Pireu Fish Restaurant / Review

Shkrim i muajit gusht 2021

Vendndodhja: Pranë Liceut Artistik, Tiranë
Kuzhina: gatime deti, një miks mes kuzhinës italiane dhe asaj mesdhetare.
Çmimi: ~3,500L/person

Pireu është një restorant që ka marrë vëmendjen tonë së fundmi, sepse në një ambient ekzistues (ku edhe më parë ofrohej kuzhinë me gatime deti), mësuam se ishte bërë një investim i ri goxha elegant por edhe jo shumë formal. Po ju listoj disa nga pjatat e porositura:

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Sallatë me spinaq e tartuf (700L): kjo është një sallatë të cilën unë e kam hasur në restorante shumë të mira në versionin me djathë manouri dhe fileto viçi, por edhe te Pireu më pëlqeu kombinimi i panxharit me tartufin, kumbulla ishte një frut që i përshtatej sepse diçka tjetër do e kishte lëngëzuar.

Carpaccio levreku, salmoni si edhe një karkalec tigër krudo (çmimet si në faturë): edhe pse carpaccion e levrekut do ta kisha dashur të prerë pak më hollë, më shijoi veçanërisht marinimi kremoz, i athët aq sa duhet, pa tepri limoni që ndonjëherë e pjek peshkun ose mungesa e tij që e ben shijen lineare.

Pireu më shijoi veçanërisht për disa receta të shtëpisë, siç ishin vezët e peshkut (i porositëm në furrë), barbuni apo karkalecat me salcë gjalpi. Unë vezët e peshkut nuk i preferoj, por në këtë vend i shijova shumë. Te barbuni duhej pak kujdes me halat sepse në fileto nuk mund të bësh kontroll, ndërsa karkalecat ishin perfekte, të tultë, të lëngshëm, të shkrifët nga salca e gjalpit, të pastruar siç duhet!

Shërbimi ishte sa profesional aq edhe shoqëror, çdo gjë na servirej në pjatë.

Kam qenë dy herë te Pireu e kam provuar shumë pjata ndaj në vendet që kaloj shumë mirë ndiej nevojën të bëj sugjerime në mënyrë që restoranti të rritet në nivel tjetër:

1. Menu digjitale
2. Servirja e vezës së peshkut dhe karkalecave në gjalpë në të njejtën pjatë sjell miksim të panevojshëm të salcave
3. Levreku i furrës pati një show të bukur futur mes kripës, koka si kadavër në tavolinë për mendimin tim duhet
shmangur (u kuptua që ishte i freskët)
4. Perimet e furrës do të dukeshin shumë bukur të prezantuara në pjatë me fileton.

Jua sugjeroj e pa diskutim që do të rikthehem! Po ju cilin keni restorant të preferuar peshku?