Premium Beach Hotel / Review

Premium është një hotel që e konsideron veten me 5* në Golem. Nuk ndihem shumë komode të jap përshtypjet për këtë hotel pasi gjykimi vërtet i saktë bëhet përgjatë sezonit veror ku Golemi ka pikun e turistëve. Sidoqoftë, kam një ndjesi pozitive ndaj faktit që janë ndërtuar hotele në formë kompleksesh në Golem e që për çudinë time funksionojnë mirë dhe kanë shumë klientelë edhe pse jemi jashtë sezonit.

Parkimi: i siguruar nga hoteli, shumë i rregullt.

Vendndodhja: buzë detit, një pikë e fortë e hotelit. Fundjava jonë qëlloi e tëra me mot të keq, por arrije të perceptoje rregullsinë dhe komoditetin. Pedonalja përpara hotelit është gjithashtu një plus.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Struktura: Holli i hotelit ishte projektuar si një hapësirë dinamike (hotelet po i japin holleve një vëmendje gjithmonë e më të madhe). Interiori është shumë modern, të krijohet ideja që sipërmarrësit nuk kanë kursyer.

Hoteli është i përshtatshëm për familjarë, ka një pishinë të brendshme dhe dy verore, ka një qendër SPA ku ofrohet sauna, jacuzzi, masazh. Lodra fëmijësh nuk më zuri syri por mbase ka patur jashtë.

Dhoma: Koncept Half Board (mëngjes dhe darkë) 125€ (2+1 me pamje nga deti). Dhomat me pamje nga parku ishin 15€ më lirë. Për një hotel me 5* do më ndjeni menaxherë të dashur, por më takon të shkruaj për detajet. Ofrohej baby cot, hapësirë e bollshme. Për një hotel me 5*, dhoma nuk kishte standardin që prisja. Jastëkët rezervë në dollap kishin shumë njolla dhe ishin pa këllëfë, dera e minibarit ishte e amortizuar, dera e tualetit ishte hapur nga poshtë nga lagështia (për shumë pak vite funksionim). Kur hymë gjetëm vetëm dy peshqirë të madhësisë mesatare (dhoma ishte per katër). Robdeshambër në dhomë nuk kishte, e kërkoje nëse doje të përdorje SPA-në. Pulti i TV nuk punonte, si edhe ballkoni ishte pa tavolinë e karrige. Janë këto detaje që bëjnë diferencën në menaxhimin e një hoteli me 5*.

Lexoni më shumë:

Restoranti: A la Carte nuk ishte hapur, kur mbërritëm në drekë u detyruam të porosisnim një sandwich i cili kishte dy bukë shumë të mëdha e një thatësi që nuk justifikonte 1,000L të paguar për të. Një birrë ishte 400L. Pjesa e darkës ishte bufe (përfshirë në çmimin e dhomës). Koncepti ishte huazuar nga modeli i turizmit turk (sa i përket vafteve), edhe chefi mesa kuptova ishte turk. Me pak fjalë gjeje shumëllojshmëri por pak gjëra që shijojnë vërtetë (këtu ndryshim bëjnë ëmbëlsirat të cilat ishin të mira). Vetë ambienti ngjasonte me një mensë kaotike (për shijet e mia). Vendi ishte i vogël për kapacitetin e hotelit dhe ishim ngushtë (mbase ngaqë veranda në ditë me shi nuk po shfrytëzohej).

Mëngjesi: i larmishëm dhe cilësor, shijova gatime të ndryshme të vezëve (dallohej ekperienca e hotelerisë), si edhe pancakes ishin fantastike.

Shërbimi: korrekt.

SPA dhe pishinë: Pishina e brendshme ishte shumë e ngrohtë dhe me hapësirë. Për të hyrë në të duhet të kaloje nga një ambient i vogël jashtë. Masazhin e lavdëruan shumë, vetë nuk e provova.

Room tip: tentoni dhomat në katin 3 e lart, wifi kishte momente që nuk punonte.

Po ju miq a keni qenë/do të donit të shkonit në këtë hotel? Do vlerësoja shumë përshtypjet tuaja, kështu ndihmojmë edhe njëri-tjetrin.