Sarajet e Pashait 2 / Review

Shkrim i muajit maj 2021

Keni qenë ndonjëherë te Sarajet?

Po ju tregoj eksperiencën time:

Vendndodhja: rreth 50 m larg detit, aksesohet me këmbë. Zona rreth e përqark është një zonë me rrugë ende të pa-asfaltuar ku vazhdojnë ndërtimet/rinovimet e hoteleve.

Parkimi: privat, i siguruar nga hoteli, i pa-asfaltuar.

Recepsioni dhe holli i pritjes: zonja që na u përgjigj rreth rezervimit ishte shumë e sjellshme, e prirur për të ndihmuar. Ambienti i pritjes ishte pak i ftohtë e binte në sy një farë parregullsie si fillim sezoni.

Struktura: hoteli përbëhej nga tre kate me rreth 5 dhoma në secilin kat. Hoteli nuk kishte ashensor megjithëse hapësira e ashensorit ishte dukshëm e planifikuar në projekt. Kishte një pishinë te vogël me tre shezlongë (nuk ishte ende funksionale). Paçka kufizimeve që të jep mungesa e hapësirës, pishina ishte vendosur në një vend aspak të përshtatshëm sepse ishte ngjitur me restorantin. Nuk është shumë komode të lahesh në pishinë teksa dikush drekon. Hoteli nuk përmbante hapësira relaksuese të gjelbëruara (kishte vetëm disa vende dekorative); lodra për fëmijë nuk kishte.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Dhoma: qëndrimi maj 2021; (60€/nata). Koncept 2+1 me mëngjes të përfshirë.
Dhomat ishin të arreduara në stil klasik, ku binte veçanërisht në sy veshja dekorative e tavanit që të kujton stilin gjirokastrit. Dhoma kishte pjesërisht pamje nga deti, hapësirë të bollshme, një ballkon të vogël. Për një hotel që cilësohet me 4* kishte mungesa; si për shembull të vetmit aksesorë tualeti ishin shampo e kokës dhe e trupit, nuk kishte mbajtëse shamposh në dush, nuk kishte mbajtëse për peshqirët e mëdhenj (vetëm për atë të duarve përkrah pasqyrës).
Minibari ishte bosh si edhe për çudinë tonë, edhe pse kishim rezervuar dy netë, nuk u bë asnjë pastrim dhome gjatë qëndrimit tonë.

Lexoni më shumë:

Mëngjesi: përmbushte nevojat.

Shërbimi: stafi i shërbimit përbëhej nga vetëm dy persona, një kamerier dhe një banakier. Me gjithë përpjekjet e kamerierit i cili ishte shumë i sjellshëm, vihej re një farë tensioni për mospërballimin e fluksit vetëm.

Restoranti: nga lodhja e rrugës nuk arrita dot të bëja asnjë foto, gatimi ishte amatoresk dhe kushtoi 13,000L për dy familje.

Po ju miq, çfarë eksperience keni me Sarajet? Komentoni më poshtë…