TRIBE Restaurant / Review

Shkrim i muajit nëntor 2020

Tribe ka qenë në listën time prej kohësh. Shkurtimisht filozofia e kësaj gastronomie është një ndërthurje mes ushqimit, artit dhe hapësirës. Kryesisht i referohet ushqimit në qytet (me prodhime vendase), edhe pse rasti i Tribe do të thoja e përqas këtë filozofi më shumë në ambient sesa në produkte (nga vetë fakti se shërbejnë Black Angus apo Kobe që nuk janë vendase). Sidoqoftë, përsa kohë nuk ka stil “fine-dining”, urban style u shkon me atmosferën.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Disa nga pjatat që porositëm:

Palcë kocke (1,000L) – ishte një nga ushqimet më të veçanta që kam provuar, salca e athët dhe susami ishin shoqërues perfektë për të hequr veljen e yndyrës së palcës. Shërbehej mbi një pjatë guri, gjethet e së cilës digjeshin teksa ti konsumoje ushqimin. Shumë interesante…

Foie Grass (1,150L) – shërbehej me një kek xhixheri dhe reçel fiku. Foie Grass erdhi në stil të ftohtë pateje, do e kisha preferuar në versionin e mëlçisë së ngrohtë e të yndyrshme.

New York Steak (4,250L) dhe Fileto Viçi (2,240L) – porositëm mish sepse flitet që përpunimi i tij në Tribe bëhet sipas standardeve, me ruajtjen në temperaturën dhe në lagështinë e duhur. Realisht, më la shije pak të thatë (jo-sukulente siç e preferoj unë). Une nuk jam profesioniste kulinarie, por në shije mishin do ta preferoja shumë më të butë.

Pros:

Atmosfera shumë ndjellëse për nga ana arkitekturore, me atë ndjesinë e grumbullimit në shpellë (Tribe).
– Ofrimi i përbërësve e pjatave qe nuk i gjen rëndom.
Vendndodhja në qendër (afër Millennium) e në rrugë pedonale.
Recepsioni/rezervimi: u përgjigj një vajzë me nivel profesionalizmi të lartë, kur e mora për herë të dytë më kishte regjistruar emrin dhe numrin. Një “Urdhëro Ema”, për klientin do të thotë shumë…

Cons:

Muzika: ishte shumë e lartë për një restorant (nuk është vend ku kërcehet).
Ajri: kishte një ndjesi tymi (nuk kuptoj çfarë e shkaktonte, por ndihej më shumë seç duhej).
Shërbimi: mediokër, djali ishte brenda kornizave por nuk ishte dita e tij e humorit sepse edhe kur ne i qeshnim nuk është se reagonte.
Çmimi: ~15,000L/çift, goxha i lartë për atë që ofrohej.