Teksa Shqipëria është duke fituar vëmendje si një destinacion trend në Evropë, është bukur të shohësh dëshirën e miqve ndërkombëtarë për të eksploruar hijeshitë e saj. Mes rrugëve plot zhurmë të Tiranës, ku përzihen italianët, gjermanët, spanjollët dhe amerikanët, sot do të zhvillojmë një bisedë miqësore me një diplomat estonez. Por përtej këtyre formaliteteve, ai është gjithashtu një mik i dashur, të cilin e njoha përmes përvojave të përbashkëta në Akademinë Evropiane të Diplomacisë gjatë kohëve të vështira të COVID-19. Nga takimet e shumta në Zoom, deri tek udhëtimet në Varshavë e Gdansk, së fundmi pata mundësinë t’i tregoja Tiranën. Njihuni me Rainerin, mikun tim të ngushtë, i cili është një njeri i shumë talenteve. Një ekspert komunikimesh, udhëtar i palodhur dhe një entuziast i apasionuar i historisë, artit dhe sigurisht politikës. Këtu sot për të ndarë me ne aventurat e tij në Shqipëri.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Gera: Cilat ishin përshtypjet tuaja të para për Tiranën dhe Krujën kur mbërritët?
Rainer: Kryeqyteti juaj është një qytet i zhurmshëm, plot me jetë dhe me pamje të ndryshme për t’u eksploruar. Ne na pëlqeu veçanërisht tonaliteti i arkitekturës këtu. Asnjë shtëpi nuk i ngjason asaj që qëndron pranë saj. Super kaosi që krijohet prej kësaj kërkon pak të mësohesh me të, por ka hijeshinë e saj sapo je ambjentuar.
Kruja ishte thjesht e mrekullueshme. Pamjet, rrënojat dhe ushqimi ishin qershia mbi tortë.
Gera: A ju tërhoqi vëmendjen ndonjë ndërtesë apo pikë panoramike e veçantë në Tiranë dhe Krujë? Pse?
Rainer: Po, Bunkeri ishte disi drithërues dhe i trishtueshëm, por shumë interesant nga perspektiva historike. Gjithashtu, i gjithë rajoni rreth Krujës, i pasuruar nga peizazhet e mahnitshme, ishte një nga ato që mbahen mend përgjithmonë.
Gera: A vutë re dallime në tradita dhe zakone kulturore midis Estonisë dhe Shqipërisë?
Rainer: Gjëja kryesore është ndoshta niveli i ekspozimit të zërit. Shqiptarët duan të flasin, të shprehin veten, dhe duke e bërë këtë gjeneron një nivel të caktuar audio. Për ne – estonezët, është gjithmonë një sfidë. Ne jemi njerëz të qetë dhe të vetmuar që fshihemi shpesh nëpër pyje kur gjërat bëhen shumë të zhurmshme.
Gjithashtu, më pëlqyen zakonet e ushqimit që keni – që do të thotë se më dukej e mrekullueshme se si i ndani gjërat e vendosura në tryezën tuaj. Në Estoni ne zakonisht kemi pjatën tonë me ushqim dhe kaq. 😊
Gera: Shqipëria ka pësuar ndryshime të rëndësishme në dekadat e fundit. A vihej re kjo gjë në sytë tuaj si turistë?
Rainer: Duke qenë se vendi juaj ka të kaluarën e tij të trazuar, është shumë e kuptueshme që ju dëshironi të ktheni një faqe të re dhe në sytë e mi ju keni arritur ta bëni këtë. Ndoshta keni ende pak punë për të përmirësuar në kushtet e qeverisjes së hapur dhe udhëheqjes transparente, por jeni në rrugën e duhur për ta bërë këtë.
Gera: Estonia është e njohur për infrastrukturën e avancuar digjitale dhe qeverisjen elektronike. A ka pasur ndonjë risi apo praktikë teknologjike në Tiranë që ju ka bërë përshtypje?
Rainer: Shqipëria nuk është shumë prapa në nivelet e teknologjisë së përditshme. Nuk i njoh shumë mirë avancimet tuaja në fushën e qeverisjes elektronike, por mobile banking funksionoi mirë, prandaj nuk kam asnjë ankesë.
Gera: A hasët ndonjë sfidë apo vështirësi gjatë qëndrimit në Shqipëri?
Rainer: Mendoj se gjithçka shkoi mirë për ne. Ne madje morëm një makinë me qira dhe gjithçka ishte në rregull. Vendi ku qëndruam kishte mjaft hapësirë dhe justifikonte vlerën e parave. Një histori interesante që ndodhi është se fqinja jonë në pallatin ku qëndruam ishte gjithashtu nga Estonia. Ajo u befasua po aq sa ne kur mësoi se ishim nga i njëjti vend. Zonja kishte disa vite që jetonte këtu. Sa e vogël është bota!
Gera: Cilat ishin restorantet më të preferuara që vizituat, dhe cilat ushqime/pije të veçanta do të rekomandonit?
Rainer: Unë nuk jam adhurues i madh i pijeve të forta, por rakia ishte fantastike. Nuk ngopesha dot me të. Gjithashtu djathi juaj është i klasit të lartë. Ne vizituam Ceren Ismeti Shehu tek Kalaja, Kapelet në Dajt, dhe konsumuam një vakt të shijshëm tek lokali Panorama në Krujë. Ky i fundit është pa diskutim restoranti im i preferuar deri tani. Ushqimi ishte i shijshëm dhe pamjet ishin të mahnitshme. Më pëlqyen shumë gjithashtu edhe brunches (vakti i zemrës) tek Tony’s.
Gera: Si të huaj, cilat aspekte të jetës dhe kulturës shqiptare mendoni se vizitorët shpesh keqkuptojnë apo anashkalojnë?
Rainer: Si estonez, e kuptojmë shumë mirë se përshtypja që njerëzit kanë për një vend mund të jetë e rreme. Sidomos nëse nuk e vizitojnë vetë apo t’i japin atij vendi një shans për të rrëzuar çdo paragjykim që mund të jetë krijuar paraprakisht. Thuhet shpesh se vendet “post-sovjete” dhe “Evropa lindore” kanë mbetur prapa ose kanë më pak për të ofruar, por unë e di se kjo s’është aspak e vërtetë. Shqipëria, ashtu si Estonia, është një vend i mrekullueshëm, plot me njerëz të bukur që jetojnë mes natyrës së larmishme. Të dyja vendet e kanë këtë gjë dhe asnjë stereotip nuk do të mund ta ndryshojë.
Gera: Për të bërë një përmbledhje të të gjithë udhëtimit tuaj, me çfarë mbresash e latë Shqipërinë? Ndonjë këshillë për industrinë e turizmit?
Rainer: Më pëlqeu dhe më vjen shumë keq që nuk mora një javë të plotë pushim për këtë udhëtim. Gjithçka ka të bëjë me dhënien e një shansi vendeve të tjera. Njerëzit priren t’u japin shanse destinacioneve më të njohura të udhëtimit dhe kjo është për të ardhur keq. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm që ka shumë për të ofruar. Unë patjetër që do të rikthehem për të vizituar qytete të tjera dhe zona më rurale.
Megjithatë, shpresoj që turmat e turistëve të mos shkatërrojnë natyrën tuaj të bukur pasi shohim flukse masive të turistëve rus në Gjeorgji, Kroaci, Egjipt etj. Mos u bëni të tillë, ju lutem!