin çmim/cilësi. Ushqimi përmbushi nevojat tona standarde, ajo që do të sugjeroja është: kujdes në zbrazjen e ushqimeve (pjatancat duhen rimbushur deri në orarin e mbylljes së darkës). Do të preferoja oriz të thjeshtë apo ndonjë lloj mishi pa lëng (janë variante të thjeshta e të sigurta), mëngjesin më profesional (vezët e skuqura ishin shumë të bëra apo krepat e vendosura rrëmujë).






Pishina e brendshme: Ambienti është elegant, por i vogël, pishina është e ngrohtë, por uji i pishinës i dalë jashtë se tepërmi nuk është aspak komod.

Wireless: shumë i dobët
Restoranti “a la carte”: këtu pritshmëritë i kam patur të larta, por ushqimi ka qenë mediokër. Vëmendja e drejtuar rreth ushqimit të masës duke përdorur ndonjëherë të njejtat produkte (si p.sh. fruta deti frigoriferike), produkte të cilat janë në menu e mungojnë apo teknika gatimi amatoreske.
Muzika live: personalisht e pata shumë problem foninë e lartë e të zhurmshme e do të kisha sugjeruar të kishte një ambient alternativ për klientët që duan të darkojnë të qetë pa pasoja afatgjatë në dëgjim. Një ndër netët e muzikës live di të them qe u ngjitëm në dhomë që në orën 22:00.
Përmbledhje: pavarësisht të gjithë sugjerimeve drejt hotelit, Max Royal G është një investim serioz me përpjekje për të shenjestruar klientë familjarë. Unë do të rikthehem, sidomos për paqen e kafesë buzë detit.