Sheqer Pikant / Review

Shkrim i muajit shkurt 2021

Ky është një restorant i cili gatimet e zonës i ofron në një tjetër nivel. Ne jemi mësuar të frekuentojmë zonën që fillon lart rrugës së Elbasanit e deri në Bërzhitë, kryesisht për gatime tradicionale. Sheqer Pikant ka një menu më të spikatur, ku edhe gatimet tradicionale marrin formë pak më moderne. Është një lokal familjar në natyrë, ka edhe lodra për fëmijë. Periudha para-rikonstruksionit nuk më ka lënë ndonjë mbresë (edhe pse kam qenë shpesh në këtë vend). Madje, nuk më ka pëlqyer fakti që në menu kanë fileto viçi me kërpudha dhe tartuf (1750L) e nisur nga çmimi prisja fileto cilësore, ndërkohë që kam marrë një mish së cilit i mungonte si butësia ashtu edhe lëngështia.

* Kuzhina: mesdhetare/tradicionale/pizza/gatime deti
* Opsione vegjetariane/vegane: PO
* I përshtatshëm për fëmijë: PO
* Çmimi: €€€ pak i lartë për zonën

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Ndërkohë, në periudhën pas rikonstruksionit më ka pëlqyer që në menu janë futur elemente cilësore siç është mishi i vjetëruar Tomahawk, T-Bone Steak, Ribeye, peshk i egër etj. Ambienti i ri kishte një arredim class me një muzikë live shumë të këndshme në sfond (edhe pse me volum pak më të lartë seç do ta kishim dashur ne).

Disa nga pjatat e porositura:

– Sallatë me gjethe, fara e djathë dhie (490L) – është një sallatë e lehtë dhe farat e pjekura janë suksesi i sallatës. Shije të lehta, marinim i këndshëm, ndërthurje që të freskon.

– Kroketa kungulli të skuqura, shoqëruar me salcë xaxiki (390L) – krokante nga jashtë e të buta brenda, janë një antipastë e këndshme.

– Djathë dele me petë e mjaltë (490L) – këtu në fakt peta ngjason me një brumë të trashë, shija e së cilës nuk ndërthuret mirë me mjaltin.

– T-Bone Steak (5,620L) – disa pjesë të mishit ishin siç i përshkroi shoku ynë në tavolinë: “llokum”, por unë në disa raste hasa goxha pjesë kocke e dhjami. Lashë jo pak pjesë pa konsumuar.

– Fileto viçi me kërpudha e tartuf (1,950L) – kjo pjatë ishte e mrekullueshme e nuk kam çfarë të shtoj. Më mirë të rrisin çmimin e të ofrojnë fileto cilësore sepse po të kisha foto të asaj që merrja për 1,750L do kuptohet me sy ndryshimi.

Lexoni më shumë:

Si ju duket ky vend, ju pëlqen ambienti i ri, ushqimi e çmimet?